Opozita tha se do bëhej pallat, rindërtohet Kopshti 42 në Tiranë, Veliaj: Kemi edhe 40 shkolla në proces ndërtimi

Opozita tha se do bëhej pallat, rindërtohet Kopshti 42 në Tiranë, Veliaj: Kemi edhe 40 shkolla në proces ndërtimi

Erion Veliaj dhe Pandeli Majko

Godina e Kopshtit 42 në zonën e njohur si ish-Blloku në Tiranë po ringrihet nga e para, pas dëmtimit të rëndë që pësoi nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Projekti i ri i cili do të përfshijë edhe ambiente të reja për çerdhe, kopësht dhe parashkollor për fëmijët e Njësisë 5, do të zgjerojë edhe kapacitetin e mëparshëm të këtij institucioni, duke e rritur me mbi dyfish numrin e vogëlushëve që do e frekuentojnë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet së bashku me deputetin e PS, pandeli Majko, kujtoi akuzat e shumta të opozitës se gjoja në vend të Kopshtit 42 do të ngrihej një pallat, por që në fakt dolën të pavërteta. Veliaj tha se përtej akuzave të cinikëve dhe mosbesuesve ndaj veprave të tilla infrastrukturore, Bashkia e Tiranës do të vijojë të bindë me punë dhe jo me fjalë këdo që bëhet pengesë e projekteve të zhvillimit në kryeqytet.

“Është një ditë e re, e jashtëzakonshme për Njësinë 5! Jemi tamam në Bllok, aty ku edhe spekulimet janë më të mëdha se kudo tjetër. Sot është momenti për të thënë, ja ku është kopshti, ja ku janë çerdhet. Mos dëgjoni ata që thonë “nuk do bëhet shkolla, se do bëhet pallat”! Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, të gjitha të drejtat e pronësisë. Këtu do të bëhet kopshti, parashkollori dhe çerdhja më e bukur në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga mosha 6-mujore deri në 6 vjeç, nga 100 fëmijë që akomodonim më pare, do të shkojmë në një kapacitet prej 250 fëmijësh, pra duke e rritur në dy herë e gjysmë hapësirën dhe ambientet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana tjetër, ai tha se jo vetëm kopshtet, por edhe të gjitha shkollat, konviktet e pallatet e reja po vijojnë me të njëjtat ritme në Tiranë dhe ftoi qytetarët të kenë vetëm besim dhe durim derisa projektet e nisura të përfundojnë.

“E vetmja gjë që dua të them për të gjithë qytetarët, sidomos tani në tollovinë e debateve dhe të histerisë për politikën dhe zgjedhjet, është: Kini besim! Kush bën 9 shtëpi, bën edhe 10, kush bën 99 rrugë, bën edhe 100, kush bën 999 shtëpi bën edhe 1000. Ne që kemi 40 shkolla në kantier, patjetër që do të bëjmë kopshtin në Bllok, bllokun e Juridikut, shkollën “Lasgush Poradeci” dhe shkollën “Sami Frashëri”. E mira është që në të gjitha kantieret ne kemi dalë në nivelin zero, edhe tek “5 Maji”, edhe tek Universiteti Bujqësor, edhe tek konviktet te “Farmacia 10”, ku janë hedhur themelet e kollonat e gjërave të bukura që ne do të punojmë këtë verë,” tha kryebashkiaku.

Ndërsa, deputeti i PS, Majko theksoi se kjo vepër e re dhe mjaft e nevojshme për komunitetin e kësaj zone, provon edhe njëherë se e gjithë balta që hidhet kundër projekteve të tilla është vetëm për përfitime politike. “Sot jemi për të vërtetuar atë shprehjen e vjetër që thotë, “çdo e keqe e ka një të mirë”. Pasi ndodhi tërmeti, komuniteti këtu kishte shumë rezerva në fillim kur filloi të prishej godina. Mua më erdhën shumë familjarë dhe më thonin: “Mos do ndërtohet pallat”? Kështu që kam vetëm falenderim për këtë projekt të mrekullueshëm dhe kaq të veçantë,” u shpreh Majko.

Pas përfundimit të Kopshtit 42 në Tiranë, në dispozicion të vogëlushëve do të vihen 3 godina të bashkuara me njëra-tjetrën, ku përfshihen dhe parku i lojërave si dhe tarraca të gjelbra.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve

Fatos Çoçoli: Viti i pagave dhe pensioneve