Ushtria amerikane ka goditur një tjetër anije në Oqeanin Paqësor Lindor që dyshohet se transportonte drogë, duke vrarë dy persona.

Komanda Jugore e SHBA-së tha se anija drejtohej nga organizata të caktuara terroriste dhe se asnjë forcë ushtarake amerikane nuk u lëndua në operacion.

“Inteligjenca konfirmoi se anija po kalonte tranzit përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e angazhuar në operacione të trafikut të drogës. Dy narko-terroristë u vranë gjatë këtij aksioni. Asnjë forcë ushtarake amerikane nuk u lëndua”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.

Sulmi i së enjtes është i dyti i kryer nga ushtria amrtikane këtë vit. Ritmi i sulmeve është ulur ndjeshëm që kur forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro në fillim të janarit, i cili është akuzuar nga administrata Trump se bashkëpunon me grupet e trafikimit të drogës.

Forcat amerikane kanë shënjestruar anijet që dyshojnë se kontrabandojnë drogë përmes Karaibeve dhe Paqësorit lindor që nga shtatori 2025. Të paktën 38 sulme vdekjeprurëse janë kryer gjatë kësaj kohe dhe 128 persona kanë vdekur.

Administrata Trump i ka justifikuar operacionet si pjesë të një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar që synon të ndalojë rrjedhën e drogës nga Amerika Latine në SHBA.