Rregullorja e re e Kuvendit, që ndau 7 me 4 drejtimin e komisioneve parlamentare, pritet të sjellë përplasjen e radhës me socialistëve e demokratëve të hënën, kur do duhet që të plotësohen anëtarët. Konferenca e Kryetarëve është thirrur nga kryeparlamentari në kushtet kur PD jo vetëm ka paralajmëruar të çojë në Kushtetuese ndryshimin e njëanshëm të rregullores, por kërkon edhe mocionin për shkarkimin e Peleshit për seancën pa debat të votëbesimit të qeverisë.
***
Ende pa u zbutur irritimi i demokratëve ndaj mazhorancës e cila miratoi e vetme komisionet e reja parlamentare, kreu i Kuvendit Niko Peleshi, u kërkon palëve të mblidhen për të plotësuar karriget bosh të anëtarëve të 11 komisioneve të përhershme, në mënyrë që ato të nisin punën.
Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e Konferencës së Kryetarëve të hënën në orën 11:00 me rendin e ditës “Miratimin e listës së anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Kjo lëvizje pritet të rikthejë debatet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila me gjasë nuk do t’i dërgojë emrat nga radhët e saj pasi kundërshton ndryshimin e njëanshëm të rregullores së Kuvendit që çoi në ndarjen 7 me 4 të komisioneve të përhershme.
PD i ka caktuar drejtuesit e 4 komisioneve parlamentare që i takojnë asaj dhe nënkryetarët e atyre që drejtohen nga mazhoranca, por këto emra nuk janë votuar pasi selia blu nuk i dërgoi zyrtarisht në Kuvend.
Miratuar në seancë plenare, janë vetëm emrat e kryetarëve dhe zv/kryetarëve të komisioneve nga radhët e socialistëve, ndërsa me plotësimin edhe me anëtarë këto komisione bëhen plotësisht funksionale.
Nga ana tjetër selia blu, ka paralajmëruar edhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mosrespektimit të afateve të votimit të arkitekturës së re të Kuvendit.
Të hënën pritet që PD të parashtrojë në Konferencën e Kryetarëve edhe kërkesën për anulimin e seancës së votimit pa debat të qeverisë, por edhe mocionin për shkarkimin e Niko Peleshit, kjo gjithnjë në rast se PD nuk do të bojkotojë mbledhjen.
Komente












