Open Data: Çdo shqiptar
tre milionë lekë borxh

Open Data: Çdo shqiptar<br />tre milionë lekë borxh
TIRANE- Borxhi për frymë të popullsisë ka shënuar një rritje konstante vjetore, duke kaluar nga 100 mijë, në afro 300 mijë lekë të reja për çdo shqiptar. Open Data Albania, në një studim të saj, konstaton se, në një kohë kur ritmet e rritjes së popullsisë në vitet 2000-2010 kanë qenë relativisht të ulta, faktori kryesor që ka shkaktuar rritjen e borxhit për frymë, ka qenë rritja e stokut të borxhit. Vitet 2002, 2008 dhe 2009 shënojnë tre nga vitet me rritjen më të lartë të borxhit për frymë, përkatësisht 14.44%, 14.63% dhe 13.71%.

Ndërsa në vitin 2000 shuma e borxhit për frymë ishte 104.498 lekë, në vitin 2005 ajo ishte rreth 43% më e lartë dhe në vitin 2010 arriti nivelin 223.939 lekë apo 114% më shumë se sa në vitin 2000. Nëse do të supozohej një familje mesatare prej 4 personash, në vitin 2010 borxhi publik që do t’i takonte kësaj familjeje do të ishte 895.755 lekë. Ndërkohë, duhet theksuar se jo e gjithë popullsia është taksapaguese (për shembull popullsia 0-14 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, etj) dhe kontribuese e drejtpërdrejtë në shlyerjen e borxhit, që do të thotë se shuma e borxhit për taksapaguesit është akoma më e lartë. Viti 2011 shënon një kthesë të rëndësishme në shumën e borxhit për frymë, pasi rezultatet paraprake të censusit japin një popullsi prej 2.831.741 personash apo rreth 11% më pak, referuar shifrave të INSTAT-it për popullsinë, të vitit 2010.

Kjo ka shkaktuar një rritje të lartë të borxhit për frymë, pasi tashmë, në shlyerjen e stokut të borxhit janë duke kontribuar më pak shqiptarë. Në vitin 2011, stoku i borxhit, sipas Buletinit të Treguesve të Borxhit të Ministrisë së Financave, arriti nivelin 772.548.000.000 lekë apo 272.817 lekë për frymë. Për vitin 2012, duke supozuar të njëjtin nivel popullsie si në vitin 2011, borxhi për frymë pritet të arrijë 291.588 lekë apo 1.166.352 lekë për një familje mesatare prej 4 personash. Borxhi për frymë është një tregues, që llogaritet si raport i borxhit total publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit (i cili ende nuk është shlyer) me popullsisë e atij vendi.

2011, BORXHI PUBLIK, 7.4 MILIARDE USD
Borxhi publik i Shqipërisë rritet 3-4 herë më shpejt se sa rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe, sipas statistikave më të fundit zyrtare, në fund të vitit të kaluar ka arritur në shifrën rekord prej 7.4 miliardë dollarësh amerikanë. Në raportin tremujor të ministrisë së Financave, që u publikua dje, vihet në dukje se ky borxh ka kaluar në 772 miliardë lekë, nga 715 miliardë në vitin 2010, me një rritje në masën 8 për qind. Në vitin 2009, kjo shifër ishte në nivelin 682 miliardë lekë dhe në periudhën njëvjeçare 2009-2010 rritja e këtij borxhi ishte 5 %. Sasia nominale e borxhit është rritur brenda 12 muajve të vitit të kaluar me 41 mln euro.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet