Armë, drogë, para cash, automjete dhe pajisje elektronike janë sekuestruar gjatë një operacioni të shtrirë në disa qytete të Kosovës, ku pesë persona përfunduan në pranga nën dyshimin për përfshirje në grup kriminal, trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Operacioni i koduar “White Star” u zhvillua njëkohësisht në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe me mbështetjen e Europol-it, si edhe autoriteteve të Belgjikës, Francës dhe Holandës.
Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit special. Ata dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrim parash.
Gjatë kontrolleve të kryera në disa lokacione, autoritetet sekuestruan 6 armë zjarri, 5 karikatorë dhe 239 fishekë. Po ashtu u gjetën 9.67 gramë kokainë dhe 35.18 gramë fara të llojit marihuanë.
Në listën e materialeve të sekuestruara përfshihen edhe 25 telefona celularë, 10 kompjuterë, 13 USB, një DVR, 16 ora dore dhe 7,595 euro para të gatshme.
Një pjesë e rëndësishme e aksionit ishte edhe sekuestrimi i 10 automjeteve dhe një motoçiklete, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e grupit që po hetohet.
Autoritetet kosovare bënë të ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe është monitoruar në terren nga përfaqësues të Europol-it, si dhe nga autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Francës dhe Holandës.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës deklaruan se hetimet do të vijojnë, ndërsa theksuan angazhimin për goditjen e grupeve kriminale dhe luftën kundër trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Policia ka bërë të ditur se nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, është duke zhvilluar një operacion në disa lokacione në kuadër të luftimit të krimit të organizuar.
Sipas autoriteteve, operacioni lidhet me dyshimet për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike dhe përfshin hetime për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “pastrimi i parave”.
Në këtë aksion, siç bëhet e ditur, krahas institucioneve vendore, po marrin pjesë edhe përfaqësues të EUROPOL-it dhe autoriteteve ligjzbatuese nga Belgjika, Franca dhe Holanda.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se pas përfundimit të operacionit, do ta informojnë opinionin publik për rezultatet përmes një komunikate të përbashkët. /KosovaPress/
Komente





