TIRANE - Komisioni i Medias mbylli seancën e sotme duke mos vendosur për emrat e Këshillit drejtues të RTSH-së, për shkak se opozita sërish nuk solli listën e propozimeve prej 20 emrash.
 
Nënkryetari i këtij komisioni Alfred Peza u shpreh për median se kemi të bëjmë me një bllokim të rrjedhës së punës nga përfaqësuesit demokratë, me qëllim zvarritjen e procesit të ristrukturimit të RTSH-së.

“Siç e patë në seancën e sotme opozita vazhdon me strategjinë e bllokimit të reformave, bllokimit të zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese të institucioneve të rëndësishme, një prej të cilëve është dhe RTSH, i cili është i bllokuar prej disa vitesh pasi edhe 10 anëtarëve të këtij këshilli edhe kryetarit të këshillit drejtues por edhe drejtori i RTSH nuk janë në detyrë për shkak se ose i kanë përfunduar mandatet ose kanë dhënë dorëheqjen. Opozita prej 1 jave kishte kohë të sillte listën e saj të kanditëve që mbështeste në këtë proces dhe çuditërisht sot sërisht vazhdojnë me strategjinë që nuk e kemi listën gati pra vazhdojnë me strategjinë e bllokimit të reformave të institucionit”, tha Peza.

Anëtarët e Komisionit të Medias, do të përzgjedhin mes emrave që vijnë nga fusha të ndryshme. Nga totali i emrave të cilët kanë shprehur interesin për këtë pozicion, do të përzgjidhen 10 anëtarë të cilët do të plotësojnë vendet vakante në KDRTSH.

Kriteret në të cilat do të bëhet përzgjedhja e anëtarëve janë përcaktuar nga ky komision dhe në fund kandidatët e përzgjedhur mes palëve do të propozohen për miratim në seancën plenare.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)