Një ditë pas Tiranës, ku u prezantua kryebashkiaku Erion Veliaj si kandidat për zgjedhjet e 30 qershorit, PS prezantoi sot në Lezhë, Pjerin Ndreun. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama deklaroi se me 30 qershor do bëhet ndarja e së shkuarës nga e ardhmja në vend. Ai bëri thirrje qytetarëve të votojnë për Pjerin Ndreun për t'i hapur rrugë zhvillimit të qytetit të Lezhës i cili deri më sot është lënë në harresë nga pushteti lokal.
Rama tha se zgjedhjet do quheshin të paligjshme vetëm nëse një parti politike do ndalohej të futej në zgjedhje, por jo kur do pushtet në tavolinë dhe vendos të dalë rrugëve. Ai foli edhe për projektin e rrugës Milot-Balldren duke thënë se ndërtimi i saj do zëvendësojë autostradën e vdekjes , e cila i ka marrë jetën shumë njerëzve por edhe një zhvillimi të turizmit në në vend.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe kodin penal për të gjithë ata që do përpiqen të cenojnë zgjedhjet, të cilët do shkojnë pas hekurave dhe do t'i ndalohet edhe hyrja në SHBA dhe BE.
Vetë Pjerin Ndreu deklaoi se në 30 qershor do besëlidhemi për Lezhën për ta shpëtuar atë nga drejtimi i dobët. Ai thumboi edhe deklaratën e pak ditëve më parë të liderit demokrat i cili u betua për Kishën e Laçit, duke thënë se në Kishën e Laçit shkojnë ata që duan të pastrojnë shpirtin.
Pjerin Ndreu tha se në 30 qershor Lezha do transformohet dhe do matet edhe me Tiranën e me Fierin.
Lajmi kryesor:
3 orë protestë/ Militantët breshëri kapsollësh drejt policisë, Basha-Ramës: Dëgjoje popullin më 8 qershor (VIDEO)
Kreu i qeverisë paralajmëroi edhe njëherë opozitën por edhe militantët e saj, duke thënë se nëse do përpiqen të cenojnë zgjedhjet do vihen para përgjegjësisë dhe ligjit, i cili parashikon jo vetëm burg. Ai gjithashtu i ndalon hyrjen në SHBA dhe BE.
"Nuk duam të shikojmë asnjë njeri të vetëm që të shkojë pas hekurave vetëm se do të shkojë pas tyre, por të gjithë duhet ta kenë parasysh se sot me dhjetëra janë pas hekuarave për shkak se kanë ndjekur këta, për shkak se ata nuk çlirohen dot nga frika e zgjedhjeve dhe drejtësisë. Të mos hysh më as në Europë dhe as në SHBA. Dhe këtë e di ai plaku në Tiranë. në 30 qershor vërtetë do dalë kush do e drejtojë Bashkinë e Lezhës, apo të tjerat, por do ndajmë përfundimisht të shkuarën nga e ardhmja por do vendoset ndarja e politikës me ato hiena që kërkojnë kërna që vijnë vërdallë rrugëve për gjëra që predikojnë. Këto që predikojnë me fjalë t'i kishin treguar kur kishin mundësi. 30 qershori do jetë një mësim i madh për ata që do kupotojnë pse do humbasin. Humbin se janë dembelë nga mendja dhe e dinë këtë popull për budalla që mund ta revoltojnë me shpifje dhe akuza. Bëjnë akoma protesta se kanë akoma disa bashki që i kanë kthyer në stafe të turizmit politik. Prandaj më shumë punonjësa ujësjellësash se sa ujë kanë. Do e shikoni me 30 qershor sa i ndjek populli ato. Me çdo të afërm, shpjegoni se pse këto zgjedhje janë kaq të rëndësishme. Kush mbjell frikën do tretet prej saj, kush është me të drejtën nga e drejta do shpërblehet", tha Rama.
Nga Lezha, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe projektin e rrugës Milot-Balldren, duke hedhur poshtë akuzat që janë ngritur për të. Rama tha se ndërtimi i saj do i hapë rrugë zhvillimit të turizmit në vend.
"Lezha ka një model zhvillimi dhe jam i bindur se nëse ne do ta shtyjmë më shumë zhvillim do ketë. Meqë erdhi mundësia, po bëjmë dhe një vjedhje të madhe te rruga Milot-Balldrem dhe atë rrugë që ju e njihni si autosatrada e vdekjes ka kanë lënë jetën plot e plot njerëz, ne do ta rindërtojmë nga e para. Nuk e di a e keni ndjekur kur më pyesni cfarë është kjo rrugë. Ajo është pjesë e koridorit blu dhe është një projekt prioritar i unazës turistike të mesdheut. Ata dijnë vetëm të thonë vjedhje, të hedhin baltë mbi një punë. Ata sot e kanë bërë opozitën njësoj si rrugën që lanë rrugëve. Jane kthyer taman si një rrugë-rrugëve. Për ata të punosh do thotë vjedhje.Me sa duket ata kurrë nuk e kanë nisur një punë nëse nuk do kenë pasur një gjë për të vjedhur. Korrupsioni dhe vjedhja nuk shërohet. Si kurrë më parë lufta kundër korrupsionit bëhet çdo ditë. Nuk është si të korrësh bar apo misër", tha Rama.
Rama akuzoi kryedemokratin Basha, se ashtu si në kohën kur qeveriste Tiranën, ora i ka mbetur në vend. Edhe pse nuk donte t’i përmendte emrin, madje u sigurua ta thotë këtë, Rama tha se Basha vijon ta ketë orën e ngelur, pasi zemrekët i ka Saliu.
"Kur ky që ka marrë rrugët drejtonte Tiranën, sahati nuk punonte. As atë nuk e shihte se i kishte ngel ora, e vijon ta ketë të ngelur, se zemrekët i ka saliu si ka, e më falni që i përmenda emrin se s’dua t’i përmend emrin atij. Shikoni Bashkitë që kanë drejtuar ata, shikoni Shkodrën e kanë qeverisur për 30 vjet, për 4 vjet ne bëmë në Vlorë,atë që ata se bënë për Shkodrën për 30 vjet. Sepse janë dembelë e të paaftë", tha Rama.
Teksa e prezantoi si kandidat për Bashkinë e Lezhës, Rama tha për Pjerin Ndreun se është shumë kokëfortë dhe i shkon gjërave deri në fund. Ai bëri edhe batuta duke thënë se Pjerin Ndreut nuk duhet t'i marrë koka erë si balonat e Lulit.
"Pjerin Ndreu është shumë kokëfortë, i shkon gjërave deri në fund. Kur erdhi tek unë i thashë provo të bëhesh deputet, nëse të zgjedhin kandido për kryetar bashkie. Ju vetë e propzouat si kandidatin e vetëm për Lezhën. Shpresoj që era e detit të mos ja marrë kokën si ato balonat që ngre Luli para kryeministrisë. Unë do ta mbështes me çdo mundësi. Unë besoj të njerëzit e kësaj zone. Unë kam parë një potencial të njerëzit e saj. Lezha ka një model zhvillimi dhe jam i bindur se nëse ne do ta shtyjmë më shumë zhvillim do ketë", tha Rama.
Kryeministri Rama tha se me përpjekjet e saj opozita mund t'i bëjë dëm vetëm vetes dhe nuk i bën dot gjë Shqipërisë. Rama tha se në kohën e tyre vendi ishte në gjendje të mjeruar ndërsa sot PS po lan edhe borxhet e tyre.
"Ata mund të thyejnë vetëm kokën e tyre dhe ndonjë xham, por Shqipërisë nuk i bëjnë dot asgjë. Nuk kemi të drejtën të ndjekim ata. ne kemi për detyrë të ecim drejt dhe të shkojmë përpara. Kush mendon se mund të na tërheqë pas është shumë më keq. A jemi ne më të mirët? Ky vend nuk ka parë më të mirë se ne. 30 vjet mjaftojnë që të kesh sy në balle dhe mend në kokë për të parë si ka qenë historia. Ne kemi ardhur këtu për të bërë një fushatë, këtu sheshi ishte i mbushur me makina dhe pluhur kurse Skëndërbeu rrethohej nga plehrat. Ata kanë tërhqequr vendin mbrapa. Ne po lajmë borxhet e tyre. Sa herë shfaqen në ekran duhen larguar fëmijët nga televizori. Jo gjithmonë ja kemi dalë. Kujtojeni pak si ishte Tirana në kohën e tyre", deklaroi Rama
Kreu i qeverisë deklaroi se zgjedhjet janë kushtetuese dhe nuk mund të ndryshohet sa herë do një parti politike. Ai tha se opozita i trembet reformës në drejtësi.
"Zgjedhjet pa opozitën janë antidemokratike kur ajo pendohet të hyjë në zgjedhje. Imagjinoni cfarë rrumaplle do bëhej ky vend nëse zgjedhjet do shtyheshin sa herë do një parti. Imagjino çfarë çorapi do bëhej nëse do i hapej rrugë një politike qorre. Imagjino ne të vinin dhe të thonin na jepni votën se për 4 vite do bëjmë kështu. Kjo nuk varet më nga ne, por sa mandate djegin ata që ikin rrugëve. ngaqë nuk fitojnë dot, thonë s'ka rëndësi kë do populli, por të ikni ju dhe të vijmë ne. Ku është parë kjo. Kjo nuk është parë askund dhe nuk ka për t'u parë as këtu. Ata janë pak, ne jemi shumë, ata janë dembelë,dëgjojini dhe bëjini të mendojnë. Ata nxjerrin nga goja fjalë që nuk duhen përdorur.Janë të paaftë ndërsa ne nuk jemi të përsosur.Jemi njerëz si të gjithë. Jemi punëtorë dhe jemi të përkushtuar. E keni parë filmin Beni ecën vetë kur Beni bërtet në pyll me zë të lartë. Ashtu janë dhe ata, të alarmuar nga reforma në drejtësi", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi para qytetarëve të Lezhës se opozita ka frikë nga zgjedhjet dhe nga drejtësia.
"Duket si një betejë pa një kundërshtar, por është betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Është një betejë për të shkuar përpara me ata që duan të na kthejnë mbrapshte, mes nesh që duam një vend demokratik mes nesh dhe atyre që duan pushtet për veten. Ata kanë frikë nga zgjedhjet, kanë frikë të vijnë përpara popullit, nga ballafaqimi me ne ndaj dhe përbetohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike të dënueshme nga ligjet e këtij vendi. Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër veç ikjes në drejtim të paditur. Drejtimi ynë dhe i vendit dihen", tha Rama
Pjerin Ndreu foli para qytetarëve të Lezhës teksa u prezantua si kandidat i PS për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ai deklaroi se në 30 qershor do besëlidhemi për Lezhën për ta shpëtuar atë nga drejtimi i dobët. Ai thumboi edhe deklaratën e pak ditëve më parë të liderit demokrat i cili u betua për Kishën e Laçit, duke thënë se në Kishën e Laçit shkojnë ata që duan të pastrojnë shpirtin.
"Ju falenderoj për gjithçka kemi bërë bashkë në këto dy vite. Lezha është qyteti më i bukur, por i mungon një gjë, i mungojnë njerëzit për ta nxjerrë nga atje ku ka rënë sot. Kurrë më parë Lezha nuk ka patur pushtet lokal më të dobët se sot, që keqpërdor fondet, kurrë nuk ka pasur kaq pak investime. Ndaj jemi këtu sot, të besëlidhemi për Lezhën. Fitorja jonë është e padikutueshme. Në 30 qershor do betohemi por jo për kishën e Laçit. Ai është një vend ku pastrohet shpirti. Në 30 qershor ne do transformojmë Lezhën. Do matemi me Fierin dhe Tiranën. Kryegjumashi bëri një vrimë në ujë dhe me 30 qershor do ta bëjmë bashkë me ata që mbajnë peng Lezhën. Lezha nuk ka nevojë jo vetëm për një kryetar bashkie por për mbështetjen e qeverisë që ju ia keni dhënë me investimet e bëra, me projektin e rrugës Milot-Balldrem. Unë do jem kryetar për të gjithë edhe për ata të PD dhe LSI. Unë isha polic kur njoha një mik me të cilin nisa këtë rrugë. Ai është Edi Rama. Dikur në një drekë kur ishte kryetar bashkie, i thashë do drejtosh vendin. Dhe ajo ndodhi", u shpreh Ndreu.