Trafik droge në Shqipëri e Itali, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të 15 shqiptarëve: Llogari bankare, 25 subjekte tregtare, 43 makina e 18 prona! U arrestuan në dosjen 'Muratori'

Tirane- Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të 15 prej 65 shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar ‘Muratori’ ndërmarrë në shkurt të këtij viti kundër trafikut të drogës në shkurt të këtij viti.

Bëhet fjalë për shkatërrimin e 4 grupeve kriminale pjesë e një rjeti që trafikonin heroinë, kokainë, hashash  drejt Italisë, kryesisht në Firence por që kishin shtrirje dhe në shtete të tjera të Europës.

SPAK  ka identifikuar dhe më 25 tetor 2024 i ka kërkuar GJKKO-së konfiskimin e pasurive për: Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre.

“Pasuritë e paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali’ informoi sot SPAK.

Ndër të tjera SPAK kërkon konfiskimin e 25 subjekteve tregrare, si sh.pk Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik), konfiskimin e aksioneve në 6 shoqëri aksionere, 18 pasurive të paluajtshme, 47 makina dhe motomjete, si dhe llogari bankare.

Shqiptarja.com zbardhi dhe rolet e disa prej shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit të ndërmarrë pas hetimeve të drejtorisë së antimafias italiane në Firence në bashkëpunim dhe me SPAK, Eurojust e Europol

Njëri grup, siguronte kokainën në Holandë ndërsa hashashin dhe marijuanën në Spanjë dhe Shqipëri për ta shitur në tregun italian. Grupi, sipas dosjes, drejtohej nga Kledjon Muçollari ndërsa bashkëpunëtori i tij i ngushtë ishte Ervis Vangjeli. Në dosjen e antimafias thuhet se ky grup aktivitetin e tyre kriminal e kanë kryer në Firence nga dhjetori 2019 deri në nëntor 2021.

Grupi përbëhej nga Kledjon Mucollari, Elvis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Ganna Chaplygina, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Klisman Cepele dhe Melei Yasmine e de mel.

Kledjon Muçollari akuzohet si organizatori koordinator dhe drejtuesi. Ai merrej me sigurimin e kokainës në Holandë, hashashit dhe marijuanës në Spanjë dhe Shqipëri, duke mbajtur kontakte me furnizuesit e këtyre drogave dhe importimin e mëpasshëm në Itali, duke marrë pjesë gjithashtu në rishitjen e mëvonshme në Itali. Altin Ymeraj, Mark Lisi dhe Ani Kuçi dhe Klisman Çepeli ruanin lëndën narkotike nëpër banesat e tyre, ndërsa Melei Yasmine e de mel e ruante tek garazhi i gjyshes së vet. Veç arrestimeve anëtarëve të grupeve kriminale u ishin sekuestruar dhe pasuritë e vendosura në Shqipëri mes tyre 200 llogari bankare dhe 30 shoqëri tregtare e 18 pasuri të paluajtshme, u mësua në konferencën e përbashkët për shtyp mes autoriteteve italiane e shqiptare të 5 shkurtit 2024. Në atë konferencë u mësua se operacioni 'Muratori' kishte çuar  në sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro. Ndërsa në Shqipëri ishin sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.  Lexoni me shume

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të 15 shqiptarëve dhe familjarëve të tyre
 1- Fael Muka
 2- Xhulio Kastrati
 3- Kledjon Mucollari
 4- Ervis Vangjeli
 5- Kristian Ibrahimaj
 6- Alban Mahilaj
 7- Klaudia Sulejmani
 8- Besmir Selamaj
 9- Altin Ymeraj
10- Mark Lisi
11- Ani Kuci
12- Daniel Elezi
13- Erando Mara
14- Indrit Kolgjokaj
15- Endri Sercan
 Pasuritë që kërkohen të konfiskohen në favor të shtetit
-43 (dyzetetre) automjete
-4 (katër) motomjete
-18 (tetëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme
-25 (njëzetepesë) subjekte tregtare si; SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik)
-6 (gjashtë) shoqëri aksionere – konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre
-Llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.

Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin pasuror nr.02 datë 26.01.2024, në ngarkim të shtetasve Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe personat e tjerë të hetuar në kuadër të këtij hetimi penal si dhe familjarëve të tyre.

Nga aktet e administruara rezulton se në datë 19.10.2021, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është regjistruar procedimi penal nr. 270 i vitit 2021, për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 287 e 333/a të Kodit Penal.

Pas shkëmbimit të të dhënave mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës së Firences, Seksioni Antimafia, Itali, me ndërmjetësimin e Eurojust është dakortësuar për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore. Në vijim është firmosur marrëveshja për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës së Firences, Seksioni Antimafie, Itali.

Nga aktet hetimore rezulton se nga autoritetet italiane të drejtësisë dhe konkretisht të Prokurorisë së Firences dhe nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, janë administruar të dhëna për disa shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilët veprojnë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e saj në Itali. Gjithashtu nga hetimi janë administruar të dhëna se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga aktiviteti kriminal i pjesëtarëve e këtij grupi kriminal janë investuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të këtij hetimi të përbashkët JIT, në datë 05.02.2024, është ndërmarrë operacioni “Muratori” në disa shtete nën koordinimin e Eurojust, Prokurorisë së Republikës së Firences dhe Prokurorisë së Posaçme dhe janë ekzekutuar 92 masa sigurimi personal, 65 prej të cilave për shtetas shqipëtarë si dhe janë dokumentuar të gjitha pasuritë e këtyre shtetasve në Republikën e Shqipërisë.

Pasuritë e identifikuara në pronësi të shtetasve; Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre, të paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali.

Në kushtet kur pasuritë objekt kërkese për konfiskim janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenet 3, 7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” – i ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore i kërkon me datë 25.10.2024 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si vijon: 

1. Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë: 

  1. 43 (dyzetetre) automjete
  2. 4 (katër) motomjete
  3. 18 (tetëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme
  4. 25 (njëzetepesë) subjekte tregtare si; SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik)
  5. 6 (gjashtë) shoqëri aksionere – konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre
  6. Llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ligji: 27/10/2024 15:52

    SPAK duhet te konfiskoje edhe pasurite dhe bizneset kriminale te mafiozit nga Tepelena, Hetem Barjami i cili ka lidhje te ngushte dhe mbrijtje nga dupeteti palaco Toni Gogu dhe personi problematik Laert Duraj. SPAK duhet me patjeter te investigoje kete aktivitet kriminal!

    Përgjigju
  • Mara emigrante në Itali: 27/10/2024 11:32

    Në këto momente qytetarët po protestojnë në portin e Durrësit kundër mbetjeve të rrezikshme. Ku i keni lajmet o media e pavarur e narkoshtetit?! Kjo quhet çensurë

    Përgjigju
  • Bledi: 27/10/2024 11:20

    Kjo shkreda si leter bakalli. Si thote: ka regjistruar procedimin ne 2024 nga ku rezulton se ka pas regjistru procedimin ne 2021(?) dhe nga bashkpunimi me antimafien italane eshte mesu mbi aktivitetin e trafikanteve(?) dhe ka fut emrin muratori per arrestet ndaj ketyre boterve shqiptare dhe kerkiar gjykates konfiskim pronash e pasurish pa kerkuar me pare sekuestro (?). Do jete ndonje taktike e re kjo ose cudi e mesme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë