Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se raportet e DASH dhe KE për Shqipërinë po përdoren nga opozita për t’u pasqyruar si dështim i Shqipërisë. Sipas Ibrahimajt, opozita përdor fragmente nga raportet të cilat i nxjerr nga konteksti që më pas të krijojë përshtypjen e regresit.
“Në thelb, për të dy raportet, qëndrimi i opozitës është i njëanshëm. Ata marrin pjesë kritike të raporteve, i shkëpusin nga konteksti, i amplifikojnë politikisht për të krijuar përshtypjen se Shqipëria ndodhet në regres ekonomik, institucional dhe politik. Kjo nuk është ajo që raportet thonë. Të dy raportet janë profesionale dhe të balancuara. Ato evidentojnë sfida në qeverisje dhe vetë qeveria nuk i mohon këto sfida. Pasja e sfidave është normale për çdo vend kandidat në BE. Ajo që bën opozita është diçka tjetër. Ajo përpiqet t’i marrë rekomandimet dhe jo t’i paraqesë ato si komente konstruktive, por si dështim i Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, raportet përmbajnë një sërë treguesish pozitivë në fushën e ekonomisë çka në të vërtetë hedh poshtë pretendimet e opozitës.
“Vetë raporti që opozita e përdor si raport për të paraqitur dështimet e ekonomisë, identifikon sukseset e ekonomisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Ministrja nuk mohoi edhe sfidat që evidenton progresraporti dhe tha se duhet punuar më tepër. Por, nënvizoi Ibrahimaj, nuk flitet për ngecje të procesit, vetëm për rekomandime.
“Progresraporti identifikon edhe fusha në të cilat ne duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi si shteti ligjor, aksesi në financë, mirëadministrimi i ndërmarrjeve shtetërore apo rritja e produktivitetit në fusha si bujqësia dhe kjo është ajo që duhet bërë, jemi duke hartuar politika. Progresraporti konfirmon avancimin historik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Nuk shoh në asnjë vend bllokim të negociatave, punë të keqe të qeverisë. Shoh rekomandime për punë më të mirë në disa elementë, sektorë, pjesë të qeverisjes ku duhet të punojmë sepse procesi i integrimit europian ka të bëjë me reformim ligjor, institucional, ekonomik dhe të gjitha këto reforma shkojnë në drejtim të uljes së korrupsionit, rritjes së mirëadministrit dhe përparimit të shqiptarëve drejt tregut të përbashkët europian”, përmbylli Ibrahimaj.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm











