ITALI - 202 persona janë arrestuar në operacionin kundër organizatës kriminale ‘Ndrangheta’ ndërsa 254 të tjerë janë nën hetim. Operacioni u zhvillua në qytetin e Kozencës, në kordinimin e prokurorisë së Katanzaros. Sipas mediave italiane, janë dhënë masat e sigurisë për të arrestuarit, nga të cilët 139 janë lënë në burg, 50 në arrest shtëpie dhe 12 në detyrim paraqitje. Mes të arrestuarve është dhe kryebashkiaku i qytetit Rendes, Marcello Manna dhe dy këshilltarët Francesco De Cicco dhe Pino Munno.

Prokuroria ka vendosur arrest shtëpie për qytetarin e parë të Rendes, ndërsa nuk është bërë me dije se cilat janë akuzat që rëndojnë mbi të, apo lidhja që ka Mana me organizatën mafioze, që u godit nga prokuroria e Katanzaros. Mësohet se pjesë e të ndaluarve është dhe drejtori i urbanistikës së qytetit, Françesco De Çiço dhe drejtuesi i punëve publike Pino Munno.

Hetimet janë zhvilluar në një periudhë nga viti 2017 deri në nëntor 2021 përmes përgjimeve, ndjekjes, videofilmave, përgjimeve elektronike dhe deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, shkruajnë mediat italiane.

Krimet e kontestuara janë shoqata e tipit mafioz, zhvatje, fajde, ushtrim abuziv i kredisë, dëmtim, krime në lidhje me armët dhe municionet, krimet kundër personit, kundër pronës, kundër administratës publike, trafikimi i drogës, pastrimi i parave, ripërdorimi i parave në veprimtari ekonomike, regjistrim fiktive të pasurisë, shkëmbim elektoral politiko-mafioz, të rënduara nga qëllimet e lehtësimit mafioz.

Është zbatuar edhe një urdhër urgjent për sekuestrimin e të pasurive të paluajtshme, kompanive, shoqërive tregtare, pasurive të luajtshme të regjistruara, që u atribuohen shumë të dyshuarve, në vlerë mbi 72 milionë euro.