Organizata e Bashkëpunimit Islamik mbështet rezolutën për Srebrenicën

Organizata e Bashkëpunimit Islamik mbështet rezolutën për Srebrenicën

Hissein Brahim

Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështetën rezolutën e propozuar nga Kombet e Bashkuara për të shpallur 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Deklarata, e cila shpreh mbështetje për miratimin e rezolutës, u soll në takimin dyditor të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili përfundoi të dielën në kryeqytetin e Gambisë, Banjul.

Për miratimin e saj votuan 57 vende anëtare të Organizatës, në të cilën Bosnje e Hercegovina ka statusin e vëzhgueses.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik është organizata më e madhe pas Kombeve të Bashkuara, dhe anëtarët e saj përfshijnë vende nga katër kontinente.

Propozimi përfundimtar për rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB, njoftoi më 2 maj ambasadori i Bosnjës në OKB, Zllatko Llagumxhija.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një debat për Bosnje e Hercegovinën për datën 15 maj, por nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema konkrete dhe as kush do ta mbajë seancën.

Drafti përfundimtar i rezolutës, të cilin e pa Radio Evropa e Lirë, thekson vendimin e OKB-së për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, e cila do të shënohet çdo vit.

Në Srebrenicë, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë, në korrik të vitit 1995.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi këtë krim si gjenocid në vitin 2007.

Më shumë se 50 persona u dënuan për të nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe gjykatat vendase, me rreth 700 vjet burg në total.

Me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera në Bosnje e Hercegovinë u dënuan komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në kohën e luftës, Ratko Mlladiq, dhe udhëheqësi i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq. Rel

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb