Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 29-të. Të shtunën në orën 18:00 në 'Niko Dovana' të Durrësit, vendasit e Teutës presin Partizanin. Sfida është direkte mes tyre për një vend në 'Final 4', mini turneut që në fund të 36 raundeve të Superligës të lejon të garosh për titullin kampion, sipas skemës së përcaktuar nga FSHF-ja.
Në prag të ndeshjes për mediet foli trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja. Tekniku do mungojë për të kuqtë në stol, pasi në sfidën e fundit të barazuar 2-2 kundër Vorës, u ndëshkua me karton të kuq.
Tropojani vlerësoi rivalët e Teutës, teksa ka besim te stafi i tij i ndihmësve. Për 'Demat e Kuq' do mungojë Doumbia, i cili u ndëshkua me karton të kuq kundër Vorës.
"Përballja e nesërme ndaj Teutës dhe sfidat e rivalëve?
E kam theksuar gjithmonë që ne shikojmë vetëm ndeshjet tona, nuk duam të shikojmë fare se çfarë bëjnë të tjerët. Nëse ne marrim ndeshjet tona atëherë pikët aty janë. Edhe Teuta vjen në një moment shumë të mirë, mos të harrojmë se fitoi ndaj Bylis, Tiranës dhe Dinamos jashtë, kështu që vjen në një moment shumë të mirë. Eshtë një ndeshje e fortë mes rivalëve që luftojnë për vendin e katërt. Nuk dua fare të mendoj ndeshjet direkte, sepse janë shumë pikë në lojë. Janë edhe 7 ndeshje pas Teutës janë 21 pikë dhe nuk duam të rrezikojmë. Ne do të hyjmë sigurisht për 3 pikët do të luftojmë për 3 pikët dhe pjesën tjetër do t’ia lëm fushës.
Do të mungoni ndaj Teutës në stol si pasojë e skualifikimit. Ju vjen keq?
Gjithmonë e kam thënë që te Partizani nuk është një individ i vetëm si për lojtarët ashtu edhe për stafin. Jam shumë i kënaqur me punën e stafit, Orit, Kushtrimit dhe Ralfit. Kam besim të plotë te të tre djemtë që nuk do të ndjehet aspak mungesa ime.
Mungesat në ekip?
Dihet, kemi mungesën e Doumbia i cili u ndëshkua me karton të kuq ndeshjen e fundit. Vazhdojmë të kemi të dëmtuar Prekën, Markun dhe Isgandarli që ende nuk është shëruar plotësisht. Pjesa tjetër është e gatshme, ekipi ka lojtarë", tha trajneri i Partizanit.
Me 43 pikë Partizani mban pozitën e katërt, ndërsa Teuta me 37 pikë ndodhet në vendin e gjashtë.
Renditja e Superligës
Komente








