TIRANE-Tre persona janë prangosur në kryeqytet në kuadër të operacionit 'Lapraka', mes tyre një 34 vjeçare, ndërsa janë sekuestruar heroinë, kokainë, një automjet, një motor, dorezë metalike dhe aparate celularë. Tre të arrestuarit janë; A. D. 25 vjeç, A. K. 45 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë, me pasojë vdekjen dhe F. Q. 34 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Sipas policisë, në rrugën “Teodor Keko” është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke qarkulluar me mjet 25 vjeçari me inicialet A.D. Gjatë momentit të ndalimit për kontroll nga shërbimet e policisë, ai ka hedhur në tokë një qese brenda të cilës ndodheshin 25 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Duke qenë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll dhe në apartamentin e tij dhe janë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e dyshuar heroinë, 20 doza. Në vijimësi të operacionit janë lokalizuar në rrugën e “Durrësit” dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të tij, A.K. dhe F.C. Nga kontrolli fizik A. K. iu gjetën dy doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, ndërsa F.C. iu gjet në çantën e dorës një qese me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Janë sekuestruar:
- 51.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë
- 47 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë
- 10.3 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë
- peshore elektronike
- mjet motor
- aparate celularë
- automjet