Olgerti,i riu që krijoi 'ASA Colony'
rrëfen vështirësitë drejt suksesit

Olgerti,i riu që krijoi 'ASA Colony'<br />rrëfen vështirësitë drejt suksesit
“Ëndrrat kur realizohen shtojnë ëndrra akoma më të mëdha”. Këtë rrugë ka ndjekur personazhi jonë, Olgert Rakipllari.

Ndonëse është vetëm 24 vjeç, ndodh shumë rrallë të takosh një djalë të ri të talentuar si ai.

Plot pasion, ëndrra dhe punë të palodhshme, Olgerti ka arritur të ketë qendrën e tij “Asa Colony” ku mbledh artistë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të zhvilluar profesionistët e rinj në fushën e arteve pamore, stilimit dhe arkitekturës.

Plot 30 krijues u bënë bashkë për të sjellë edicionin e dytë të "Asa Colony".

Ne shkuam pranë tyre për të parë nga afër në fazën e punës së tyre.

Olgerti na tregon rreth aktivitetit të tij dhe çfarë e nxiti atë të krijonte një qendër për arkitekturën, stilimin dhe artin në Shqipëri.
 
“Koloninë e kemi nisur si një aktivitet për festivalin ndërkombëtar të artit, stilimit dhe arkitekturës. Ne, tashmë, prej 5 vitesh kemi shtrirë bashkëpunimin tonë përtej Shqipërisë që nga Lugina e Preshevës, Shkupit, Tetovës dhe Prishtinës. Ne insistojmë tek shkëmbimi i kulturave mes shkollave. Ideja për krijimin e kësaj qendre ka qenë nga kandidimi im për president në Universitetin ku kam studiuar. Aty nisi çdo gjë. Në fillim u krijua si klub studentor. Tashmë e kemi shndërruar në qendër kulturore”, shprehet Olgerti.
 
Nuk ka qenë e lehtë për të ndjekur pasionin dhe zhvillimin e artit në qendrën e tij.

“Mund të kesh ide por ndoshta mungon këmbëngulja. Kam sakrifikuar veten për të arritur deri këtu. Nuk kemi patur ato organizime perfekte në fillim, por ja kemi dalë. Ka patur disa momente që nuk mund ta lija, pasi kanë qenë të shumta vështirësitë ekonomike. Por, ja kam arritur”, tregon Olgerti.

Një i ri i apasionuar pas të bukurës plot ambicie ka arritur të fitoj çmimin e parë në konkursin për brandimin e zyrave të Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë (EU Info Network).

“Bashkë me kolegen time, Inesa Gishto, kemi bashkëpunuar për të krijuar brandimin e zyrave të reja Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë. Na ka intriguar shumë konkurrimi. Nuk kemi idenë që medoemos të dalim fitues. Ne kemi bërë një pakt me veten tonë. Nuk na intereson nëse ja japin dikujt me mik, apo jo. Marrim pjesë në konkurse për të parë dhe veten ku jemi me kolegët e tjerë. Fatmirësisht kjo ishte një juri ndërkombëtare dhe u vlerësuam nga Këshilli i Europës. Jemi njoftuar vetëm dy ditë para për konkursin. Kemi punuar për dy ditë e dy netë papushim. Kërkuam sfidën dhe donim t`ja arrinim. Kemi punuar me ushqime me vete dhe me sytë me rrudha”, tha ai.
 
Jo pak, por 5 mijë euro fitoj nga konkursi për brendimin e zyrave të EU. Por, çfarë mund të bëjë një i ri me 5 mijë euro. Olgerti nuk preferoi të blinte një makinë apo të mbushte boshllëqet ekonomike që përballet çdo ditë.

“Çdokush mendoi se do investoja për diçka personale, do të blija ndonjë makinë apo ndonjë iPhone 7. Por jo, unë i kam ëndrrat shumë të qarta. Unë dua të vazhdojë ëndrrën që kam prej 5 vitesh. Një pjesë të parave i dhashë në një kontribut modest për një vajzë që duhet të bënte një operacion jashtë vendit. Pjesën tjetër e vura për këtë projekt”, u shpreh ai.

Për më tepër Olgerti ka ofruar ndihmën e tij edhe për fëmijët me shikim të kufizuar.

“Para pak ditësh kemi ofruar disa bursa për fëmijët me shikim të kufizuar. U kemi dhënë kurse falas”, tha ai.
 
Olgerti është një i ri që inspiron e për më tepër një shembull për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin pasionin e tyre edhe pse nuk kanë kushtet financiare.

“Unë do të doja që të motivoja gjithkënd. Pavarësisht, nga vjen, nga fshati apo qyteti, me të ardhura të pakta, apo jo. Nëse ke një ide, e mbron dhe lufton për atë, ti mund t`ja dalësh. Nëse e do me shumë dëshirë, mund të vonojë, por mund t`ja arrish”, tregon Olgerti.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione