Olen Cesari, durrsaku magjik
në violinë ose "Paganini i ri"

Olen Cesari, durrsaku magjik<br />në violinë ose
Olen Cesarit i është dukur "i këndshëm konteksti i koncertit që u dha në Teatrin e Operas dhe Baletit me rastin e Festës së Europës". "Shqipëria në BE", kjo është kryefjala e këtij gjeniu që për shkak të rrethanave politike gjatë epokës së rënies së diktaturës e s'dihet pse edhe më pas lihet në dritëhije në vendin e tij, por jo në botë. Shumëkush e di se ai ka nisur t'i bjerë violinës kur shtatin e kishte ende sa ajo, në moshën tre vjeç. Pak nga shqiptarët e kujtojnë djalin e vogël magjik që u ngjit në skenë më moshën 5-vjeçare si një virtuoz i lindur dhe në moshën 7-vjeçare dha koncertin e tij të parë recital në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, qytetit ku lindi. Ishte ende foshnje dhe Shqipëria me gjithë hallet e saj, nuk e la pa e vënë re gjeniun e vogël. Në moshën 10-vjeçare e mbaroi gjithë programin e Liceut Artistik dhe si mbaroi këtë ai ishte i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë që korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve. Shteti e dërgoi në Romë dhe Italia priti në bankat e shkolis së saj "Paganinin e Ri", virtuozin e jashtëzakonshëm shqiptar. Si u ngjit ai në skenat botërore dhe çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve me famën e tij,marrëdhëniet me miqtë dhe jetën në Itali i gjejmë të përshkruara nga vetë ai këtë intervistë.

Duke ju parë ju në skenë gjatë interpretimit vihet re një ndryshim i madh edhe mes violinistëve më të talentuar... duket sikur muzika rrjedh në gjakun tuaj. Si ka nisur marrëdhënia juaj e parë me muzikën?
-Isha tre vjeç, kur unë fillova të kem tërheqje nga muzika. Ishte nëna ime që e vuri re këtë. Ajo e kuptoi që unë kisha vesh. Dhe qe shumë e zgjuar, mendoj, sepse filloi të me jepte vegla muzikore që gjendeshin në shtëpi në atë kohë. Ato që kishim, se varfëria ishte e paparë në atë periudhë. Nëna më vinte në provë që të luaja me to. Më thoshte bjeri daulles, bjeri violinës, luaj me violinën me hark si me shpata. Kështu ajo filloi të kuptonte se ajo ç'ka merrja në dorë tingëllonte dhe që aty ka nisur përkushtimi im ndaj violinës. Kjo gjë më ka çuar mua në rrugën e muzikës, e cila nuk besoj se do të mbarojë kurrë.

Ku keni lindur ju, Olen?
-Unë kam lindur në Durrës. Jetoj në Romë, por gjithmonë them se kam lindur në Durrës. Në Romë jetoj prej 22 vjetësh dhe tani nëse më thonë "Nga je?", unë them "Jam nga Roma". "Ku ke lindur?", "Kam lindur në Durrës".

Pra, keni jetuar pjesën më të madhe të jetës në Romë. Përpara se t'ju takoja prisja një gjuhë të ndryshuar, ose së paku ndonjë fjalë të harruar të shqipes. U befasova me pastërtinë dhe saktësinë e shprehjes në shqip...
-Kisha humbur diçka nga gjuha vite më parë, por e kam rifituar sepse kam filluar të frekuentoj më tepër Shqipërinë dhe kjo më ka ndihmuar për ta rifituar gjuhën.

Tre vjeç ju nisët t'i binit violinës dhe pastaj si u ngjitët në shkallët e suksesit. Çfarë ndodhi më pas me ju?
-Ndodhi që duke studiuar, duke studiuar e duke studiuar, kur isha dhjetë vjeç kisha përvetësuar të gjithë repertorin e shkollës së mesme artistike, repertorin violinistik. Dhe si rast i veçantë hyra në konservator. Në atë kohë këtu quhej Instituti i Lartë i Arteve.

Në moshën 10 vjeç, ju studionit për të lartën?!
-Po. Gjithë të tjerët ishin 20 deri në 24 vjeç. Nuk i mbaj mend mirë. Ishin shumë të mëdhenj. Edhe unë shkoja në mëngjes gjithë kohën në lice këtu në Tiranë, vazhdoja programin normal të shkollës dhe nga dreka shkoja në Institutin e Lartë të Arteve dhe vazhdoja atje studimet për violinën. E mbarova edhe atë. Katërmbëdhjetë vjeç përfundova studimet dhe më evidentuan si instrumentisti më i mirë. Pas kësaj u bë një konkurs.

Për cilat vite bëhet fjalë?
-Në vitet '88-'89. Unë isha 14 vjeç. Hyra në atë konkurs. Fitova si instrumentist më i mirë i Shqipërisë dhe mu dha e drejta e bursës, sepse në atë kohë nuk jepeshin bursa ose të drejta studimi jashtë shtetit, ishte rast i rrallë. Dhe shkova në Itali, konkurrova, e fitova. Që në atë moment edhe këtu ndodhi revolucioni: përmbyset regjimi komunist. Revolucioni mua më gjeti në Itali dhe pastaj jeta ime u stabilizua komplet andej.

A ju kanë pritur në Itali me të njëjtin entuziazëm dhe vlerësim si profesorët tuaj në Shqipëri, apo pati dyshime për talentin tuaj?
-Për sa i përket entuziazmit për talentin edhe atje nuk më mungoi. Atje u vlerësova direkt, sepse në atë kohë edhe shkolla jonë ishte në një nivel shumë të lartë. Artistikisht personat që dilnin nga shkollat në Shqipëri dhe që arrinin të merrnin bursë ishim të mirët e Shqipërisë dhe, më të mirët e Shqipërisë, ishin nga më të mirët edhe andej. Nuk ishte ky problemi. Problemi që patën ne andej ishte fakti që revolucioni në Shqipëri erdhi si një stuhi dhe një stuhi e merr çdo gjë përpara. Në atë moment njerëzit e parë që dolën jashtë kufijve ishin edhe personat e parë që bënë gjithë ato zullume të mëdha në Itali. Në vitet e para kështu ndodhi. Ndaj ishte e vështirë të përballoje gjykimin e italianëve nën petkun e paragjykimit para faktit se "je shqiptar". Ka pasur shumë persona që nuk thoshin se ishin shqiptarë për të mos pasur probleme. Kështu që ne mbanin gjithë rrymën që vinte, e mbanin stuhinë në fytyrë gjithë kohën, edhe pse ne ishim personifikimi i shqiptarit në pjesën më të mirë të komunikimit që është kultura dhe arti. Në një farë mënyre ne ishim ambasadorët e kulturës ose ambasadorët e emrit të mirë të shqiptarëve. Më vonë kjo u kapërcye, por nuk ka qenë e këndshme trysnia të paktën për dhjetë vjet, deri afër viteve 2000.

Çfarë pengesash, barrierash ju kanë dalë juve personalisht të paragjykuar si "shqiptari" në ato vite.
-Unë personalisht nuk kam pasur barriera në kontaktin e drejtpërdrejtë, kur vihej në provë talenti artistik, por e kam fjalën si ndihesha prej mentalitetit që italianët pa të njohur se çfarë dije të bëje paragjykonin dhe në atë epokë e shprehnin këtë. Tani ka ndryshuar komplet muhabeti. Është një qëndrim krejt tjetër që e ka zhdukur paragjykimin. Unë po flas për pas viteve '90. Në atë kohë ekzistonte paragjykimi. Sigurisht kur të njihnin dhe dinin se çfarë mund të bëje ndryshonte mendimi. Lëre ata që vinin në koncert, ata thoshin tjetër gjë, por unë flas për qëndrimin e popullsisë normale.

Keni kaluar gjithë rininë në Itali?
-Unë jam rritur atje. Kam qenë qysh 14 vjeç.

Pra, cila ka qenë pjesa më e bukur, e rinisë. Çfarë mbresash keni përjetuar në rininë tuaj të hershme?
-Rinia ime ka qenë gjithë studime, siç ka thënë Naimi:"Punë, punë natë e ditë,/ që të shohim pakëz dritë." Kështu që unë u diplomova në Romë në moshën 17 vjeçe. Mora diplomën atje dhe pastaj në moshën 18-vjeçare shkova bëra dhe një vit tjetër në Austri. Në Itali funksion kështu: ti ke dhjetë vjet për të marrë diplomën, por mund të mbrosh provimet. Kështu që unë mbrojta provimet dhe mora dy vjetët e fundit finalet. Kështu që nga mosha 15 deri në 17 e mora diplomën e shkollës italiane, pastaj shkova në konservator e Salsburgut Austri. Ishte katër vjet konservatori si këtu në Tiranë dhe e mbrojta në një vit. Pra në moshën 18- vjeçare kisha mbaruar 3 konservatore: një në Shqipëri, një në Itali, një në Austri dhe thashë po e mbyll tani hesapin me shkollën dhe vijoi karriera konceptore. Koncerte e koncerte gjithandej. Më ka ndihmuar shumë në një emision Pipo Baudo që njihet edhe këtu. Unë fitova konkursin skenik të tij që më hapi shumë dyer dhe gjithë Italia më njohu si fituesi i atij konkursi të vetëm në atë kohë, se tani janë bërë bozë si "Amici", "X factor", etj. Në '92-shin ka ndodhur kjo gjë. U bë bujë në atë kohë. Pipo Baudo më hapi ca dyer dhe kështu unë nisa xhiron e koncerteve nëpër Austri, nisi karriera e muzikës klasike.

Austrinë e mendonit si vendin e sfidave të reja në muzikën violinistike?
-Çdo vend në Europë është vend i sfidave, por për muzikën shtetin më interesant e që të vë vërtetë përballë shumë sfidave në muzikë unë quaj Italinë. Sepse Italia ka qenë vatra. Nuk dua të mohoj me këtë se shtete si Gjermania, Austria nuk kanë qenë vatra. Ato janë vatra, ashtu si dhe Franca, tashmë është dhe Rusia, por për mendimin tim Italia ka qenë e mrekullueshme si vend-zgjedhje për sfidat me muzikën.

Dhe kur filluan gazetat të shkruanin gjithë ato vlerësime që po shkruhen e dëgjojmë sot?
-Filluan pra në epokën e Pipo Baudos. Nisën të shkruanin gazetat shprehje të tilla si "Paganaini i ri". Çfarë nuk thanë italianët në atë periudhë. Kjo erdhi edhe sepse unë bëra një version autentik të Paganinit, Kapriçon 24. U pëlqye shumë. Gjithsesi unë vazhdova karrierën me muzikën klasike që nga ai moment, por erdhi një moment tjetër që unë fillova të lodhesha sepse prezantoja pesë-gjashtë programe: një me koncerte, një me sonata, një si virtuozit. Të gjithë zgjidhnin programin me virtuozizma. M'u bë edhe muzika si punë zyre, por t'i biesh violinës është art. Kështu që unë fillova ta ndjeja veten ngushtë me muzikën klasike dhe fillova të hapja pak horizonte përtej klasikes. Fillova pak me xhazin, bluzin. Kjo nisi me qëndrimin tim në atë periudhë në Nju Jork.

Sa kohë qëndruat në Nju Jork?
-Gati një vit fiks, por me gjithë koncertet e kam frekuentuar dy vjet.

Nëse për italianët ishit "Paganin i ri", për publikun e Nju Jorkut kush ishit, sipas referencave të kritikëve të muzikës ose sipas gazetave?
-Ishte akoma faza e eksperimenteve. Artikujt dhe vlerësimet erdhën më vonë në Nju Jork. Pasi në atë kohë nuk ishte periudha e vlerësimeve në Nju Jork.

Kur ishte?
-Kur bëra koncertin me Lucio Dalla-n, me atë artistin "e çmendur". Aty nisën artikujt e parë "Artisti nga Shqipëria që luan me Lucio Dalla-n".

Duke ju njohur nga afër, dukeni "me këmbë në tokë", i thjeshtë, natyral në sjellje. Si ka mundësi që transformoheni aq shumë në skenë, dukeni shumë virtuoz, shumë rebel, krejt ndryshe nga njeriu që kam përpara?
-Ndodh natyrshëm, sepse unë jam rritur në skenë. Kur kam qenë i vogël, koncertin e parë e kam bërë në Durrës, kur isha 5 vjeç. Recitalin e parë e bëra në Teatrin "Aleksandër Moisiu", isha 7 vjeç. Isha foshnje. Kur ngjitem në skenë më duket akti më normal më intim. Jam më vetvetja kur jam më skenë, sepse pjesa tjetër jashtë saj është plot probleme, trazira, shqetësime, turbullira. Madje tashmë para koncerteve shqetësohesh edhe a hyjnë miqtë e tu në koncert apo jo, a gjetën vend të mirë apo jo. Këto janë halle të mëdha se u ngelet hatri miqve (qesh). Kur vjen momenti që ti pret skenën, mbyll telefonin, përqendrohesh dhe më në fund jam rehat, bëj atë që duhet të bëj, jam në momentin që lidhet shpirti im me një instrument që është violina dhe me atë unë transmetoj atë që dua të them.

Pra rruga juaj paska qenë e gjatë dhe megjithatë me këto zbritjet dhe ngjitjet nga toka në "qiellin e muzikës", besoj se kanë sjellë gjëra të bukura, sfida, emocione....
-Emocione...? Dje, për shembull, kur erdha këtu në Tiranë për festën e Europës, erdha i gëzuar se konteksti ishte shumë i këndshëm. Koncerti u bë në teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Na kishte ftuar Ettore Sequi dhe Arditi prezantonte. Ishin të gjithë ambasadorët. Erdhi një moment që më preku, sepse po flitej që Shqipëria akoma nuk ka marrë statusin e kandidatit për të hyrë në BE. Kjo domethënë që ti nuk je ende anëtare e kësaj vëllazërie, e një familjeje. Të jesh anëtar i kësaj familjeje duhet të kesh në rregull ca kritere. Ne që s'jemi aty, akoma nuk kemi të drejtë të bëjmë as kërkesën. Këtu ka diçka që nuk shkon, edhe pse unë nuk merrem me politikë. Nuk e di se çfarë nuk shkon, por ideja është që secili nga ne të kërkojë e të jap një dorë.

