Mbrojtësi Ardian Ismajli mungoi në sfidën e fundit që Torino luajti në transfertë ndaj Romës, për shkak të një dëmtimi muskulor të pësuar në minutën e 77-të të humbjes ndaj Parmës. Ky problem fizik e detyroi Ismajlin të mungonte edhe në grumbullimin me kombëtaren shqiptare.
Sipas raportimeve nga ambienti torinez, 27-vjeçari ka ndjekur një plan të personalizuar stërvitjeje dhe po punon për t’u rikthyer në grup në seancën e fundit para ndeshjes kundër Napolit. Në klub mbizotëron një optimzëm për rikuperimin e tij, me shpresën se Ismajli do të jetë i gatshëm të forcojë një mbrojtje që ka vuajtur nga mungesat në javët e fundit.
Pas rikuperimit nga dëmtimi që e mbajti jashtë dy ndeshjeve të para të kampionatit, Ismajli u bë menjëherë titullar nën drejtimin e trajnerit Marco Baroni, duke fituar besimin e plotë të këtij të fundit.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, rikthimi i Ismajlit do të jetë një ndihmë e madhe për Torinon në përballjen e vështirë kundër Napolit këtë të shtunë në orën 18:00.
Komente









