“Njeriu pa njohuri për historinë, origjinën dhe kulturën e tij të kaluar është si një pemë pa rrënjë.” ~ Marcus Garvey
Gjeneratat e dyta dhe të treta të diasporës janë të ekspozuara natyrshëm ndaj kulturave të ndryshme në vendet rezidente dhe si rrjedhojë edhe ndaj shkrirjes së elementeve identitare në proceset integruese. Ditët e numëruara që i kalojnë në vendet e tyre të origjinës – kryesisht brenda rretheve familjare - ua pamundësojnë atyre të njohin dhe përjetojnë vendin e origjinës në të gjitha kuptimet e mundshme.
Dinamikat e migrimit mes shqiptarëve kanë bërë që prindërit të kenë vështirësi në transmetimin e atdhedashurisë tek pasardhësit e tyre. Njohja dhe angazhimi me/për vendin e origjinës dhe kultivimi i identitetit shqiptar vazhdojnë të mbesin në vullnetin individual e vullnetar të shqiptarëve gjithandej botës.
Duke u nisur nga këto, Germin dhe Fondacioni Global Shqiptar kanë nisur programin OriginAL (Origin - AL / Origjinë Shqiptare). OriginAL ka për qëllim që të rinjve të diasporës tu ofrojë një mundësi të jashtëzakonshme të njohin rrënjët e tyre shqiptare.
Programi është modeluar bazuar në modelin izraelit - Taglit – Birthright Israel, i cili ka frymëzuar iniciativa të tjera të ngjashme si Birthright Africa, Reconnect Hungary, Birthright Armenia, etj.
OriginAL nisi si një iniciativë ambicioze në vitin 2021 dhe brenda një kohe rekord arriti që të ngrejë rreth 100 mijë dollarë (kryesisht donacione online nga diaspora shqiptare). Nga këto fonde të ngritura, 40 të rinj të diasporës nga 15 shtete të ndryshme për herë të parë u bënë pjesë e programit OriginAL, për të përjetuar dhe zbuluar për dy javë Shqipërinë dhe Kosovën, përmes vizitave dhe aktiviteteve të shumta në të dyja vendet..
Në ditën e fundit të programit, pjesëmarrësit, duke ju përgjigjur pyetjes (pjesë e anketës së realizuar nga organizatorët) se sa është zgjeruar njohuria e tyre për historinë dhe kulturën shqiptare: 92 përqind u shprehen se ‘Nga OriginAL ata ndihen shumë më të lidhur me rrënjët shqiptare’.
Këtë përvojë ata duan t’ua dhurojnë edhe qindra e mijëra të rinjve të tjerë të diasporës. OriginAL synon që të rinjve të lindur apo të rritur në diasporë, tu ndihmojë që të rizbulojnë vendin e të parëve – por, përmes këtij udhëtimi ta zbulojnë edhe veten në origjinë.
Për ta bërë të mundur një gjë të tillë, platforma Smile.al e bankës CREDINS ka hapur kampanjën për të gjithë dhuruesit që duan t’i bashkohen kësaj nisme. OriginAL synon që gjatë 2023 t’ua mundësoj këtë udhëtim 100 të rinjve të diasporës.
Për të mbështetur këtë program: me mision historik, ndiqni vegëzën; https://smile.al/actions/original-nje-udhetim-per-te-zbuluar-rrenjet/