Opozita “lekë” në Kuvend
bojkoton seancën plenare

Opozita “lekë” në Kuvend<br />bojkoton seancën plenare
TIRANE-Në shenjë proteste ndaj zgjedhjeve të mbajtura në Korçë duke iu referuar disa pamjeve filmike, deputetët e opozitës mbushën dje sallën e Parlamentit me kartmonedha 20-mijë lekëshe të printuara me fytyrën e kryeministrit Rama, të cilat i hodhën që në fillim të seancës në drejtim të rreshtit të kabinetit qeveritar. Këtë gjest e bëri i pari, kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili në përfundim të fjalës së tij lëshoi në drejtim të kryeministrit Rama kartmonedha 20-mijëlekëshe, në të cilat shkruhej fraza “Unë besoj në blerjen e votës”.

Ky gjest më pas u ndoq nga të gjithë deputetët e opozitës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, i cili e ka cilësuar sjelljen e deputetëve si jo etike dhe krejtësisht të padenjë. “Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me etikën që duhet të tregojmë. Kjo sjellje për mendimin tim është krejtësisht e pavend dhe e padenjë”, u shpreh Meta. Ndërokohë që edhe në ambientet e jashtme të Kuvendit, të rinjtë e FRPD u shpërndanë kartmonedha deputetëve të mazhorancës, të cilët me të qeshur nuk refuzuan ti pranonin.

Qëndrimi kundër
Pas debateve mes palëve lidhur me zgjedhjet e Korçës, kreu i Kuvendit hodhi në votim projektligjet që ishin në rendin e ditës. Deputeti Bashkim Fino ashtu si në Komisionin e Ligjeve votoi kundër projektligjit të qeverisë që ul shpenzimet e zyrtarëve. Gjatë votimit, ndryshimet morën 71 vota pro, 1 kundër, ndërsa opozita u largua nga seanca plenare. Deputeti Fino propozoi fillimisht që të hiqej plotësisht bonusi për transport për zyrtarët, por një gjë e tillë nuk u pranua nga deputetët.

Më pas u miratua varianti i qeverisë. Projektligji në fjalë, parashikon ofrimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë duke shfrytëzuar mjete në dispozicion të institucioneve, si dhe reduktimin e kostos financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi. Në qëndrimin e tyre, deputetët e opozitës, deklaruan se projektligji i propozuar nga qeveria nuk do të sjellë kursim por rritje të shpenzimeve. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka deklaroi se me këtë projektligj, qeveria po vazhdon të mashtrojë shqiptarët.

Nga ana e tyre, anëtarët e mazhorancës vlerësuan se ky projektligj synon heqjen e abuzivizmit dhe privilegjeve për funksionarët e lartë të shtetit. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani bëri të ditur se vlera që kursehet falë kësaj ndërhyrjeje është 165 milionë lekë ndërsa theksoi se ndryshimet në ligj ulin numrin e funksionarëve që përfitojnë bonuse për transport në 437 persona nga 624 persona që e përfitonin këtë privilegj më parë.

Replikat
Makinat, Sterkaj-Metës: Merrni masa të mos gjobitemi. Topalli: Kryeministri 20-mijë lekësh
Paloka: Patë një kryeministër të papërgjegjshëm që gjërat më të rëndësishme të këtij vendi i merr me të qeshur. Ajo që ndodhi në Korçë është një sinjal alarmi për të gjithë, ato pamje filmike thjesht konfirmuan se kemi të bëjmë me një sistem të ngritur deri në detaj për blerjen e votës. Ky është fundi i demokracisë, alarm për të ardhmen.
Topalli: Në 23 qershor trafikantë vrasës dhe horra u bënë të gjithë bashkë kundra Sali Berishës. Kur vjedhjen e votës e quan virtyt pastaj rreziku është fatal. Kur zgërdhihet edhe kryeministri, të dashur shqiptarë bëhuni gati.
Braçe: Po kush je ti moj që na flet kështu....?!
Topalli: Sot në Kuvend kanë hyrë “trimat“ e bosët e parave e ato bëjnë shumicën! Disa nga këto nuk kanë as shkollë, por kanë diploma se edhe ato i kanë blerë, siç kanë blerë vendin në listën e deputetëve, e pastaj siç kanë blerë votat, e pastaj siç blejnë e shesin kallëp deputetin!! Por Kryeministri 2000 lekësh nuk flet vetëm gjuhën e të korruptuarit! Ai replikon dhe me etërit e 1945 po të mundte! E jo vetëm me dinamit e lëndë plasëse, jo vetëm me bllokime, shfuqizime, shkrirje, zhbërje, jo vetëm me sekuestrime e spastrime! Të gjithë i duket se po e tradhtojnë! Këtij nuk i qesh buza!
Ahmetaj: Ju ishit një mazhorancë e kalbur, tashmë një opozitë e çororditur. 165 milion lekët do të shkojnë për pensionistët.
Bode: Kleptokracia nuk është demokraci. Ju bazoheni në një pushtet kleptokrat dhe për ju i rëndësishëm është vetëm pushteti juaj. Kleptokracia është tirani e një shumice të blerë. Ju vodhët dhe bletë votat në Korçë edhe pse ishte e panevojshme.
Peleshi: Zgjedhjet në Korçë kanë qenë më të mirat dhe më të ndershmet.
Bregu: Të gjithë i pamë se si ishin. Mos u bëj hipokrit tani.
Peleshi: Rezultati ishte 76% për kandidatin tonë. Ju mund të jeni opozita e vetme në planet që nuk dini të numëroni votën.
Noka: Prandaj nxorrët 20 mijë lekshat ju...
Rama: I nxitur nga deputeti i vjetër parafolës, unë jam deputet i ri dhe më bëri përshtypje ajo që tha, që sipas tij kjo “është seanca më e pështirë dhe me e turpshme e kësaj salle”. Me siguri nga lartësia e kompetencës si deputet i vjetër ka një arsye që e thotë, ndërsa përsa më takon si deputet i ri, me siguri jam dakord me deputetin e vjetër, që kjo është vërtet seanca më e pështirë dhe më e turpshme, që unë këtu kam asistuar, megjithëse kam parë të tjera ende më të pështira dhe më të turpshme, nga televizori.
Bode: Kryekleptokrati foli tamam në origjinën dhe fytyrën e tij. Së pari u tregua cinik dhe i pashpirt me humbjen e jetës së të rinjve në minierën e Pogradecit. Sepse është detyra jote që atë minierë që është në atë konservim ta ruash, paguhen rreth 15 veta që duhet ta ruajnë atë minierë që të mos futen njerëz sepse është e rrezikshme. Dhe kjo është një turp. Ti rrite borxhin sepse thellove mos realizimin e të ardhurave.
Rama: Rrëmbyet fasule, rrëmbyet oriz, rrëmbyet çizme rrëmbyet gjithçka që gjetët por fushata elektorale e 23 qershorit. Ne besojmë që në një vend si Shqipëria kryeministri nuk mund të udhëtojë në biznes klas dhe delegacionet qeveritare nuk mund të jenë të panumërta me sojë edhe sorrollop për të shkuar me demek për të përfaqësuar shtetin dhe pastaj për t'u turrur të gjithë për shooping. Në dogana e në tatime mungojnë pjesa dërrmuese, keni lënë një gropë të madhe e cila prek e kalon 200 milionë dollarët. E sa për “Fiks Fare”-n, tani që keni ngrirë të gjithë, ju mbetet vetëm të shkrini Filipin.
Ristani: Kjo është një shashkë në tym për të krijuar një mjegull të madhe. Mjegull e cila do t`i shërbejë ujqërve. Një qenie e vetëdijshme po e hante ujku dhe qënia po mendonte ishalla jam në ëndërr. Këta lloj ujqërish këtë lloj mjegulle duan, pikërisht se janë të pabesë si ujq. Çështja është mos u gëzoni se ujku po ha delet e komshiut se shumë shpejt do të vijë në bahçen tuaj.

Balla: Do doja të thoja madje dhe ti kërkoja dhe shërbimit të ruajtjes në Kuvend që përveç një makinerie që detekton metalin, të vendosin dhe një instrument për të vlerësuar sasinë e alkolit. Sepse deputeti që sapo foli ishte në gradën e fundit, pas dopios së shtatë të ëhisky-t, ka bërë pis dhe foltoren. Duhet të jetë në normën e këtij Kuvendi që deputetë të pirë dhe në gjendje të rëndë alkolike të mos lejohen të hyjnë në Kuvend. Këta që hodhën sot para të printuar me shumë para të tjera të harxhuara kot nuk e njohin lekun fare.

3000 euro e shiste Jozefina Topalli bashkë me Arencën një vend pune mësues në Shkodër. 5000 euro e shiste një vend pune në polici Jozefina bashkë me Arencën në Shkodër. Sot derdhte lot krokodili. Më qesharakja ndër të gjithë këta sot përsëri ishte Manushaqia. Vetëm makinat e Xhozefinës dhe të rojeve të saj, faturonin 84 milionë lekë në vit, ose 7 milionë lekë në muaj.
Sterkaj: Problemi është tek puna e parkimit të deputetëve, prandaj ju si kryetar, bashkë me byronë, duhet të merrni masat e duhura që të mos gjobitemi nga policia. Ne nuk duam që të shkelim ligjin, është detyrë, prandaj duhet të merrni masat që të mos gjobitemi.
 
Olldashi ndryshe nga grupi
Sokol Olldashi ishte i vetmi deputet, i cili nuk lëshoi kartmonedha në drejtim të kabinetit qeveritar pas fjalimit të tij, por dhe që vjedhjen e votave e cilësoi si një fenomen që ka prekur të gjitha partië. “Nuk mund të fusim kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS, sigurisht që ju e keni fajin për atë që keni bërë në Korçë. Sigurisht që kemi ne faj që kemi bërë sikur nuk e kemi parë këtë fenomen, kur e bënin partitë në koalicion me ne dhe kjo nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët. E çuam më pas më tutje dhe në të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë, deri edhe te shkëmbimi i deputetëve”, tha Olldashi.

 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë