Tarifat shumë të larta aeroportuale të aplikuara nga kompania koncesionare TIA po bëjnë që shqiptarët të përballen me çmimet më të larta të fluturimeve në Evropë. Operatorët turistikë konfirmojnë për Report Tv, se biletat për destinacionet drejt Italisë, si Romë, Milano apo Bolonja, kushtojnë edhe më shumë se 500 euro vetëm vajtje.
 
Shkak për të cilin shumë shqiptarë, zgjedhin të nisen nga aeroportet fqinje, por edhe të bëjnë disa transite, gjë që përsëri i garanton çmime më të ulëta udhëtimi se nga ato të Aeroportit "Nënë Tereza".

"Bëhet fjalë që vajtjet në Itali të cilat janë të shtrenjta, jo duke filluar thjesht tani, por duke filluar nga data 5-10 gusht e më pas, do të jenë të shtrenjta", u shpreh një prej operatorëve turistikë. 

"Çmimet kanë arritur një mesatare më të lartë se vitet e tjera. Në sezonin e verës kanë arritur një mesatare deri në 500 euro drejt Italisë. Preferojnë më shumë që të zgjedhin fluturime dyshe ose treshe, ose zgjedhin kompani që të bëjnë tranzite më të gjata, për një çmim më të ulët, sepse fluturimet e afërta, Shqipëri-Itali që janë një distancë e vogël, janë shumë të largëta se distancat e mëdha", shprehet një tjetër operator turistik.   
 
Duket se është një trajtim që u rezervohet vetëm udhëtarëve shqiptarë, megjithëse me 1 një të 4-ën e popullsisë jashtë kufijve, Shqipëria ofron tregun më të madh të fluturimeve në rajon.
 
Ndërkohë që si për ironi të çdo shqiptari, të udhëtosh nga Roma drejt Parisit apo Berlinit, bileta kushton diçka më shumë se 100 euro.
 
Në të njëjtën kohë në Bari, bileta e udhëtimit drejt Dyseldorfit kushton vetëm 36 euro. Dhe operatorët turistikë ia faturojnë përgjegjësinë çmimeve të larta të koncesionarit të Rinasit. "Këto rritje çmimesh janë nga rritja e tarifave prej koncensionit të Rinasit. Ka tre shqetësime. Shqetësimi i parë ëshët se aroporti i Rinasit vijon të mbetet më i shtrenjti në rajon dhe Europë, shqetësimi i dytë është karburanti për kompanitë ajrore që në Tiranë vijon të mbetet më i shtrenjti në rajon dh Europë dhe shqetësimi i tretë janë taksat e aeroportit të Tiranës vazhdojnë të jenë më të larta në rajon", theksojnë operatorët turistikë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com