Takimi këtë të premte i Sali Berishës me partitë aleate është vetëm akti më i fundit i një rituali thuajse 30-vjeçar, që ka të bëjë me një tallj sistematike të kreut të PD-së me aleatët e tij politik. Ky zakon nuk mund të ndryshojë në këtë periudhë ku gjendet Berisha, pavarësisht premtimeve të tij ‘me fjalën e nderit’ se këtë radhë do të jeni pjesë e vendimmarrjes.
E vërteta është se dhe në zgjedhjet që kaluan Berisha e kishte plotësisht të drejtën dhe mundësinë të diskutonte me aleatët për reformën dhe sistemin zgjedhor, por ai zgjodhi të ulej me Edi Ramën, jo me ata. Prapë i shmangu, prapë i anashkaloi, prapë i trajtoi si dekor politik, si një masë e zhurmshme që duartroket kur ai ka nevojë për mbështetje morale, por që përjashtohet nga çdo vendimmarrje reale.
Dhe kjo nuk është rastësi. Fatmir Mediu, por edhe eksponentë të tjerë të opozitës së vogël, kanë deklaruar qartë se ideja e listave të mbyllura në një të tretën e tyre nuk ishte kërkesë e Ramës, por kërkesë e vetë Berishës.
Arsyeja? Për të vendosur në pozicione të sigurta besnikët e tij, njerëzit që i ka nën kontroll absolut, ata që nuk e vënë asnjëherë në diskutim autoritetin e tij, siç po ndodh edhe në këtë periudhë postzgjedhjesh të 11 Majit, që, pavarësisht rezultatit dhe situatës, të gjithë janë në unison për një gjë: Berisha është i paprekshëm.
Në takimin e kësa jtë premteje Ndoka dhe Adriatik Alimadhit ia thanë në sy Berishës, mirëpo kur sheh që venë dhe shpresojnë sërish prej tij të vjen ndër mend ajo shpreha popullore: “Provo edhe një herë, pa të shohim…”.
Berisha ka 30 vite që i gënjen dhe i përdor partitë e vogla. I ka trajtuar gjithmonë si dekor elektoral, jo si aleatë realë. I ka mbajtur pranë me premtime, i ka tronditur me frikën se mund të mbeten jashtë listave dhe në fund i ka shpërblyer duke shpëtuar vetëm njerëzit e tij të besuar, si rasti i përsëritur i Fatmir Mediut.
Pyetja e madhe sot është një tjetër: Deri kur do të vazhdohet kjo farsë? Deri kur partitë aleate dhe militantët e PD-së do të pranojnë të përdoren si mjet për të ruajtur pushtetin personal të Berishës?
Sepse Berishës nuk i intereson më fitorja e opozitës. Nuk i intereson reforma zgjedhore. Nuk i intereson rikthimi i PD-së në pushtet.
Ajo që i intereson është krejt tjetër: të ruajë rreth vetes një grup besnikësh të gatshëm t’i bëjnë temena, të mos e konkurrojnë dhe të mos e rrezikojnë. Një opozitë fasadë, e dobët, e përçarë, por e nënshtruar ndaj tij.
Dhe derisa aleatët të pranojnë të luajnë këtë rol, tallja e Berishës me ta, dhe me demokratët në përgjithësi, do të vazhdojë pa fund.
Komente










