Shefja e OKB për të drejtat e njeriut Navi Pillay tha ditën e djeshme se shkeljet e të drejtave të njeriut nga qeveria siriane janë shumë herë më të rënda se ato të grupeve të armatosura të opozitës. Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së OKB, Pillay kërkoi që situata në Siri t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale.
 
Ajo theksoi se monitoruesit e zyrës së saj dhe hetuesit në Komisionin Hetimor të OKB në Siri kanë fajësuar vazhdimisht të dyja palët për konfliktin sirian për shkelje të të drejtave të njeriut, por shtoi se nuk mund të krahasohen njësoj.
 
Sipas diplomatëve, Këshilli i Sigurisë së OKB nuk ka arritur të dërgojë Sirinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve pasi Rusia ka qenë kundër.
 
Ndërkohë ambasadori sirian në OKB Bashar Jaarafi hodhi poshtë akuzat e Pillay kundër forcave qeveritare të Sirisë duke i vlerësuar si të falsifikuara dhe mungesë kredibiliteti, pasi Pillay dhe hetuesit e OKB nuk kanë vizituar Sirinë gjatë konfliktit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)