Burime diplomatike për agjencinë e lajmeve AFP, kanë njoftuar se shtetet anëtare në Kombet e Bashkuara kanë rënë në ujdi për të zvogëluar buxhetin vjetor për misionet paqeruajtëse.
Agjencia ka raportuar se shuma prej 6.689 miliardë dollarësh është për 122 milionë dollarë më e vogël se shuma e rekomanduar në fillim dhe rreth 600 milionë dollarë më e vogël se shuma e ndarë vitin e kaluar dhe se buxheti pritet të miratohet zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme më 2 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë kontribueset kryesore në buxhetin e vitit të kaluar me 28.5% të fondit, të përcjellura nga Kina me 10.3 % dhe Japonia me 9.7% përcjell REL.
Në muajin mars, ambasadorja amerikane në këtë organizatë, Nikki Haley, ka thënë se Uashingtoni është duke planifikuar zvogëlimin e fondit, duke iu bërë thirrje shteteve të tjera për ndarje të shumave më të mëdha. Kujtojmë se OKB-ja ka rreth 100 mijë paqeruajtës të angazhuar në 14 misione në botë.