Opozita kërkon komisione për 'tërmetin' dhe ish-të përndjekurit, Balla: Bota po flet për pandëshkueshmërinë e Bashës për lobimin (VIDEO)

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në nisje të sesionit të ri parlamentar, komentoi edhe shkrimet në disa media ndërkombëtare lidhur me cështjen e lobimit të PD-së në SHBA, por gjykata e pushoi dosjen për Lulzim Bashën. Balla u shpreh se mediat i kanë kushtuar vëmendje kësaj cështje për shkak të pandëshkueshmërisë së lideri demokrat. I pyetur për faktin që shkrimi i publikuar dje nga BILD lidhur me këtë cështje nuk gjendet më në faqen online, Balla tha se nuk ka asnjë koment.

Shkrimi i fshirë nga BILD

"Partia Socialiste nuk ka asnjë qëndrim nëse është fshirë apo është lexuar një shkrim në një media të caktuar. Janë pafund mediat botërore që kanë shkruar për këtë çështje. Ka shkruar “New York Times”, “The Times”, “The European”, “Mother Jones”, “Herald Tribune” e të tjera, për një çështje që edhe tani që flasim nëse hyni në websajtin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë do të gjeni të publikuara të gjitha kontratat. Arsyeja e intensifikimit të vëmendjes nga mediat e mëdha botërore për këtë çështje është pandëshkueshmëria. Ne të gjithë e dimë se para pak ditësh është publikuar një vendim gjykate, sikurse shkruante “The Times”, e cila i dha pandëshkueshmërinë Lulzim Bashës për një çështje që është e qartë si drita e diellit.

Pra, në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë janë publikuar kontrata që mbajnë firmën e Lulzim Bashës, numrin e pasaportës së tij diplomatike dhe shumat që lobuesi ka marrë në emër të Lulzim Bashës nga Partia Demokratike.  Pozicioni im personal dhe jo vetëm për këtë çështje është shumë i qartë: Lulzim Basha ka gënjyer publikun shqiptar. Kujtoj këtu se keni qenë ju mediat që keni transmetuar live në sytë e publikut shqiptar Lulzim Bashën, i cili thoshte se 500 mijë dollarë i kishte mbledhur nga 100 dashamirës shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas tha se nuk i kam paguar, edhe gjyqtari tha po ashtu. Unë po ju them se nuk është vetëm një, por janë disa gazeta të mëdha botërore, të cilat shkruajnë për këtë çështje. Unë do të ri-postoj në “Facebook-un” tim çdo shkrim që “vë gishtin në një plagë”.

Është në nderin e Partisë Demokratike, jo të Lulzim Bashës, që të shpjegojë arsyen se përse emri i saj gjendet në listat e Departamentit Amerikan të Drejtësisë për shumat përkatëse. Hyni në “fara.gov” dhe i keni një për një, të gjitha këto deklarime. Ajo që është shumë e rëndësishme dhe e ri-theksojmë, se në kuadër të një reforme të rëndësishme që ne po ndërmarrim, duhet domosdoshmërisht, pa humbur kohë, të forcojmë të gjithë legjislacionin që lidhet me financimin e partive politike. Financimi i partive politike duhet të jetë transparent. Ajo që ka ndodhur me rastin e përfshirjes së një kompanie offshore si “Biniada Trade” që ka marrë përsipër të paguajë në emër të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike tek një lobist, në dëm të Shqipërisë, është e pandryshueshme. Nuk ka rëndësi e publikon një media, apo e heq një media. Ky është një lajm i publikuar në sajtin e një institucioni zyrtar. Fakti për regjistrimin e agjentëve të huaj, siç është FARA, që detyron çdo qindarkë që hyn në SHBA të deklarohet përmes deklarimeve që agjentët e huaj paguajnë tek një lobist amerikan, është i pakundërshtueshëm. “The Times”, që ka kryer një investigim të plotë, flet për faktin se “Biniada Trade” ka qenë një kompani që ka pasur një kapital prej vetëm 100 paundësh ka bërë pagesa të mëdha në favor të Partisë Demokratike. Duke e ritheksuar edhe një herë domosdoshmërinë dhe detyrimin që ka, Partia Demokratike duhet të sqarojë arsyen, se përse emri i saj gjendet aty. Lulzim Basha ka dy vite që nuk thërret një konferencë të jashtëzakonshme për të sqaruar këtë çështje" tha Balla.

Ndërkohë që opozita parlamentare ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e dy komisioneve parlamentare. Kryetari i partisë Balli Kombëtar Artur Roshi ka kërkuar ngritjen e një komisioni për dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit, ndërsa komisioni i dytë që ka kërkuar opozita lidhet me ndërtimet për tërmetet tragjik. Balla tha se njëra nga kërkesat per komision bie ndesh me Kushtetutën. "Për të qenë korrekt me pyetjen tuaj është diskutuar për ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme të kërkuara nga deputetë të opozitës. Dua të them se njëra prej kërkesave bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit për shkak se Kuvendi i Shqipërisë e ka një komision për të gjitha kërkesat e tyre, sikurse është Komisioni i Veprimtarive Prodhuese.  Dua të them se gjatë këtij viti, gjatë këtij sesioni parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë do të përmirësojë shumë çështje të legjislacionit shqiptar për të garantuar sa më shumë siguri për të gjitha ndërtimet në Shqipëri dhe sa më shumë kontroll të vazhdueshëm të garancisë së ndërtimit për ti dalë përpara çdo lloj problematike. Lidhur me kërkesën tjetër, ajo është një kërkesë që miratohet automatikisht për shkak se është parashikuar në ligj. Pra, është shumë e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë në mënyrë të vazhdueshme një monitorim për zbatimin e ligjit për shpërblimin e të gjithë ish-të përndjekurve politike" tha ai. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë