Për herë të 11-të, në vendin tonë u organizua parada e komunitetit LGBTQIA+. Kjo paradë bëhet në vazhdimësi të aktiviteteve, ku pjestarë të komunitetit kërkojnë të drejta të barabarta, mos të diskriminohen dhe bullizohen.

Parulla me të cilën u mbajt parada këtë vit është "Hape Zemrën". Është miratuar një plan veprimi për komunitetin LGBTQIA+, por anëtare të këtij komuniteti thonë se nuk është zbatuar siç duhet dhe ende ata vuajnë problematika të ndryshme, siç është diskriminimi, refuzimi i shërbimeve etj.

Parada nisi tek instalacioni "REA", për të vazhduar në bllok, më pas tek sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe 'stacioni i fundit' ishte tek kryeministria. Gjatë paradës, një prej personave të pranishëm foli për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi duke thënë se fokusin e kanë te personat transgjinor, të cilëve duhet 'u ofrohet shërbimi i ndërrimit të gjinisë dhe të bëhet terapia hormonale.

"Kam vite që jam deklaruar. Kam pasur mbështetje që në fillim, jam bashkë me mamin këtu. Është e rëndësishme të kemi një fytyrë për të gjithë ata që na ndjekin. Ne fokusohemi te pjesa e personave transgjinor. Është e rëndësishme të bëhet jo vetëm ndërrimi i gjinisë por edhe terapia hormonale", tha ai.

Më pas, pjesëtarët e komunitetit shkuan në ambientet e kryeministrisë ku dhanë mesazhet e tyre dhe kërkonin të drejta të barabarta për të mos u bullizuar. Atje kishin edhe mesazhe për kryeministrin Edi Rama, të cilit i kërkonin që të hidhte sytë nga komuniteti LGBTQIA+.

"Çfarë pune keni me ne? Jemi këtu për të dhënë që nuk heshtim", ishin disa prej mesazheve të tyre.

Kujtojmë që vitin e kaluar, për herë të parë në Shqipëri ka nisur një gjyq për regjistrimin e dy fëmijëve të parë për çiftet e të njëjtit seks. Dy vajza kërkojnë të regjistrojë bebet në emër të tyre. Çështja është rrezuar në shkallën e parë dhe në apel. Pritet një vendim i gjykatës së lartë.