Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar pas operacioneve që Policia e Shtetit ka zhvilluar dje në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam. Me anë të një statusi në Tëitter, Xhafaj shkruan se operacioni Forca e Ligjit ka goditur një nga grupet më të rrezikshme kriminale në veri të Shqipërisë. Xhafaj njofton se detajet e operacionit do të bëhen publike sot në orën 10:00.

Reagimi i ministrit Xhafaj:

Një tjetër super-aksion policor në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” nga ana e Task Forcës Speciale Qendrore së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Operacioni “Forca e Ligjit” goditje ndëshkuese njëkohësisht në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam (Holandë), me disa të arrestuar për një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit. Detajet në Konferencë për media, sot në 10.00, në Policinë e Shtetit.

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit i ndarë në Shkodër e Tiranë është finalizuar me arrestimin e disa personave, mes tyre Safet Bajrin. Safet Bajri është arrestuar në Tiranë së bashku me tre persona të tjerë në zonën e ‘Xhamllikut’, ndërkohë që Report Tv ka mësuar se pas kontrolleve në Shkodër janë arrestuar familjarë dhe lidhje të Bajrit. Gjatë operacionit janë sekuestruar drogë dhe armë, por ende nuk dihen detaje. Sipas burimeve të Shqiptarja.com mësohet se Bajri është arrestuar për hesap të drejtësisë shqiptare, pasi është i akuzuar për gjobëvënie. Safet Bajri u bë i njohur në vend pas një artikulli të mediave belge ku Bajri përshkruhej si një nga njerëzit më të kërkuar në Belgjikë.