Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Prokurorisë për vitin 2025. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin vjetor, gjatë vitit të kaluar prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm trajtuan mbi 66 mijë materiale në shqyrtim, 8.55% më shumë krahasuar me vitin 2024.

“U ndoqën gjithsej mbi 50 mijë procedime, që përbën një rritje prej 5.35% në krahasim me vitin 2024. Mbi 27 mijë prej tyre janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 8.5% krahasuar me vitin 2024. Pati gjithashtu mbi 22 mijë procedime të mbartura dhe 184 procedime të rifilluara”, raportoi Çela.

Sipas tij, numrin më të madh të procedimeve e ka pasur Prokuroria e Tiranës me 36.62% të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 9.5%, ndërsa Korça, Shkodra dhe Fieri kanë secila nga 7%. Më pak procedime rezultojnë në Kukës dhe Dibër, me rreth 2% të totalit.

“Sa i përket koeficientit të kriminalitetit lidhur me procedimet e regjistruara për 100 mijë banorë, në vitin 2025 ky koeficient ishte 1145, ndërsa në vitin 2024 ishte 1037. Raporti mes krimeve dhe kundërvajtjeve kriminale rezulton se 76% janë krime dhe 24% i përkasin kundërvajtjeve”, tha ai.

“Veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve janë ato kundër rendit dhe sigurisë publike me 33%, duke shënuar rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024. Vjedhja e pasurisë përbën 21% të procedimeve të regjistruara, me ulje 2%, ndërsa veprat penale kundër familjes përbëjnë 7%, me rritje prej 2%. Veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës janë 8% dhe kanë pësuar rritje prej 51%. Veprat penale kundër shkatërrimit të pronës përbëjnë 3%, po aq sa edhe ato kundër shëndetit”, raportoi Çela.

Prokurori i Përgjithshëm bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë ngritur akuza për 10.423 procedime me mbi 12 mijë të pandehur.

“Mbi 10 mijë të pandehur janë dënuar, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2024”, tha ai.

Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar janë filluar kryesisht 161 procedime penale.

“Peshën më të madhe e zënë veprat penale kundër pasurisë me mbi 42%, të ndjekura nga veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike me 21.12%, veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore me mbi 14.28% dhe veprat penale që prekin zgjedhjet e lira me 6.21%”, raportoi Çela.

Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, ai tha se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë referuar në SPAK 56 procedime dhe referime.

“Nga këto janë pranuar 41”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm.

“Të dhënat statistikore tregojnë se në grupveprat e korrupsionit janë regjistruar 625 procedime me 155 të pandehur. Rreth 260 persona janë dënuar për këtë grup veprash penale”, raportoi Çela.

Ndërkohë, sipas raportit, janë regjistruar 210 verifikime pasurore, ndërsa gjykatat kanë vendosur konfiskimin e pasurive kriminale në 12 çështje dhe sekuestrimin e aseteve në 29 çështje.

“Vlera totale e aseteve të sekuestruara arrin rreth 4 miliardë lekë, ndërsa vlera e aseteve të konfiskuara rreth 305 milionë lekë”, raportoi Çela.

Prokurori i Përgjithshëm ndaloi edhe te veprat penale të pastrimit të parave, ku sipas tij është shënuar progres në të gjithë treguesit.

“Të dhënat statistikore tregojnë se numri i procedimeve të dërguara për gjykim është rritur me 35.29%, ndërsa numri i të pandehurve të dërguar për gjykim është rritur me 24.24%”, deklaroi ai.

Sa i takon dhunës në familje, Çela raportoi se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1683 procedime penale dhe 1089 të pandehur. Sipas tij, mbi 80% e çështjeve janë dërguar për gjykim, ndërsa prokurorët kanë kërkuar masa sigurimi me arrest në më shumë se 91% të rasteve.