Moment nga operacioni 'Icaro' në Itali
SPAK dhe Prokuroria e Brescias japin detajet zyrtare të finalizimit të operacionit të koduar "ICARO", kundër një organizatë kriminale të trafikut të kokainës, që drejtohej nga i dyshuari Suel Çela.
Konfirmohet se nën hetim dhe të dyshuar janë në total 40 persona, teksa janë ekzekutuar sot (21 Janar) edhe 12 masa "arrest me burg" dhe 8 masa të marrjes në pyetje të personave. Gjithashtu shpjegohet se goditja erdhi pas zbërthimit të telefonave të enkriptuar të platformave të koduara si SKY ECC.
Veprimtaria kryhej në zonat veriore të Italisë kryesisht, trafiku bëhej me makina, droga sillej nga Amerika e Jugut dhe marrëveshjet e biznesit mes Dubait dhe aksit Kolumbi-Ekuador. Fitimet e drogës silleshin me autobusën e linjës Breshia-Elbasan nga organizata.
Njoftimi i SPAK për operacionin:
"Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”.
Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut.
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë.
Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B., (Shkëlqim Pashja, Igli Dervishi, Ervin Dema, Edmond Zhuja, Genti Berisha). Ndërsa arrestimi i M.M., (Metin Mehja) nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim. Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u regjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., (Gerardo, allias Astrit Pashja) dhe Sh.P. (Shkëlqim Pashja). Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobusëve të linjës Brescia – Elbasan.
Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë".
Lajmi kryesor: