Pas ndërprerjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Sarandës më 29 maj, për shkak të protestës së pronarëve të mjeteve ujore në Ksamil, këshilli, në dakordësi me këtë grup interesi, hartoi dhe miratoi në mbledhjen e 1 qershorit gjashtë vendbazime për mjetet ujore në Ksamil.

Megjithëse ka kaluar një javë nga miratimi i vendimit dhe fluksi turistik ka nisur intensivisht, në Ksamil ende nuk janë marrë masat për vendosjen e tapave dhe sinjalistikës për mjetet ujore. Pronarët e këtyre mjeteve protestuan sot para Bashkisë Sarandë, pasi sipas tyre jo vetëm që po vonohet zbatimi i vendimit, por ka edhe tentativa nga ana e bashkisë për të mos e zbatuar atë dhe për t’i zhvendosur vendbazimet në zona të papërshtatshme për aktivitetin e tyre.

“Ne kemi po të njëjtin problem. Momentalisht na është ofruar diçka tjetër dhe na është prezantuar diçka tjetër. Na është mbyllur komplet zona e Ksamilit me tapa, nuk na lejojnë të futemi në korridoret e përcaktuara nga Bashkia. Çdo gjë që na është premtuar dhe dërguar me hartë nuk është zbatuar. Përkundrazi, na kanë mbyllur çdo territor të mundshëm që të hyjmë legalisht dhe të marrim klientët e turistët. Ajo që është dakordësuar nuk është vënë në zbatim”, tha një prej protestuesve.

“Kërkesat tona janë që të zbatohet vendimi i fundit i Këshillit, i cili na ka lënë gjashtë korridore ku mund të hyjmë, të dalim dhe të marrim klientë. Një e treta e turistëve në Ksamil duan të eksplorojnë dhe të vizitojnë plazhe të tjera. Neve na është bërë e pamundur t’i marrim. Na kanë çuar të punojmë në një mol të papërfunduar dhe të pamarrë ende në dorëzim nga bashkia. Aty nuk hipën dot askush. Duam një vendim zyrtar dhe kemi të drejtat tona. Nuk mund të marrin një vendim sipas dëshirës dhe të na prishin punën”, u shpreh një tjetër.

“Qeveria duhet të na plotësojë kushtet bazike që të sigurojmë mjetet, të ngarkojmë klientët dhe më pas të urdhërojë bllokimin me tapa. Duhej të na ishte përcaktuar më parë se ku janë territoret tona për ngarkim dhe shkarkim. Janë mbi 100 operatorë që kanë nga 2 deri në 3 mjete secili”, tha një tjetër protestues.

Pas një pritjeje të gjatë, protestuesit vendosën të hynin në zyrat e bashkisë duke kërkuar takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të institucionit. Rreth 30 persona hynë zyrë më zyrë në kërkim të zyrtarëve, duke kërkuar sqarime për situatën.

Pas takimeve, ata dolën nga ambientet e bashkisë me premtimin se problemi do të trajtohet nesër. Sipas tyre, në Ksamil do të jetë personalisht kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, së bashku me përfaqësues të tjerë, për të diskutuar zgjidhjen e kërkesave dhe zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak.

Pronarët e mjeteve ujore kanë paralajmëruar se nëse problemi nuk zgjidhet, nesër do të bllokojnë dyert e Bashkisë Sarandë.