Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, ju përgëzoj! Rama: Hungaria, model për ne! 350 milionë euro investime

Budapest- Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria do të çelë negociatat për grup kapitullin e parë dhe në këtë rrugëtim ka mbështetjen e presidencës hungarese të Këshillit të BE-së.

E konfirmoi edhe Kryeministri hungarez Viktor Orban, pas takimit me kryeministrin Edi Rama sot (11 tetor 2024)  në Budapest, duke nënvizuar se duhet të tejkalohen të gjitha pengesat dhe Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së. 

"Në fakt Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në në një proces që është bazuar tek merita, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje. Megjithatë unë mund t’ju them që kemi patur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë dhe jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së' tha Orban në deklaratën e tij para gazetarëve pas takimit që pati me kryeministrin Edi Rama.

Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama duke e falenderuar për mbështetjen tha se Hungaria për Shqipërinë është model e shembull nga i cili duhet të mësojmë.

Ne kemi parë Hungarinë si shembull e model në administratë që të jetë sa më efikase dhe një shoqëri ku ka mirëqënie. Duam të mësojmë gjithnjë e më shumë nga Hungaria dhe ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.

Mes dy qeverive janë firmosur dy marëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe të administratës publike, ndërsa kryeministri zbuloi shifrën e investimeve të Hungarisë në Shqipëri 

"Ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që shoqëritë tregtare hungareze po investojnë dhe numri i investimeve të drejtëpërdrejta është i pazakontë duke u krahasuar me vende si Shqipëria në madhësi. Bëhet fjalë 350 milionë euro. Një shifër domethënëse dhe mbresëlënëse sa I takon performancës së një shteti si Hungaria për një vend si Shqipërinë" tha Rama.  

Në deklaratën e përbashkët para gazetarëve dy kryeministrat shprehën hapur simpatinë për njëri tjetrin.

“Një privilegj të madh që i ftuari ynë nuk vjen me atë traditën e politikanëve hungarezë, pra nuk është jurist apo ekonomist siç është rasti me ne në Hungari, por me njohuritë e tij ne kemi diskutuar edhe politikën hungareze dhe është vërtet kënaqësi dhe dëshiroj ta falënderoj atë" tha Viktor Orban

Ndërsa Rama e vlerësoi si një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë.

Jam vërtet shumë i nderuar për mënyrën se si Kryeministri, miku im, më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar, por këto fjalë prej tij kanë vërtetë rëndësi të madhe për mua. Të gjithë e dinë që Viktor Orban është ndoshta më i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë për të analizuar dhe gjykuar të tashmen, por edhe për t’u përgatitur për të ardhmen”, tha Rama.

Gjatë vizitës zyrtare në Hungari u firmosën edhe dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe administratës publike nga Ministret përgjegjëse, Anila Denaj dhe Adea Pirdeni. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:50
Batuta dhe vlerësime, Orban: Kemi të ftuar një artist të politikës! Rama: Jo vetëm turistë por kemi patur dhe mbretëreshë nga Hungaria

Në konferencën mes Ramës dhe Orban në Budapest nuk munguan batutat dhe vlerësimet për njëri tjetrin. Kryeministri hungarez e quajti homologun shqiptar si artist të politikës.

Ndërsa Rama duke vlerësuar Hungarinë theksoi se ne përveç turistëve hungarez kemi patur edhe një mbretëreshë hungareze. Rama bëri dhe një batutë sa i takon këpucëve duke i kërkuar ndjesë Orbanit që nuk i është përmbajtur protokollit por ka veshur këpucë të mërzitshme.

Orban: Kemi patur në fakt biseda vërtet të thella dhe diskutime për të cilat i jam atij tërësisht mirënjohës. Është vërtet shumë kënaqësi gjithmonë kur kemi në fakt të ftuar që janë artist të politikës sepse na sjellin këndvështrime të reja dhe kjo gjë na ndihmojnë gjithnjë edhe në shkëmbimin e ideve. Pra patëm një privilegj të madh që i ftuari ynë nuk vjen me atë traditën e politikanëve hungarezë, pra nuk është jurist apo ekonomist siç është rasti me ne në Hungari, por me njohuritë e tij ne kemi diskutuar edhe politikën hungareze dhe është vërtet kënaqësi dhe dëshiroj ta falënderoj atë.

Rama: Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez. Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia gjithashtu dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orbán për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor dhe me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja.

Ora 14:36
Rama me Orban: Investimet hungareze mbresëlënëse, 350 mln euro! Duam më shumë në turizëm

 

Kryeministri Edi Rama nga konferenca me kryeministrin Viktor Orban ditën e sotme, u shpreh se investimet hungareze në Shqipëri janë mbreslënëse, të cilat sipas tij kapin shifrën e 350 milionë eurove.

Rama tha se duhet që të ketë një rritje të investimeve në fushën e turizmit.

Fjala e plotë e Ramës 

“Së pari, më duhet të them që jam vërtetë shumë, shumë i nderuar për mënyrën sesi kryeministri, miku im më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar, por këto fjalë prej tij kanë vërtetë rëndësi të madhe për mua.

Të gjithë e dimë që Viktor Orbán ndoshta është me i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë për të analizuar dhe për të gjykuar të tashmen, por edhe për tu përgatitur për të ardhmen.

Prandaj është kënaqësi që jam këtu dhe kam kënaqësinë që të shpreh mirënjohjen time të thellë nga zemra për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë, pra Presidenca e Këshillit të BE-së për ne, duke nxitur, duke bashkërenduar dhe duke bërë të mundur që pas disa ditësh pra, ne do të kemi mundësinë që të hapim një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Europian, pra një grup të tërë kapitujsh dhe në këtë mënyrë, ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar.

Sigurisht që është vendi dhe momenti për të falenderuar edhe dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, por që është pjesë e qeverisjes europiane, Oliver Varhelyi, Komisionerin e BE-së i cili na ka shoqëruar për 5 vite dhe ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritje tonat, pra për këto arritje të rëndësishme, jo vetëm në aspektin dypalësh, ndërmjet nesh dhe BE-së, por edhe në aspektin shumëpalësh, pra me të gjithë ne, në rajon.

Ka qenë vërtetë kënaqësi që të punonim me të dhe nuk jemi të kënaqur që nuk do të kemi mundësinë që të vijojmë të punojmë me të, por i urojmë suksese në të ardhmen dhe sigurisht që i detyrohesha këtë falenderim nga qyteti i vet, nga Budapesti.

Nga ana tjetër, është kënaqësi që të falenderoj kryeministrin, ministrin e jashtëm, qeverinë hungareze për këto pra që thashë. Është edhe një gjë tjetër që për mua, për ne është gjithmonë kënaqësi që të vijmë në Budapest sepse ne e kemi ndjekur gjithnjë dhe e kemi parë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri, reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase si edhe sa i përket një shoqërie ku ka mirëqenie, duke filluar nga kushte jo shumë inkurajuese sa u përket financave. Kështu që ne kërkojmë që të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.

Për këtë arsye edhe sot ne biseduam se si mund ta zgjeronim këtë bashkëpunim tonin që në fakt nuk është bashkëpunim në vetvete, por është ndihmesë me një drejtim nga pala hungareze drejt nesh dhe ne nga ana jonë po mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur prej tyre.

Ne sot nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi, në fushën e bujqësisë dhe e dyta në fushën e administratës publike dhe sërish duhet të them që administrata publike është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ato vende që janë në procesin e anëtarësimit në BE dhe përvoja e Hungarisë për ne është shumë e rëndësishme.

Ne gjithashtu folëm për investimet dhe i thashë kryeministrit që ne ndihemi të inkurajuar nga fakti që kompanitë hungareze, pra shoqëritë tregtare hungareze po investojnë, por gjithashtu edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë duke u krahasuar gjithnjë me vende që janë si Shqipëria në madhësi, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro, që është një shifër vërtetë domethënëse për ekonominë tonë dhe është vërtetë mbresëlënës sa i përket performancës së një shteti si Hungaria, gjë që nuk e pret që ta kesh në vendin tënd, pra investime të huaja. Kështu që diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë.

Turizmi është një objektiv për shembull dhe ne po shikojmë gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime. Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka patur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim dhe meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez. Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia gjithashtu dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orbán për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor dhe me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja.

Zoti Kryeministër, i dashur mik! Është gjithnjë një kënaqësi shumë e veçantë të jem këtu dhe më vjen keq që nuk erdha me këpucët që kërkon protokolli, por kam veshur thjesht disa këpucë të mërzitshme, thjesht të zeza.

Ora 14:28
'Orban më i lehti për t'i hedhur fajin për çdo gjë ndodh në botë', Rama e vlerëson si mik: Për mua më i këndshmi për të folur gjëra të ndryshme

 

Në fjalën e tij krah homologut Viktor Orban në Budapest, Rama u shpreh mirënjohës ndaj kryeministrit hungarez. Më tej shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen e Hungarisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, teksa javën e ardhshme në konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE pritet të hapet grupkapitulli i parë i negociatave.

Rama vlerëson Orbanin edhe si person me të cilin mund të flas lirisht për çështje të ndryshme, në të kundërt të retorikës në Europër e cila fajëson për shumëçka kryeministrin hungarez. 

'Së pari jam vërtet shumë i nderuar për mënyrën se si kryeministri miku im më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar por këto fjalë kanë vërtetë rëndësi. Të gjithë e dinë që Viktor Orban është shumë më i lehti ti hidhet faji për çdo gjë që ndodh në botë. Për mua është më i këndshmi për të folur për gjëra të ndryshme që ndodhin në botë por edhe për historinë si instrument për të analizuar dhe përgatitur për të ardhmen. Kënaqësi që jam këtu dhe shpreh mirënjohjen nga zemra për atë që ka bërë presidenca e Hungarisë, për ne.

Duke nxitur dhe bashkërenduar dhe bërë të mundur që pas disa ditësh do kemi mundësinë të hapim një pjesë të madhe të negociatave me BE. Në këtë mënyrë ne do të hyjmë fazë integrimi e përparuar. Dhe sigurisht falenderojmë dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, Oliver Varhelyi që na shoqëroi për 5 vite dhe ishte kyç në shumë arritje tonat. Jo vetëm në aspektin dy palësh por edhe shumë palësh në rajon.'

Ora 14:23
'Shqipëria vend i rëndësishëm për ne' Viktor Orban: Duhet të ishte pjesë e BE-së tani! Javën e ardhshme hapet grup kapitulli i parë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka vlerësuar Shqipërinë për ecurinë drejt BE-së. Në konferencën e përbashkët me Ramën në Budapest, Orban mendon se vendi ynë duhet të ishte tashmë anëtar i BE-së

Deklarata e plotë e Viktor Orban

Zonja dhe zotërinj si zakonisht edhe këtë herë unë kam patur mundësinë të kisha një diskutim të shkëlqyer me kryeministrin e Shqipërisë dhe është vërtet kënaqësi që e kemi patur këtu për vizitë së bashku me delegacionin e tij. Kjo është edhe një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne jo vetëm që të diskutonim situatën specifike, por në përgjithësi edhe të ardhmen e politikave europiane si dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Kemi patur në fakt biseda vërtet të thella dhe diskutime për të cilat i jam atij tërësisht mirënjohës. Është vërtet shumë kënaqësi gjithmonë kur kemi në fakt të ftuar që janë artist të politikës sepse na sjellin këndvështrime të reja dhe kjo gjë na ndihmojnë gjithnjë edhe në shkëmbimin e ideve. Pra patëm një privilegj të madh që i ftuari ynë nuk vjen me atë traditën e politikanëve hungarezë, pra nuk është jurist apo ekonomist siç është rasti me ne në Hungari, por me njohuritë e tij ne kemi diskutuar edhe politikën hungareze dhe është vërtet kënaqësi dhe dëshiroj ta falënderoj atë.

Tani kemi situatën e kundërt, unë nuk kërkova ndihmën e tij sepse tashmë ne kemi mundësinë që t’i kemi këtu miqtë tanë shqiptar, sepse vendet e Ballkanit  Perëndimor kanë pritur 15 vite mesatarisht për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019 dhe unë në fakt kam folur për këtë gjë edhe kur isha në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë dhe e thashë këtë edhe në Strasburg është që Bashkimi Europian t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen europiane.

Në fakt Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me BE-në në një proces që është bazuar tek merita, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje. Megjithatë unë mund t’ju them që kemi patur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i parë dhe për këtë dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë dhe jemi shumë krenar që ky moment, vjen në këtë periudhë kur Hungaria ka edhe Presidencën e Këshillit të BE-së.

Ndoshta ju e mbani mend që herën e fundit që kemi patur diskutime të tilla ka qenë në fakt kur ne kemi qenë në Presidencë dhe Kroacia u bën vend anëtar i BE-së dhe që atëherë nuk ka patur anëtarësime të tjera ne BE, por ja që ne e kemi bërë të mundur këtë gjë sërish.

Zonja dhe zotërinj, Hungaria në frymën e një politike të përgjegjshme të fqinjësisë së mirë ka ndihmuar Bashkimin Europian duke ofruar edhe mbështetje financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra ju nuk duhet të prisni për anëtarësimin që të përfitoni këtë gjë sepse ka një instrument tashmë nga i cili përfitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu kemi diskutuar edhe bashkëpunimin tonë dy palësh.

Kaq nga ana ime sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian.

Në lidhje me marrëdhënien tonë dypalëshe Shqipëria është një vend jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për ne sepse luan një rol shumë të rëndësishëm në sektorë të ndryshëm dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Ne e shikojmë këtë jo vetëm se duam që firmat hungareze të jenë të suksesshme, por ne duam më shumë sesa kaq. Ne duam që firmat hungareze, kompanitë hungareze të kenë sukses në Shqipëri dhe një reputacion të mirë dhe mund t’ju them që kompanitë tona, për shembull, po ecin shumë mirë edhe në tregun e telekomunikacionit. Kemi gjithashtu edhe një projekt shumë të madh me Shqipërinë. Shqipëria dhe Egjipti do të lidhen, pra Europa dhe Egjipti do të lidhen me anën e një rrjeti të telekomunikacionit.

Gjithashtu, ne kemi lidhur rreth 50 qytete me Wizz Air dhe OTP ka fituar edhe çmimin si banka më e mirë digjitale në Shqipëri. Kemi gjithashtu edhe faktin që edhe ujësjellësi i Budapestit luan tashmë një rol shumë të mirë edhe me homologun e vet në Tiranë dhe ramë dakord me kryeministrin që do të vijojmë bashkëpunimin tonë dypalësh dhe natyrisht jemi mëse të hapur që biznesmenët shqiptarë të bëhen pjesë e ekonomisë sonë dhe dëshirojmë ta rrisim rolin tonë në modernizimin e ekonomisë së Shqipërisë.

Ju jam shumë mirënjohës kryeministër dhe tashmë dëshiroj që fjalën t’ia kaloj kryeministrit të Shqipërisë, të nderuarit Edi Rama.'

S.G/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/10/2024 03:10

    Hungaria,nje autokraci na qenka model per ne?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj