Zjarr dhe tym ngrihen nga favelat e Rios, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh. “Skena lufte”, tregojnë qytetarët në rrjete sociale dhe mediat lokale, duke përshkruar atë që ndodhi dje gjatë operacionit gjigant të nisur nga guvernatori Cláudio Castro, i Partisë Liberale të ish-presidentit Jair Bolsonaro, kundër grupit kriminal Comando Vermelho, një prej më të mëdhenjve dhe më të fuqishmëve në Brazil. Mbi 2.500 policë dhe pjesëtarë të forcave speciale kundër krimit të organizuar hynë në komplekset Alemão dhe Penha, ku jetojnë rreth 280 mijë njerëz. Të paktën 120 persona janë vrarë në përleshje, mes tyre katër policë, dhe mbi 80 janë arrestuar.

Rafale me mbi 200 të shtëna në minutë e kanë kthyer disa zona të Rios në një fushë të vërtetë beteje. Grupi kriminal iu përgjigj zjarrit të policisë me dronë të ngarkuar me granata, pushkë automatike të afta për të rrëzuar helikopterë dhe autobusë të marrë peng për të bllokuar rrugët hyrëse, ndërkohë që përmes WhatsApp-it qarkullonin mesazhe që detyronin banorët të merrnin pjesë në bllokada.

Operacioni shënon një ndryshim në mënyrën e përballjes midis forcave të sigurisë dhe fraksioneve kriminale në Rio: trafikantët e drogës përdorën dronë për të hedhur granata mbi skuadrat speciale, duke përdorur një detonator mekanik ose elektrik që lejon lëshimin e eksplozivit pa ndaluar fluturimin e dronit, në mënyrë që ai të mund të largohej pa u ekspozuar ndaj rrezikut.

Qëllimi i operacionit, i quajtur “Contención” (“Përmbajtje”), është ndalimi i zgjerimit territorial të Comando Vermelho, grupit më të madh kriminal në shtetin e Rio de Zhaneiros. Baza e tij kryesore është në favelat e qytetit, por ndikimi i tij shtrihet në mbarë Brazilin. Strategjia e grupit bazohet në një lloj “kombëtarizimi” të aktiviteteve: ai bashkëpunon me banda lokale në rajone të ndryshme dhe u ofron strehim trafikantëve nga shtete të tjera brenda komuniteteve që kontrollon në Rio. Udhëheqësi i tij – dhe personi më i kërkuar – Edgar Alves Andrade, i njohur si Doca da Penha, mbetet ende në arrati, edhe pse ndaj tij janë lëshuar njëzet urdhër-arreste për më shumë se njëqind vrasje.

Rreth 81 të dyshuar janë arrestuar, ndërsa 93 pushkë dhe më shumë se gjysmë ton droge janë sekuestruar, ka deklaruar qeveria e shtetit, duke shtuar se viktimat “kanë rezistuar ndaj ndërhyrjes së policisë”. Operacioni është një nga më të dhunshmit në historinë e fundit të Brazilit, dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar hapjen e hetimeve për vdekjet. Operacionet çuan në mbylljen e 45 shkollave, pezullimin e shërbimeve shëndetësore dhe devijimin e linjave të transportit publik.

“Është një operacion i shtetit kundër narkoterroristëve,” deklaroi Castro, duke kërkuar mbështetjen e qeverisë federale dhe duke denoncuar izolimin e Rios. Në orët në vijim, ministrat e Zyrës Civile, Rui Costa, dhe të Drejtësisë e Sigurisë, Ricardo Lewandowski, do të mbërrijnë në qytet për t’u takuar me guvernatorin, pas një mbledhjeje urgjente në Pallatin Planalto, të thirrur nga presidenti në detyrë Geraldo Alckmin. Presidenti Lula, që po kthehet nga Malajzia, ka pranuar kërkesën për ndihmë të Costës.

Zyrtarët e qeverisë së Luiz Inácio Lula da Silva mendojnë se deklaratat e guvernatorit të Rios, Cláudio Castro, sipas të cilit kriza e sigurisë vjen nga mungesa e mbështetjes federale, janë një manovër politike për të parapërgatitur fushatën për zgjedhjet e ardhshme.

Sot, qyteti është i mbuluar nga një heshtje e çuditshme, shkruajnë mediat lokale. Disa banorë kanë transportuar rreth 40 trupa në sheshin São Lucas, në rrugën José Rucas, duke e rritur numrin e mëparshëm të viktimave nga 60 në 100 e më shumë. Kufomat mendohet të jenë sjellë nga zona pyjore e Vacaria, në Serra da Misericórdia, ku dje ndodhën përplasjet më të ashpra. Banorët afrohen me radhë për të ngritur mbulesat dhe për të identifikuar viktimat. Sipas dëshmitarëve, mund të ketë ende trupa për t’u gjetur, gjë që mund ta bëjë bilancin e vdekjeve shumë më të lartë se sa është raportuar deri tani.

 

// La Repubblica