Deputeti i PD-së, Kliti Hoti ka depozituar kërkesë në Kuvend, për interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.
Hoti, në kërkesën e tij, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thotë se është shumë shqetësuese situata në spitalin onkologjik, por edhe ajo e tregut të barnave.
Deputeti kërkon sqarime për disa çështje si centralizimi i shërbimeve onkologjike pothuajse në Tiranë, mungesën e burimeve njerëzore, apo edhe mungesat e shpeshta të barnave në treg dhe në sistemin publik.
Kërkesa e Kliti Hotit drejtuar Niko Peleshit
I nderuar z.Kryetar i Kuvendit,
Situata reale e Onkologjisë si dhe ajo e tregut të barnave në Shqipëri është shumë shqetësuese. Ka një mospërputhje midis strategjive të shpallura dhe realitetit të sistemit shëndetësor.
Konkretisht duke pasur parasysh gjendjen e shërbimit onkologjik në Republikën e Shqipërisë, dhe veçanërisht:
-Centralizimin ekstrem te shërbimeve onkologjike pothuajse ekskluzivisht në Tiranë, nëkundërshtim me çdo standard europian të aksesit të barabartë.
-Mungesën e qendrave funksionale rajonale për diagnostikim dhe trajtim, veçanërisht për kancerin e gjirit.
-Mungesën kritike të burimeve njerëzore: onkologë, radioterapistë, infermierë të specializuar dhe staf mbështetës.
-Ngarkesën e papërballueshme për pacientët dhe familjet e tyre, për shkak të udhëtimeve, pritjeve të gjata dhe ndërprerjes së trajtimit.
-Mospërputhjen e thellë midis strategjive, planeve dhe deklaratave publike të Ministrisë dhe realitetit faktik në terren.si dhe situatën aktuale të barnave ne treg, konkretisht:
-Rritjen e ndjeshme dhe të pajustifikuar të çmimeve të barnave jetike,
-Paqartësi dhe mungesë transparence mbi politikat e shpallura për uljen e çmimeve të barnave.
-Mungesa të shpeshta të barnave në treg dhe në sistemin publik, duke rrezikuar drejtpërdrejt vazhdimësinë e trajtimit të pacientëve.
-Mosfurnizim i pritshëm me barna esenciale, si pasojë e politikave të gabuara të çmimeve,rimbursimit dhe tenderimit.
-Transferim i barrës financiare nga shteti te pacientët, duke cënuar parimin e mbrojtjes socialedhe të drejtës për trajtim.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimine një interpelance me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me sa më lart.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
Komente







