TIRANE-  Opozita për gati një orë zhvilloi sot protestë para kryeministrisë kundër blerjes së votës me 2 mijë lekë, e cila sipas PD-ë u vërtetua në zgjedhjet e pjeshme vendore të Korçës.

Protesta nisi rreth orës 14:00 nga selia e PD-së tek ish SHQUP dhe më pas marshimi paqësor vazhdoi përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe  u ndal para godinës së kryeministrisë ku ishte ngritur podiumi dhe kryetari i PD-së dhe disa protestues mbajtën fjalimin e rastit.

E gjithë protesta u vëzhgua nga policia e cila mori masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Kryetari i PD-së tha se është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore dhe akuzoi Ramën e Metën se po kërkojnë të shndërrojnë Shqipërinë në sulltanatin e 2 mijë lekëshit.

Sipas tij opozita nuk kishte dashur të dilte sot në protestë para kryeministrisë, por qeveria kishte mbushur kupën.  "Jemi në protestë kundër paligjshmërisë, arbitraritetit, arrogancës shurdhërisë dhe mungesës së trasnparencës dhe qëndrimet e tjera antieuropiane që manifeston ditë për ditë me frenezi të paparë qeveria e Edi Ramë dhe Ilir Metës:"- nënvizoi Basha.

Fjalimi i kryetarit të PD-së zgjat rreth 15 minuta më pas protestuesit u larguan qetësisht. Në këtë protestë nuk mbajtën fjalim figura të tjera kryesore të PD-së as ish- kryeministri Berisha.  Fjala e plotë e Bashës sot në miting: Është vetëm fillimi i betejës

ORA 14: 40 BASHA: QEVERIA E MBUSHI KUPËN PA KALUAR 3 MUAJ
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se marshimi është thirur nga PD dhe opozita dhe falenderoi pjesëmarrësit që iu përgjigjën me arsye e zemër thirrjes për tu mbledhur në këtë Bulevard dhe për të ngritur zërin e protesrtës kundër shitblerjes së votës.

“Për të ngritur zërin e protestës kundër shitblerjes së votës. Kundër paligjshmërisë, arbitraritetit, arrogancës shurdhërisë dhe mungesës së trasnparencës dhe qëndrimet e tjera antieuropiane që manifeston ditë për ditë me frenezi të paparë qeveria e Edi Ramë dhe Ilir Metës.

Nuk e zgjodhëm ne momentin për të dalë në shesh përballë kësaj kryeministria por kjo  qeveri që e mbushi kupën pa mbushur tre muaj, e zgjodhi 20 mijë lekëshin e turpit, skenat e paimagjinueshme të blerjes së votës brenda në zyrët e PS-së që falë medias së pavarur publiku pa mundësi ti shihte, me zë e figurë”, tha Basha.

ESHTE MOMENTI I NJE ALARMI TE MADH
Basha tha se ky “është plan për ta përdorur gjerësisht si metodë në zgjedhjet e ardhshme për të hapur periudhën e errët të zgjedhjeve të blera nga mafia politike dhe ekonomike në vend. Është moment i një alarmi të madh për një rrezik shumë të madh që kërcënon demokracinë dhe fëmijët tanë. Jemi në këmbë të vendosur për t’i dalë në ballë dhe t'i themi ndal. Çështja e zgjedhjeve të lira është cështje e popullit të lirë dhe mijëra shqiptarëve që me mendje e zemër janë sot me ne, do të bashkohen me ne në shpëtimin e votës së lirë. Vota e lirë është cënuar, fyer në Korcë. Të gjithë duhet të jemi opozitar, luftëtarë, shpëtimtarë e shërbëtorë të saj. Pa u sprapsur me mendjen top se nuk kemi betejë tjetër më të madh e mision më të shenjtë për të përmbushur, jo paratë e pista, tregtarët e kontrabadistët e votës, jo mafia, por kauza e drejtë dhe njerëzit e lirë të bashkuar rreth saj janë fuqia e pathyeshme e demokracisë. “

RAMA- META: ME PARATE E KRIMIT DAMKOSEN ZGJEDHJET NE KORCE E LEZHE
 “Kjo nuk është beteja e fantazmave siç bëri Rama në rinumërinin e votave. Në qarkun e Kukësit u pa qartë se zgjedhjet e organizuara nga PD ishin mbajtur të lira e të ndershme edhe në fshatrat më të thella të Tropojës e Kukësit, madje ata kishin marrë një grusht votash që nuk i takonin. Ky ishte dhe do të jetë standardi i BE-së për zgjedhje.
Ramës e Metës i mbeti në dorë boja me të cilën shpresonin të damkosnin qeverinë tone. Me atë bojë të zezë damkosën votën e tyre në Lezhë e në sa të tjera ku vunë në përdorim paratë e krimit,  me atë bojë të zezë damkosën dhe zgjedhjet në Korçë. Çirreshin se ishin vjedhur votat dhe i vjedhin vetë pa pikë turpi, çirreshin kundër borxhit e marrin vetë 400 mln dollarë. Çirren kundër evazionit. Çirren për ligjin e shkarkojnë pa ligj nëpunësit civil e strukturën e polcisë së shtetit. Por s’kanë ku të shkojnë Korça i solli lakuriq me 20 mijë lekëshin e turpshëm të vjedhjes së votës.”- tha Basha.

RAMA DO TE SHNDERROJE SHQIPERINE NE SULLTANATIN E 20 MIJE LEKESHIT
"Rama e Meta shkelmuan konsensusin se kanë ndërmend blerjen e votës, firmosin e ndërmarrin çdo ditë nga një akt ligjor antikushtetues kundër lirive, pronës se kanë ndërmend blerjen e votës. Nuk është transparente as për armët kimike, por bëjnë si struci se kanë ndërmend të blejnë votën. Ky kryeminsitër po shkon lart duke shndërruar Shqipërinë në sulltanatin e 20 mijë lekëshit.
Ne pushtetin, ju 20 mijë lekëshin. Kjo është filozofia e tyre. Ky është rreth fatal dhe rrezikon të zërë brenda e t’i marrë frymën Shqipërisë euriopiane.  Me këtë qëndrim kjo mazhorancë shmangu përballjen si dy alternative të luftojnë për një qëllim për Shqipërinë europuiane dhe ka hapur luftën e dy kulturave të kundërta asaj europuan dhe asaj antieurpiane."- tha Basha.

BASHA: FILLIMI I NJE BETEJE NE SHESHET E PROTESTAVE
"Sot është dita t’i drejtohemi një zëri: Hiq dorë një herë e përgjithmonë nga blerja e votës, paligjshmëria, mugnesa e transparencës. Nëse nuk ndalojmë sot shitblerjen e votës nuk do ndalojmë dot shitblerjen e demokracisë. Është fillimi i një beteje të përbashkët në sheshet e protestave popullore pa kompromis për Shqipërinë demokratike. PD e ka forcën, opozita e ka forcën, Shqipëria e lirë e ka forcën të përparojë drejt Europës"- mbylli fjalën e tij Basha.
Më pas protestuesit u shpërndanë qetësisht.


ORA 14:35 ISH I PËRNDJEKURIT, KRIPA: STOP VJEDHJES SË VOTËS
Në emër të ish-të përndjekurve politikë ka folur Reshat Kripa. “Kam nderi të flas në emër të ish-të përndjekurve politikë. Për gati gjysëm shekulli provuam mbi shpatullat tona, diktaturën më të egër, atë të Enver Hoxhës. Por ne mbijetuar sepse luftuam për një Shqipëri demokratike. Vota e lirë është boshti i demokracisë, por a duhet të pajtohemi ne me vjedhjen e votës, në asnjë mënyrë. Ti themi stop blerjes së votës. Ti themi po votës së lirë”, tha Kripa.

ORA 14: 30 ALTIN GOXHAJ: KJO VOTË VDIQ, VAJTI 2 MIJË LEKË
Aktivisti i shoqërisë civile tha se sot vota e lirë vdiq me blerjen e saj në Korcë me 20 mijë lekë. “23 vjet mëparë u bë protest për të drejtën e votës. Sot jemi këtu se kjo e drejtë e dhënë 23 vjet më parë u mohua.  Ngjarja në Korçë është turpi më i madh. Sot po bën lliogaritë sa lekë i duhen për votat në 2015, 2017. Vota e lirë vdiq, u ble me 2 mijë lekë. “- thaGoxhaj.

ORA 14: 28  PROTESTUSIT: NDAL RAMASTANIT
Disa nga protestuesit jan ë me çadra. Disa mbajnë pankarta ku shkruhet “Ndal blerjes së votës”. “Ndal Ramastanit”. Punonjëse të policisë femra qëndrojnë para godinës së kryeministrisë  
 

protesta e pd

(Ne foto: Basha dhe protestuesit duke u drejtuar drejt kryeministrise)

ORA 14: 17: NIS PROTESTA, BASHA E BERISHA DALIN NGA SELIA
Në orën 14:17 opozita nisi protestën për të mbrojtur votën e lirë e cila sipas saj u cënua në zgjedhjet e pjeshme vendore në Korçë përmes blerjes së votës.

Ish kryeministri Berisha, kryetari i PD-së dhe anëtarë të tjerë të Grupit PD kanë dalë nga selia e PD-së dhe nisën marshimin drejt bulevardit për tu ndaluar para kryeministrisë.

ORA 14:00 PROTESTUESIT MBLIDHEN PARA SELISE PD
Dhjetra protestues me flamuj të Bashkimit Europian dhe shqiptarë janë mbledhur tek selia e PD-së e pritet të nisin marshimin paqësor sapo drejtuesit e PD-së të dalin nga mbledhja e grupit PD.

Protesta u parashikua të niste në orën 14:00..

Një podium është ngritur para kryeministrisë, ndërkohë që policia ka marrë masa për të siguruar rendin e qetësinë. 10 furgona të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe forca të policisë së komisariatit nr 2 dhe 3 janë në gadishmëri në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe në zonat përreth.  Forca policie ndodhen dhe para godinës së kryeministrisë.

Sipas axhendës së publikuar dje, protesta do të nisë në orën 14:00 nga selia e PD-së, tek ish- SHQUP dhe më pas do të vazhdojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ndaluar para godinës së kryeministrisë.

ORA 14:00 PROTESTUESIT TEK SELIA PD
Dhjetra protestues me flamuj të Bashkimit Europian dhe shqiptarë janë mbledhur tek selia e PD-së e pritet të nisin marshimin paqësor. Grupe protestuesish duken edhe në  bulevard. Grupi parlamentar i PD-së prej orës 13:00 po zhvillon një mbledhje me dyer të mbyllura.

PROTESTA E PD-SE 
Katër muaj nga dalja në opozitë, pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit Partia Demokratike del sot në protestë “për të mbrojtur votën e lirë”, e cila sipas saj u cënua në zgjedhjet e pjeshme vendore në Korçë përmes blerjes së votës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, por dhe eksponentë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike kanë përcjellë dje apelin ndaj qytetarëve, përmes deklaratave për shtyp dhe postimeve në facebook, për t’ju bashkuar kësaj proteste.

“Manifestimi mbarëpopullor”- siç e quajti kryetari i PD-së do të zhvillohet kundër blerjes së votës, ”si paralajmërimi ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve në shkallë vendi nesër por dhe provë se në zgjedhjet e 23 qershorit u blenë votat.”

“Është koha për t’i bërë ne, paralajmërimin tonë të vendosur dyshes Rama-Meta që na ka paralajmëruar se e ka në gjak dhe në projekt blerjen e votes. Të mblidhemi kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit, para se paligjshmëria dhe arbitrariteti ta çojnë vendin në greminë.”- tha Basha dje në një deklaratë nga selia e PD-së. Më vonë përmes një postimi në facebook Basha shkruante që protesta do të jetë dhe për heshtjen e qeverisë për armët kimike.

“Të dashur miq, bashkëqytetarë, shqiptarë të të gjitha bindjeve politike.
Vetëm vota e lirë garanton transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit. Pa votë të lirë nuk ka as transparencë, as llogaridhënie. Pa votë të lirë ka vetëm arbitraritet dhe arrogancë. Heshtja e qeverisë për armët kimike është arrogancë, është arbitraritet. Qeveria hesht dhe refuzon të bëjë transparencën sepse nuk i trembet gjykimit të drejtë të popullit. Nuk i trembet gjykimit tuaj sepse mendon se kur të vijë dita e gjykimit me votë mund ta blejë atë me 2mijë leksha.
Prandaj është jetike që të ngrihemi të gjithë bashkë e ti themi ndal arbitraritetit dhe arrogancës. Ndal heshtjes për armët kimike. Ndal mosllogaridhënies. Ndal papërgjegjshmërisë. Për të drejtat tona themelore. Për të drejtën e votës së lirë. Për dinjitetin tonë. Nesër në ora 14:00 të gjithë së bashku në shesh para kryeministrisë!” - shkruante dje Basha në facebook.

Protesta do të nisë në orën 14:00 nga selia PD dhe do të vazhdojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ndaluar para godinës së Këshillit të Ministrave.

Policia e Tiranës nderkohe bën me dije se, nga ora 13:00- 15:00 do të ndalet qarkullimi në disa akse të kryeqytetit:  Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmenti rrugor “Lekë Dukagjini”, si dhe  bulevardi “Zhan D’Ark”. 

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)