Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Olta Xhaçka, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoni, ka realizuar një takim me homologen e saj Radmilla Sheqerinska. Gjatë këtij takimi, Xhaçka u shpreh se tani Maqedonia është vetëm një hap larg anëtarësimit në NATO dhe theksoi se pas anëtarësimit rajoni do të jetë më i sigurtë.
“Jam e kënaqur që ndodhem në Maqedoni në këtë moment. Ju tanimë jeni vetëm një hap larg anëtarësimit në NATO. Me anëtarësimin tuaj në NATO, rajoni do të jetë më stabil dhe më i sigurt. Mbështetja e Shqipërisë për Maqedoninë e Veriut, ka qenë prioritet strategjik në politikën tonë të jashtme. Arritja e marrëveshjes me Greqinë, por edhe Ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, janë hapa që kërkojnë guxim të madh. Unë jam e lumtur që faktori politik shqiptar ka pasur rol të rëndësishëm në këto hapa. Besoj që këto zhvillime jo vetëm që kanë garantuar anëtarësimin e Maqedonisë, por edhe stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Kemi edhe shumë për të bërë dhe për të realizuar atë që është strategjik për të gjithë ne – anëtarësimi në BE”, tha ministrja shqiptare Xhaçka.
Olta Xhaçka hoqi paralelizma mes situatës politike të dy vendeve të cilat asprojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Ajo e lidhi aspiratën e vendit tonë për anëtarësim në BE më situatën aktuale politike në vend duke thënë se kërcënimet më të mëdha nuk vijnë nga jashtë por nga brenda vendit dhe shpesh ka forca që për interesat e veta rrezikojnë stabilitetin dhe të ardhmen evropiane.
"Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane.
Por nga ana tjetër, unë jam besimplotë, që për aq kohë sa shumica e qytetarëve të vendeve tona besojnë tek ideali euro-atlantik dhe tek ato dëshira e ëndrra që përmenda më lart, rruga jonë drejt Europës, një rrugë që kalon përmes modernizimit të vendeve tona, e mbi të gjitha përmes vendosjes së sundimit të ligjit e drejtësisë, është e pandalshme dhe këto forca janë të destinuara të dështojnë. Ashtu siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut e ashtu siç do të ndodhë edhe në Shqipëri", deklaroi Xhaçka.
Ministrja e Mbrotjes u prit edhe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri. Ministrja Xhaçka është ministrja e parë e vendeve të NATO-s që viziton Maqedoninë pas nënshkrimit të Protokollit të Pranimimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Xhaçka është ministrja e pare e vendeve të NATO-s që viziton Maqedoninë pas nënshkrimit të Protokollit të Pranimimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut.