Dy kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë zhvilluar edhe sot takime për garën e re të drejtimit të PD.

Basha në njësitë bashkiake nr. 5, 6 dhe 7 në kryeqytet, ndërsa Sokol Olldashi takime në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë.

“Mazhoranca e 23 qershorit, e vetmja në botën demokratike, e ndërtuar mbi mashtrimin dhe shitblerjen e votës”, ka theksuar Basha. "Partia Demokratike e rrëzon Edi Ramën në zgjedhjet e 2015-ës", deklaroi Sokol Olldashi gjatë takimeve.

BASHA: “KANDIDATËT PËR ZGJEDHJET E ARDHSHME, ME VOTË ANËTARËT E PD,
Kandidati për kryetar të PD Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, në njësitë bashkiake nr. 5, 6 dhe 7 në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar se në platformën e tij,  çdo anëtar i PD do të vendosë përmes votës, për drejtuesit e partisë dhe kandidatët për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme.
 
“Të garantojmë jo vetëm që të dëgjohet zëri i çdo anëtari por të respektohet zëri i çdo anëtari. Çdo anëtar të ketë të drejtën që të ketë një zë të barabartë, pra një votë, në çdo vendimmarrje të rëndësishme të PD, nga niveli i organizimit deri në nivelin e përzgjedhjes së kandidaturave tona, për përballje lokale dhe qendrore”
 
Zoti Basha ka theksuar se PD duhet të jetë në qendër të një fronti opozitar i cili të përfshijë përveç aleatëve historikë të kësaj partie, të gjithë të mashtruarit e mazhorancës së re.
 
“Duhet të jemi të gatshëm të nisim që sot aksionin tonë opozitar, me të gjithë aleatët tanë shoqërorë, me të persekutuarit, pronarët, me rininë, me botën akademike, me shoqërinë civile, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të fillojmë t’u faktojmë ditë për ditë zullumqarëve të 23 qershorit, se kanë përballë një forcë të gatshme për t’u përballur çdo çast me zullumin e tyre por po kështu për të ofruar alternativën e së nesërmes”
 
Mazhoranca e 23 qershorit është e vetmja në botën demokratike, e ndërtuar  mbi mashtrimin dhe shitblerjen e votës, ku misioni i saj, siç po faktohet çdo ditë nuk është zhvillimi por zhbërja e arritjeve të këtij vendi.
 
“S’ka asnjë shtet, asnjë shoqëri në historinë e Evropës, që të jetë ndërtuar mbi dy vlera, mashtrime piramidale dhe shitblerje votash. U kemi lënë një vend me rrugë të reja, u kemi lënë një vend me rini të mirëarsimuar, u kemi lënë një vend me administratë funksionale. Në vend që të mendojnë se si të ecin më përpara, në raport me dëshirat e problemet e qytetarëve, mendojnë në mënyrën më absurde se si të zhbëjnë arritjet tona”.
 
OLLDASHI: NË POLITIKË NUK DUHET TË KETË MË LOJTARË MESFUSHORË

me aktivistë dhe drejtues politikë në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, në vijim të fushatës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i PD-së.

Ai tha se demokratët nuk mund të presin që kundërshtari i tyre të bie vetë, por duhet ta rrëzojnë atë në përballjen e parë elektorale.

Olldashi tha se PD, me një strukturë të balancuar, të vënë nën stimul dhe përgjegjësi dhe me një njohje të pangatërruar të kontributeve, kthehet në një makineri politike dominuese në terren, që  nuk mund ta ndalë asgjë dhe askush. 

Në bisedë me strukturat e PD-së në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, Sokol Olldashi foli për paketën e ristrukturimit të institucioneve të PD-së dhe për aksionin opozitar. 

Duke përforcuar qëndrimet për një konfigurim të qartë të poleve politike ne vend, Sokol Olldashi tha se në politikën shqiptare nuk mund të ketë më lojtarë mesfushorë.

"Kundërshtari ynë në bllok është ish-Partia e Punës, ndërsa Partia Demokratike është shtëpia e opozitarëve", deklaroi Olldashi.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)