OKB-ja miraton rezolutën që dënon mohimin e Holokaustit: Të merren masa për të luftuar antisemitizmin

OKB-ja miraton rezolutën që dënon mohimin e Holokaustit: Të merren masa për të luftuar antisemitizmin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të enjten një rezolutë të përgatitur nga Izraeli, që dënon çdo mohim të Holokaustit dhe u kërkon të gjitha kombeve dhe kompanive të mediave sociale, "të marrin masa aktive për të luftuar antisemitizmin dhe mohimin ose shtrembërimin e Holokaustit".

Organizata botërore prej 193 anëtarësh e miratoi rezolutën me konsensus, pa votim, dhe me një goditje “çekani” nga presidenti i Asamblesë, Abdulla Shahid, i cili u takua me një grup të mbijetuarish të Holokaustit para mbledhjes së asamblesë. Armiku numër 1 i Izraelit, Irani, "u distancua" nga rezoluta.

Ambasadorët e Izraelit dhe Gjermanisë, të cilët e mbështetën fuqimisht rezolutën, theksuan rëndësinë e miratimit të saj më 20 janar, që është 80-vjetori i Konferencës së Wannsees, ku udhëheqësit nazistë bashkërenduan planet për të ashtuquajturën "Zgjidhja përfundimtare e çështjes së hebrenjve", në një vilë në brigjet e liqenit Wannsee të Berlinit në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rezultat i asaj konference ishte krijimi i kampeve naziste të vdekjes dhe vrasja e afro 6 milionë hebrenjve, që përbënin një të tretën e popullit hebre. Përveç kësaj, sipas rezolutës, u vranë miliona njerëz të kombësive të tjera, pjesëtarë të pakicave dhe grupeve të shënjestëruara.

"Tani jetojmë në një epokë në të cilën trillimi po bëhet fakt dhe Holokausti po bëhet një kujtim i largët", i tha asamblesë ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, duke kërkuar mbështetje për rezolutën.

Ambasadori Erdan, nip i të mbijetuarve të Holokaustit, tha se rezoluta ruan kujtimin e 6 milionë viktimave dhe angazhohet për t’u siguruar që shtrembërimi dhe mohimi i Holokaustit, "nuk do të tolerohet më".

Ai tha se platformat e mediave sociale, përfshirë rrjetet Facebook, Twitter dhe You Tube, po përhapin "pandeminë e shtrembërimeve dhe gënjeshtrave" në lidhje me Holokaustin.

“Gjigantët e mediave sociale nuk mund të qëndrojnë më të vetëkënaqur me urrejtjen e përhapur në platformat e tyre” dhe duhet të ndërmarrin veprime tani, tha ambasadori izraelit.

Rezoluta lavdëron vendet që kanë ruajtur kampet naziste të vdekjes dhe u kërkon 193 vendeve anëtare të OKB-së “të zhvillojnë programe arsimore që do t'i mësojnë brezat e ardhshëm për Holokaustin, për të ndihmuar parandalimin e akteve të gjenocidit në të ardhmen”.

Rezoluta kërkon nga OKB-ja dhe agjencitë e saj, që të vazhdojnë zhvillimin dhe zbatimin e programeve që synojnë të kundërshtojnë mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit dhe të mobilizojnë shoqërinë civile dhe të tjerët, për të ofruar fakte rreth tij.

Aktualisht, OKB-ja ka një program informimi mbi Holokaustin dhe Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, ka një program për edukimin mbi Holokaustin dhe luftën kundër antisemitizmit.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, mirëpritën rezolutën nëpërmjet një deklarate të përbashkët, duke shprehur shqetësimin e jashtëzakonshëm për "rritjen dramatike të mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit". Ata thanë se dukuria e krahasimit të mosmarrëveshjeve aktuale politike me Holokaustin është "thellësisht shqetësues" dhe "një shtrembërim i historisë", si dhe padrejtësi ndaj viktimave të Holokaustit.

Irani akuzoi Izraelin se është "i vetmi regjim i aparteidit në botë", ideologjia e të cilit bazohet në dy shtytësit kryesorë të Luftës së Dytë Botërore, "racizmin dhe ekspansionizmin". Në një deklaratë të lexuar nga një diplomat i ri, Irani akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të "shfrytëzojë vuajtjet e popullit hebre në të kaluarën, si mbulesë për krimet që ka kryer gjatë shtatë dekadave të fundit kundër vendeve të rajonit, përfshirë të gjithë fqinjët e tij, pa përjashtim”.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por pasqyrojnë opinionin global.

Në vitin 2005, Asambleja e Përgjithshme caktoi 27 janarin, ditën kur kampi i përqendrimit në Aushvic u çlirua nga ushtria sovjetike, si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë