TIRANE- Gjithçka ishte gati si për festë. Hilari Klinton do të kalonte katër orë në Shqipëri dhe ato duhet të ishin të qeta. Pa trafik makinash edhe pse me shi, me nxënës shkolle që përshëndesin me flamuj, punonjës bashkie që pastronin qytetin, dhurata, batuta, por edhe mesazhe për zgjedhjet. Kishte shumë detaje në katër orët e vizitës së djeshme, por ajo që ra në sy, ishte pikërisht mungesa e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në sallën e Kuvendit, i paftuar nga Ambasada Amerikane, por njëkohësisht i paftuar edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Shefja e Parlamentit, në fakt, si për të treguar bërrylat që ekzistojnë brenda PD, nuk kishte harruar të ftonte në lozhat e Kuvendit për të dëgjuar sekretaren Klinton, kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Përpjekjet e Bashës kanë qënë të forta për të siguruar një "biletë" për në lozhën e Kuvendit dhe për të pasur rastin të shtrëngonte duart me të por pa asnjë rezultat. Ai është përpjekur për të gjetur hapësirë ta takonte dhe në Rinas, por nuk ka mundur. Duke i shkuar dëm kryebashkiakut gjithë mundin, dhe pse zbukuroi qytetin me lule, dhe pse ngriti brenda një nate bustin e ish-presidentit të SHBA Uillson tek sheshi me të njejtin emër, ku për koncidencë të fatit, Klinton as që i ra rruga andej.

MBERRITJA NE RINAS

Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton ka mbërritur në Rinas rreth orës 10.30, me një avion "Boing 77", pikërisht si ai me të cilin ka mbërritur 21 vite më parë sekretari Bejker. Shiu i rrëmbyeshëm ka bërë që shefja e diplomacisë amerikane të përdorë çadrën, të cilën e mbante vetë në dorë. Pasi është pritur nga përfaqësuesit e ambasadës në rrugët e boshatisura nga Rinasi deri në Tiranë, ka mbërritur para kryeministrisë. Kryeministri Berisha personalisht ka dalë ta presë si dhe t'i mbajë madje dhe pallton si një kavalier i mirë, por dukej qartë emocioni që i bënte t'i dridheshin duart, për shkak se ende nuk e dinte se çfarë mesazhi do përcillte Klinton që njhet për gjuhën e drejtëpërdrejtë. Teksa ka gëlltitur me zor mungesën e një konference të përbashkët për mediat me sekretaren Klinton, gjë që gjatë turit të saj në Sarajevë, Beograd dhe Prshtinë e kishte bërë me homologët e Berishës, kryeministri është munduar të mbahet tek festa e 100 vjetorit. Batuta e takimit, kishte të bënte me shiun. "Shiu është i bekuar" i tha zonja Klinton kryeministrit sapo doli nga makina, ndërkohë që shefi i qeverisë dukej se ishte i emocionuar.

KUVENDI

Kanë nisur që në orët e para të mëngjesit përgatijet për pritjen e sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton në godinën e Parlamentit. Nën presionin e rreshjeve të shiut, ç`ka nuk e pengonte administratën e Kuvendit për përgatitjet madhështore, rreth orës 08:00 në oborrin e Kuvendit u grumbulluan gazetarët e akredituar për ta ndjekur zonjën Klinton. Gazetarët, por jo vetëm, kaluan në një kontroll të imtësishëm më shumë se 2 herë nga administrata jonë, ndërsa kaluan dhe një kontroll tjetër që u bë me qen antibombë nga agjentët amerikanë e ata shqiptarë. Për më shumë se 2 orë të pritjes së gazetarëve në cep të godinës së Kuvendit, punonjësit e pastrimit e gjelbërimit të këtij institucioni u morën me pastrimin e tapetit të kuq të shkallëve të Parlamentit, që zgjati deri në momentin e ardhjes së Klinton. Oborri i Parlamentit ndryshe nga herët e tjera, ishte i rrethuar me më shumë se 50 flamuj shqiptarë dhe në hyrje të godinës ishte ngritur vetëm një flamur amerikan. Përveç ambientit jashtë sallës së seancave plenare, ndryshime u vune re edhe në ambientet brenda saj. Gjithçka kishte marrë ngjyrën kuq e zi, madje në mure ishin vendosur dhe flakë atrificiale zjarri. Ardhja e Klinton shërbeu dhe si një rast për të bashkuar të gjithë deputetët. Në sallë u pa prezenca e Dritan Priftit, i cili kishte kohë që s'merrte pjesë në seanca. Nga deputetët e majtë, mungonte vetëm Olta Xhaçka, e cila ishte në përgatitje për takimin Rama-Klinton. Ndërsa në karriget e mazhoritarëve s'kishte asnjë mungesë.

BERISHA E MINISTRAT
Ka qenë ora 12:01 kur në sallën e seancave plenare ra alarmi për provat teknike në sallë. Rreth orës 12:03 zënë vend ministrat, ndërsa vetë kryeministri Berisha erdhi më 12:24. U vu re në fillim mungesa e dy ministrave Bregu e Panariti, të cilët ishin të fundit që erdhën në sallë. Kjo ka shkakatuar pakënaqësi nga ana e Berishës, i cili me gjeste nervozizmi u tregoi atyre orën.

TE FTUARIT
Në orën 11:00 në llozhën në katin e dytë, u panë të vinin të ftuarit nga administrata e Kuvendit. Përveç krerëve të partive, punonjësve të Kuvendit, gazetarëve, mes të ftuarve për të dëgjuar mesazhin e Klintonit ishin dhe drejtues të institucioneve të ndryshme si dhe bashkëshortja e liderit të opozitës, Linda Rama. Protokolli kishte përcaktuar që në po atë radhë të Ramës, të ulej dhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Një rresht para tij ishte dhe kreu i KLSH, Bujar Leskaj. Një vend i rezervuar ishte edhe për përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, të cilët ishin prezentë vetëm pak minuta para ardhjes së Klintonit në Parlament. Nuk mungonin as analistë të shumtë si dhe figura të njohura të medias në vend. Rëndësi ishte kushtuar edhe ftesave për komunitetin fetar në vend.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)