Orët e fundit para zgjedhjeve
në SHBA, vendimtare 12 shtete

Orët e fundit para zgjedhjeve<br />në SHBA, vendimtare 12 shtete
Kur na ndajnë vetëm disa orë nga Dita e Zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, fushatat e republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, janë duke shprehur besim dhe optimizëm lidhur me rezultatin e garës presidenciale të së martës.

Edhe pse anketat më të fundit tregojnë se Hillary Clinton udhëheq garën në shkallë kombëtare me një diferencë të vogël nga rivali i tij, rezultati mund të përcaktohet nga pjesëmarrja në votime në rreth 12 shtete të pavendosura.

Në përpjekjet e minutës së fundit për të siguruar vota, Donald Trump, dy ditët e fundit ka patur një ngarkesë të madhe – të dielën ai vizitoi 5 shtete të ndryshme – ndërsa Hillary Clinton, për t’u dhënë energji përkrahësve të saj pati mbështetjen e njerëzve të famshëm, si këngëtarja e muzikës pop Katy Perry, apo Presidenti i Barack Obama.

Po i përkushtohemi me gjithë zemër dhe me energjitë tona fazës përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj.”- tha zonja Clinton.

“Nëse i fitojmë zgjedhjet e 8 nëntorit dhe arrijmë të kemi shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, më në fund mund të realizojmë ndryshimin që meriton populli amerikan”- tha Donald Trump.

Përfaqësuesit e të dyja fushatave thonë secili, se presin të dalin fitues të martën: “Nuk ka dyshim, që gjatë ditëve të fundit Donald Trump ka siguruar mbështetje të madhe. Pra, jemi mjaft mirë”. 

Jemi mjaft mirë, kemi siguruar mjaft mbështetje. Kemi një punë të madhe përpara dhe një milion vullnetarë në të gjithë vendin, të cilët punojnë për ne”.

Votimet e hershme në shtete të rëndësishme mund ta kenë përcaktuar tashëm kahun e balancës, si psh në Nevada, ku duket se kanë votuar një numër i madh hispanikësh, të cilët mund t’ja japin fitoren zonjës Clinton. Ndërsa Trump, pret të ketë siguruar shumicën nga pjesmarrja e madhe e punonjësve të bardhë në shtete qendrore si Ohio.

Trumpit mendohet se e ka më të vështirë fitoren se rivalja e tij, por vëzhguesit thonë se e marta mund të tregojë një rezultat të ndryshëm nga anketat.

Nëse Clinton do të siguronte 3 për qind më tepër vota se sa parashikonin anketat, do të kishim një fitore të rëndësishme të saj; por në se ndodh ndryshe, atëhere Trump mund t’i fitojë me lehtësi votat elektorale” – thotë vëzhguesi.

Dhe, në se sezoni i fushatës ndryshon vazhdimisht, për asnjërin nga kandidatët nuk mund të shmanget një e papritur e minutës së fundit; nuk përjashtohet as mundësia për ndonjë zbulim të ri që të pushtojë mediat, ndërsa miliona njerëz shkojnë në votime.

Roli i shteteve të lëkundura në rezultatin e zgjedhjeve
Shtetet e Bashkuara përbëhen nga 50 shtete, por kur është fjala për zgjedhjet presidenciale, parashikimi i fituesit mund të bëhet duke ndjekur garën vetëm në disa prej tyre.

Këto janë shtete të ashtu-quajtura fushëbeteje, shtete të lëkundura ku asnjëri nga kandidatët nuk ka një epërsi të qartë. Pikërisht për këtë arsye pretendentët shpenzojnë në këto shtete më shumë kohë dhe fonde për fushatë. Ka një numër arsyesh përse gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara merr këtë rrjedhë:

Gara shtet më shtet
Në vend të votës popullore, në Shtetet e Bashkuara zgjedhjet presidenciale varen nga gara shtet më shtet, ku pretendetët përpiqen të marrin sa më shumë vota elektorale nga fitoret në këto shtete. Sa më e madhe popullata e një shteti, aq më shumë vota elektorale merr kandidati që fiton në atë shtet.

Të tjerë faktorë që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve janë përbërja demografike dhe kahja politike e popullatës, të cilat nuk ndryshojnë shumë nga një votim në tjetrin. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zhvillohen çdo katër vjet dhe gjatë kësaj periudhe përbërja demografike e shtetit mbetet pak a shumë njësoj, pasi numri i votuesve të rinj që shtohen qoftë nga të ardhurit e rinj apo nga brezi që mbush moshën, si dhe numri i votuesve që vdesin është relativisht i vogël në krahasim me popullatën totale.

Si rezultat, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump nuk kishin nevojë të bënin fushatë në shtete si Nju Jorku, Havai, Uajoming, apo Alabama. Asnjë kandidat republikan nuk ka fituar në Nju Jork apo Havai që nga 1984, ndërsa Uajoming dhe Alabama nuk kanë votuar për një demokrat që në 1964.

“Për këtë arsye, shtetet fushëbetejë janë fokusi qendror i gjithë procesit elektoral,” thotë për Zërin e Amerikës politologu Jeremy Meyer. “Të dyja kampet organizojnë në 12 shtetet e lëkundura operacione masive fushate me reklama të shumta në televizor dhe telefonata për të bindur votuesit”.

Shtetet që ende nuk dihet për kë do të votojnë në këto zgjedhje ndodhen në pika të ndryshme të vendit:
* Florida
* Ohajo
* Kolorado
* Pennsilvania
* Nevada
* Virxhinia
* Miçigan
* Karolina e Veriut
* Ajova
* Arizona
* Uiskonsin
* Nju Hampshër
* Xhorxhia

Republikani Mitt Romney fitoi në Arizona, Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut në 2012. Presidenti Barak Obama fitoi në shtetet e tjera.Florida and Ohajo, të dyja me një numër të madh votash elektorale janë dy shtete që ndiqen me vëmendje në çdo proces zgjedhor. Që nga zgjedhjet e 1976 në Florida kanë fituar gjashtë herë demokratët dhe katër herë republikanët. Në Ohajo gjatë kësaj periudhe ka pasur pesë fitues republikanë e pesë demokratë.

Koloradon e ka fituar një kandidat republikan shtatë herë që nga 1976, por Barak Obama fitoi atje në 2008 dhe 2012 duke sinjalizuar ndryshime në këtë shtet.

Zoti Obama theu një traditë edhe më të gjatë republikane në Virxhinia, ku fitoi të dyja zgjedhjet. Ky shtet ka zona ku spikat mbështetja për republikanët apo për demokratët. Në periferitë e Virxhinias pranë Uashingtonit, në kryeqytetin e shtetit, Riçmond dhe në qytetin Njuport Njus votuesit zgjodhën zotin Obama, ndërsa shumë zona rurale votuan për zotin Romney në 2012. Edhe Florida paraqet një mozaik të ngjashëm: zoti Obama fitoi në qytetet Majami, Tampa, Orlando dhe në kryeqytetin e shtetit, Tallahasi.

Shtetet e përçara dhe parashikimi i rezultatit
Kahja politike e elektoratit në shtete të caktuara, sidomos në rastet kur këto shtete kanë votues që janë të ndarë në preferencat e tyre politike, dikton edhe mundësinë për të parashikuar se kush do të fitojë.

Në 2004 në një garë shumë të fortë në Ohajo, dy rrjete televizive pritën deri në orën një të mëngjesit në ditën pas zgjedhjeve për të deklaruar se George Bushi kishte fituar në atë shtet. Rrjete të tjera pritën edhe më gjatë.

Në vitin 2000, procesi krijoi shumë pikëpyetje në Florida. Demokrati Al Gori u bëri sfidë rezultateve fillestare që nxirrnin George Bushin fitues. Një betejë ligjore u vu në lëvizje që përfundoi me vendimin e Gjykatës së Lartë më shumë se një muaj pas zgjedhjeve./VOA

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!