të shfaqet pambarimisht i skandalizuar me bëmat e kryeministrit, por nuk është e mjaftueshme për të realizuar bashkimin e madh partiak dhe popullor, që do të garantonte rrotacionin e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Të sqarohemi: zgjedhësit socialistë dhe josocialistë që nuk duan asgjë tjetër veç largimit të Berishës nga pushteti janë jo vetëm bërthama, por edhe grupimi më i madh opozitar nga pikpamja numerike. Pa ta nuk mund të mendohet fitorja e opozitës. Por nuk mjaftojnë. Nuk mjafton vota negative, nuk mjafton vota "jo" të cilën opozita dhe shefi i saj e përfitojnë gratis në favorin e tyre. Duhen edhe mijëra zgjedhës të tjerë, që kanë ndjeshmëri opozitare më të larmishme, që nuk gjykojnë bardh e zi, që shohin edhe kush po vjen, jo vetëm kush duhet të ikë, që vlerësojnë dhe krahasojnë idetë, bilancet, programet, mundësitë, karakteret, orjentimet, integritetin, profilet psikopolitike të liderve, burimet njerëzore të partive, pra një mori elementësh që përcaktojnë një votë pozitive, një votë "po" të cilën opozita dhe shefi i saj duhet ta fitojnë në fushën e betejës duke berë diferencën me kundërshtarin. T'u thuash këtyre zgjedhësve "ejani të rrëzojmë Berishën" është pak. Teoria e gogolit-të ikë këta që kemi në krye pa të vijë kush të vijë- ka funksinuar në Shqipëri. Por që nga viti 1992 kur gogoli ishte komunizmi e pastaj në vitin 1997 kur "gogoli" ishte Berisha dhe së fundi në vitin 2005 kur "gogoli" ishte Nano teoria e gogolit ka ardhur gjithnjë duke humbur terren. Kjo tendencë do të vazhdojë, derisa edhe në Shqipëri të mos zgjedhim më midis dy të këqijave, por midis dy alternativave, pra të mos ndodhë më që dikush të vijë në pushtet ngaqë dikush e ka bërë baltë dhe duhet të ikë, por e kundërta, dikush të ikë ngaqë një më i mirë po vjen.
Tendenca në fjalë do të verefikohet edhe në zgjedhjet e vitit 2013. "Gogoli" Berisha nuk do të hedhë në thesin e opozitës aq shumë vota gratis sa ëndërrojnë dhe mendojnë disa opozitarë me festën mbi sy. E gjithë kjo jo vetëm për shkak të tendencës objektive për të cilën folëm më lart, por edhe për arsye të tjera subjektive që lidhen me gjendjen e opozitës, me efikasitetin e aksionit të saj politik, me lojën e shumicës, e tjerë.
Aktualisht ajo që deri dje quhej Opozita e Bashkuar dhe që ka qenë pa diskutim risia politike e këtyre tre vjetëve të fundit rezulton pothuajse e ngrirë, për të mos thënë e shthurur. Partia Demokristiane, e vetmja parti e qëndrës së djathtë brenda Opozitës së Bashkuar me shtrirje në gjithë territorin, po ikën. Partia Socialdemokrate, edhe pse më agresive në qëndrimet e veta opozitare, po luan vetëm. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut po sheh punën e saj. Kam përshtypjen se edhe Partia Demokracia Sociale e Milos është në dilemë për të parë punën e saj, në kuptimin që të kërkojë bashkë me PSD-në e Gjinushit dhe PSV-në e Petro Koçit zgjidhje të tjera jashtë koalicionit me PS-së. Kësisoj, në vend që të shkojë në zgjedhje me "trenin e madh" të partive dhe partizave, si një zgjidhje e diktuar nga natyra e ligjit zgjedhor, opozita po rrezikon të konkurojë si këmbët e dhisë, me disa lokomotiva dhe lokomotivëza pa vagonë nga pas. Dëmi është aq i madh sa të flasësh për përgjegjësitë është si t'i hedhësh edhe më shumë benzinë zjarrit. Edi Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare, ka detyrimin të reflektojë dhe veprojë i pari për një formulë të drejtë dhe pragmatiste ribashkimi. Në të kundërtën kalorësia e kërkon që ai të deklarojë mbylljen e Opozitës së Bashkuar, ashtu siç funksionoi gjatë këtyre tre vjetëve, për të dalë publikisht me opsionin e tij të ri politik të fitores në zgjedhjet e ardhshme. Ky opsion, për të mos qenë fiktiv, duhet të mbajë parasysh tre "jo" apo tre "nuk" që mua më duken kategorike. E para, nuk fitohet duke llogaritur aleanca me parti qeveritare. E dyta, nuk fitohet vetëm. E treta, nuk fitohet vetëm me votë "jo" kundër Berishës. Antiberishizmi nuk frymëzon më si dikur as disa deputetë apo zyrtarë socialistë "të rregulluar", siç thuhet në slëngun politik popullor, të cilët thonë ndonjë fjalë andej këndej për të mos u harruar se janë këtu, por duket qartë se nuk e kanë nervin e opozitarizmit të vertetë. Këta, sigurisht do të donin të ndodhte rrotacioni, por si të qeverisur ndjehen më mirë se sa kur qeveriste partia e tyre dhe shumë më mirë se pjesa dwrrmuese e popullit. Ndërkaq, kartën e antiberishizmit rrezikon të zbehë si kartë fitimtare edhe një rrethanë tjetër: Berisha ka fituar njëfarë përvojë për driblimin e mërzisë që u krijon qytetarëve retorika e tij dhe nuk përjashtohet mundësia të befasojë me gjetje të reja të këtij rrafshi, sa më shumë afrohet fushata e ardhshme elektorale. Se mos i shkon mendja njeriu se do t'ja bëjë si Toni Bler që ia dorëzoi një kolegu stafetën e drejtimit të fushatës? Se mos i shkon mendja njeriu se qeveria e tij do do të na befasojnë me ndonjë program zhvillimi! Harrojeni. Kur flasim për "gjetje" kemi parasysh thjesht ca gjetje alla shqiptare të rrafshit psikologjik dhe propagandistik, nga ato që konsumon me shumicë publiku i ngeshëm i kafeneve. Berisha me të tijët janë të vetëdijshëm se thjesht do të shkaktonin ilaritet po të premtojnë për nesër çfarë duhej të kishin berë dje. Ma mer mendja se në synimin e tyre për një mandat të tretë nuk do të mbështetën në ndonjë program të ri zhvillimi, por në kalkulime aritmetike të zgjedhësve partiakë, sipas partive që kanë e synojnë të kenë në koalicionin qeveritar.
Edhe për këtë shkak kali i betejës së opozitës për zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë bashkimi dhe programi i ri i zhvillimit. Nuk them aspak se nuk janë edhe antikorrupsioni, frymëzimi i shpresës dhe ngazëllimi i ndryshimit. Këto karta kanë pikët e tyre në llogarinë e përgjithshme të fitores. Por nuk mjaftojnë. Opozita duhet ta shvendosë debatin politik nga temat sterile ku kërkon ta mbajë qeveria, duke e tërhequr në fushën e përballjes për politikat e zhvillimit. Kjo do të jetë edhe prova e epërsisë ose jo të opozitës si forca që kërkon pushtetin. Opozita e sotme do të jetë e para që do të synojë një rrotacion politik të pushtetit ku programi nuk do të jetë një garniturë, një rrabat që shoqëron fjalimet politike, por një muzikë e gjallë që do të zgjojë masën gri të zgjedhësve dhe një "detonator" që do të çajë masën e ngrirë të elektoratit partiak, duke bërë për vetë mijëra zgjedhës, që duan më shumë se largimin e Berishës, duan tejkalimin e tij si mendësi dhe kulturë drejtimi.
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)