TIRANE- Kundërshtari i Lulzim Bashës, Sokol Olldashi në garën për kreun e PD-së deklaron s’e nuk kishim të bënim me një garë dhe se zgjedhja u bë përmes një procesi të deformuar.   
 
“ Zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi të deformuar. Në asnjë cast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe ato nuk u vunë në dispozicionin tim, gjë që do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa pasur informacion për korpusin e votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjeten emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit të anëtarësohen në parti. Procesi për të cilën u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve në fakt nuk mbeti në asnjë moment i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë lokalë u përfshinë në mënyrë të njëanshme, ndërkohë që cilido shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim u pezullua. Gjë që ndodhi me ndonjë kryetar lokal të PD-së . U përjashtua sic ndodhi me anëtar të PD në Shkodër, e Korçë apo u përjashtua nga puna siç ndodhi me drejtues rajonal të koorporatave në Sarandë e në Vlorë.  "- tha Olldashi në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e Ministrisë së Transporteve, ku është ende në detyrë dhe jo nga selia PD.

Sipas Olldashit ishte një energji e tepërt brenda PD e cila duhej të ishte harxhuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik. 

“Ky tension i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm. Ishte energji e tepërt brenda nesh që duhej të ishte harxhuar më 23 qershor e jo 22 korrik. Ishte gabim" tha Olldashi, i cili i pyetur nga gazetarët nënvizoi se "kjo nuk ishte garë" dhe nuk përcolli asnjë urim për kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha.

Sot në mëngjes Partia Demokratike deklaroi se Sokol Olldashi kishte fituar me 80 % të votave kundrejt 20 % të votave që kishin votuar për Sokol Olldashin. 

Sot në mesditë kryetari i dorëhequr i PD-së, duke prezantuar Bashën si kryetar i ri i PD-së deklaroi se procesi i votimit ishte i rregullt. Sipas tij çdo fletë votimi ka një numër për tu verifikuar dhe ky është i domodoshëm për të ditur sa janë fletët reale apo fletë të tjera.

Nga ana e tij në deklaratën e parë publike Basha falenderoi anëtarët e PD-së për votimin por dhe Sokol Olldashin për pjesëmarrjen në garë ndërsa shtoi se para ishte një sfidë e madhe dhe do të bënte një opozitë të fortë. 
 
DEKLARATA E PLOTE E SOKOL OLLDASHIT
 Ne perfundim te atij qe duhet te ishte procesi i zgjedhjes se kryetarit te ri te PDSH, ne respekt te te gjithe atyre qe si antare, simpatizante, votues të PD-së apo njerez te lire qe e kane ndjekur kete proces, ndihem i detyruar te qartësoj në mënyrë përfundimtare qëndrimin tim.
Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.
Në asnjë cast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve.
Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjëtën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u antarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të antarësohen edhe në PD.
Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, - gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – sic ndodhi me antarë të PD-së në Shkodër e Korcë – apo u pushua nga puna, - sic ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë.
Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjeter, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm.
Kjo ishte një energji e tepert e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.
Ishte një gabim.
Megjithatë, gjatë gjithë fushatës sime brenda strukturave të demokratëve, kam insistuar se ne duhet të identifikojmë gabimet dhe mbi to të ndërtojmë eksperienca pozitive.
Shpresoj vërtet që do të kemi inteligjencën ta bëjmë këtë.
Kam insistuar që produkti i parë i 23 korrikut, duhet të jetë shëndoshja e Partisë Demokratike. Dje nuk e bëmë, por duhet të fillojmë ta bëjmë që sot.
Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi antarë të së njejtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi.
Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.
Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrushme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)