Ori Nebiaj, e 18 në listën e PD për Tiranë dhe mbulon njësinë 10, ka siguruar qytetarët se fshehtësia e votës gjatë votimit dhe numërimit elektronik në këtë njësi është e garantuar. Gjatë një interviste në emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv, Nebiaj tha se votimi elektronik në këtë njësi është një risi që PD e kishte kërkuar më ngulim dhe se shpreson që në të ardhmen kjo të shtrihet në të gjithë vendin. Ajo tha se gjatë takimeve ka hasur shumë shqetësimin e qytetarëve se vota e tyre nuk do të ishte e fshehtë me votimin elektronik. Nebiaj tha se pilotimi elektronik në fakt jep garanci të plotë për votën dhe se qytetarët të jenë të qetë për ruajtjen e fshehtësisë së votës së tyre më 25 prill.
"Është risi pozitive dhe një nga fitoret që ka kërkuar PD për zgjedhje të lira dhe të ndershme , pilotimi elektronik në njësinë 10 është e rëndësishme që në të ardhmen të vijohet edhe me njësitë dhe qarqet e tjera të vendit. Kjo është një garanci e plotë për votën. Vota është e fshehtë, janë munduar shumë kundërshtarët për të përhapur informacione të rreme se ajo mund të zbulohet por kjo nuk ndodh. Qytetarët të jenë të qetë dhe votimi elektronik nuk tregon se si keni votuar ajo është e fshehtë", tha Nebiaj.
Ajo tregoi edhe simbolikën e nr. 18 që mban në listë duke thënë se kjo është bërë për t'ju drejtuar dhe pasur në fokus të fushatës së saj të rinjtë që votojnë për herë të parë.
"Simboli i nr 18 ishte për thirrje të atyre që votojnë për herë të parë. Është e padiskutueshme që do jem në Kuvend, ne marrim 20 mandate në Tiranë", tha Nebiaj.