Sipas Agjencisë KosovaPress, në njoftimin e dërguar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bën të ditur se, lidhur me këtë rast, në qershor të vitit 2014, ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve kundër: G.Sh., F.A., L.B., B.P., A.H., A.B., N.Z., D.G., Nj.G., E. M., M.A. dhe R.E.. Disa prej personave të ndaluar janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë.
Për këta të pandehur ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik nr.04/L-042, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private: Internacional Medicine Hospital, më seli në Prishtinë dhe INTERMED sh.p.k. më seli në Prishtinë, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.
Me këto veprime të pandehurit ua kanë mundësuar spitaleve private Internacional Medicine Hospital (IHM) sh.p.k. dhe INTERMED sh.p.k. përfitimet materiale, duke ua paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.02/2012. Po ashtu në vend të pagesave prej 70% të shumës për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore, kanë paguar deri në 100% të këtyre shpenzimeve, për këto trajtime shëndetësore, duke përfshirë edhe koronarografinë, edhe pse koronarografia kryhej edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të lartpërmendura, ndërsa zyrtarët e klinikave u kanë dhënë ryshfet atyre, për t'i dërguar pacientët në klinikat e tyre. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë licencë për kryerjen e ndërhyrjeve mjekësore në zemër, të cilat i kanë kryer.
Me këtë të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprat penale:
· "Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", nga neni 283 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
· 'Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar", nga neni 422 par.1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 dhe 2.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
· "Marrje e ryshfetit", nga neni nga neni 428 paragrafi. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
· "Dhënie e ryshfetit", nga neni 429 paragrafi. 3 lidhur më paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
· "Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike", nga neni 262 paragrafi. 1 lidhur më nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj nëntë personave të arrestuar dhe do t'i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kërkesën për caktimin e paraburgimit prej një muaji për të nëntë të ndaluarit.
ATSH