TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka rrëzuar dy kërkesat e bëra nga anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për pezullimin e gjykimit dhe mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik. Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, avokati i Besnik Canit, Eduart Halimi ka deklaruar se në momentin që Cani të vesh togën e prokurorit atëherë mund të rikthehet procesi i rivlerësimit, por ky argument nuk është pranuar nga ana e KPA, e cila e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.
Sa i përket kërkesës tjetër të bërë nga prokurori në 17 janar për përjashtimin e dy anëtarëve të trupit gjykues, konkretisht Ardian Hajdarin dhe Luan Dacin, KPA nuk e mori parasysh duke qene se nuk është ne kompetencat e saj. Gazetari i Report Tv, Merin Maçi raporton se në seancën e sotme e cila ka zgjatur disa orë, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, të kundërshtuara nga Cani dhe avokati i tij. Këto të fundit kanë kërkuar administrimin e disa provave të reja, pasi sipas tyre janë të pamjaftueshme.
"Komisioneri Publik, pas verifikimit të situatës faktike, analizës dhe vlerësimit të provave dhe akteve të dala nga hetimi administrativ i Komisionit, në konsideratë edhe të rekomandimit të ONM-së, çmon se vendimi nr. 84/2018 është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u shqyrtuar nga juridiksioni rivlerësues i Kolegjit të Apelimit. Komisioneri Publik, duke u qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, vëren se për rastin objekt gjykimi, megjithëse kanë rezultuar rrethana dhe fakte të provuara se subjekti: (i) për kriterin e pasurisë, nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme dhe shpjegime bindëse për të kundërtën e barrës së provës, lidhur me deklarimet e pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite të pasurisë, duke rezultuar dhe me mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të përballuar njëkohësisht investimet, kursimet e deklaruara dhe shpenzimet e kryera ndër vite; (ii) për kriterin e aftësive profesionale, kanë rezultuar fakte e rrethana të cilat janë në papajtueshmëri dhe cenojnë etikën dhe figurën e magjistratit, mangësi të përsëritura dhe modele të papërshtatshme pune", argumetoi Komisioneri Publik.
Fillimisht Prokurori, Besnik Cani u konfirmuar në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë megjithëse kishte probleme me pasurinë. Por vendimi i KPK për Besnik Canin u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe pas tyre edhe nga Komisioneri Publik të cilët kritikuan vendimin e konfirmimit në detyrë të tij, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.
( Kliko këtu ) Ankimimi i plotë