Organizata e Kombeve të Bashkuara lëshon alarmin për të shmangur një tjetër masakër në Irak. I dërguari i posaçëm i OKB, Nickolay Mladenov ka shprehur tronditjen nga raportimet mbi gjendjen e banorëve në qytetin verior të Amerlit.

Qyteti mbahet i rrethuar nga ISIS prej dy muajsh, ku mungon energjia elektrike, uji i pijshëm dhe rezervat ushqimore e mjekësore janë drejt përfundimit. Rreth 18,000 banorë të këtij qyteti janë shiitë, që shihen si kundërshtarë nga ISIS. OKB bën thirrje për mos lejimin e përsëritjes së masakrës së malit të Sinjarit pak javë më parë.

Situata e banorëve të Amerlit është tragjike dhe kërkon veprime të menjëherëshme për të parandaluar ndonjë masakër të mundshme ndaj tyre. Mladenov i kërkon qeverisë së Irakut që të bëjë gjithçka është e mundur për të hequr rrethimin dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtij qyteti.

Banorët thonë se janë vetëorganizuar kundër ISIS dhe prej dy muajsh janë duke luftuar kundër ekstremistëve dhe pavarsisht humbjeve të mëdha kanë arritur t’i mbajnë ata jashtë qytetit.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)