Ju artistët e keni dhënë një dorë. Ne kemi korifenj të skenave evropiane: jeni Ju, është Tedi Pavaramin, Inva Mula, Saimir Pirgu, etj, etj.
-Po. Ne artistë e kemi dhënë dorën. Prej vitesh na quajnë ambasadorët e kulturës shqiptare. Ne marrim më të mirat e Shqipërisë dhe i çojmë nëpër botë. Por personat që merren me këtë punë, politikanët le të gjejnë një rrugë, të bëjnë një marrëveshje që të paktën të dimë ç'të themi edhe ne. Unë po shoh ndryshime këtu. Kur kam ardhur në 2000-n unë kisha frikë të vija. I thashë Arditit "Të lutem, eja më merr në aeroport". Isha akoma me përshtypjen e aeroportit si një kolibe me ushtarë aty tek dera e tij, me automatikë që të prisnin. Tani i sheh shumë ndryshe gjërat në Shqipëri.

Mendon se kjo pengesë e hyrjes në BE ka të bëjë me drejtësinë, ligjet, korrupsionin e politikanëve?
-Unë këto gjëra nuk kam si ti di. Por mendoj se janë poliotikanët ata që ka më shumë në dorë të bëj diçka dhe sa më shpejt. Edhe Europa po kalon një fazë jo të këndshme, për sa i përket perspektivave ekonomike.

Ju gjatë bisedës thatë që mentaliteti i italianëve për shqiptarët ka ndryshuar. Konkretisht si mendojnë në këtë periudhë?
-Në Itali konkretisht Shqipëria konsiderohet si fqinjë. Ata thonë "Është dera ngjitur me ne". Shumë vite me parë bëhej alarmante çdo e keqe që bënin shqiptarët: "shqiptari" vrau këtë, ky "shqiptari" preu këtë. Tani nuk ka më tendenca për alarme të tilla në media.

Pra ka një dëshirë të italianëve që ne të jemi në BE?
-Unë di që italianët e dinë përkryer historinë tonë më të mirë, e dinë që ne kemi pasur një Skënderbe, e dinë çfarë ndodhi me vendin tonë. E dinë se jemi ndryshe nga sa jemi përgojuar dhe tani unë dëgjoj plot miq italianë që thonë hajde të bëjmë "vakancën" në Shqipëri, jo vetëm se është më pak e kushtueshme por edhe se e dinë që ka stabilitet. Por nuk duhet ta presim ndihmën vetëm nga bota, duhet të ndihmojmë më shumë vetveten.

Në ç'mënyrë?
-Mua më ka mbetur peng për shembull, kur isha në një koncert në Paris, regjisori që fitoi pesë çmime oskar Michel Hazanavicius, bëri një artikull për mua në "L'Express". Artikulli bëri bujë në Francë. Koncerti u bë që të më njihnin njerëzit konkretisht në skenë pas artikullit. Dhe, unë shkova në Paris, fola nëpër radio, e shumë media. Koncertin e organizoi një djalë nga Shqipëria që quhet Rrezart Jasa, një organizator shumë i mirë. Ndodhi diçka shumë e çuditshme. Kisha të ftuar në koncert ambasadorin dhe stafin e Ambasadës Shqiptare në Paris dhe nuk munda të ftoja asnjë nga Ambasada Italiane, (edhe pse unë e kam në pasaportë edhe kombësinë shqiptare, italianët mburreshin me mua). Çfarë ndodhi në këtë moment?! Unë pashë 20 persona nga Ambasada Italiane, përfshi ambasadorin dhe gjithë të tjerët dhe nuk pashë asnjë person nga Ambasada Shqiptare. Personalisht më preku kjo gjë. Më bëri të mendoj se ambasadat tona, që duhet të jenë receptorët përmes të cilëve ne të përfitojmë për anëtarësimin në BE dhe që të na hapen dyert në Europë, nuk e kryejnë këtë fundksion. Çdo njeri që është nëpër botë përfaqëson, jo vetëm veten e vet, por edhe kombin. Flas për kombin për atë që quhet mëmëdheu, vendi ku ke lindur. Bota sot është vërtetë në lëvizje, por askush as në Nju Jork, as në Romë, as në Francë nuk e mohon vendin ku ka lindur.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!