Grupi organizator i protestës ka dalë me listën e kërkesave të plota drejtuar qeverisë me në krye kryeministrit Edi Rama, që u lexua nga Dritan Goxhaj.

“Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit, dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit se kjo protestë kërkon:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, janë kërkesat.


Lajmi kryesor:

Qytetarët 3 javë në protestë/ Lexohet lista me kërkesat drejtuar Ramës: Dorëheqje, qeveri teknike e kufizim të ushtrimit të mandatit të kryeministrit