Shërbimet e Kuvendit me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri organizuan të mërkurën një program orientimi për deputetët e rinj.

Duke folur në këtë veprimtari, Ambasadori Bernd Borchardt tha se Prezenca e OSBE-së ka një bashkëpunim afatgjatë dhe unik me Kuvendin, duke iu bërë krah zhvillimit të këtij institucioni për shumë vite.

Ndërkohë që natyra e këtij bashkëpunimi ka ndryshuar dhe është zhvilluar me kalimin e viteve, si dhe me ndryshimin e nevojave të këtij institucioni, Prezenca është e gatshme të vazhdojë edhe më tej mbështetjen e saj për Kuvendin, shtoi ai.

“Në këtë kuadër, mbështetëm hartimin e një Kodi Sjelljeje për deputetët. Megjithëse ky proces është në fazën përmbyllëse, propozime të tjera për përmirësimin e këtij dokumenti janë më se të mirëpritura.

Zbatimi i tij do të jetë një gur kilometrik në përpjekjet për të shtuar besimin e publikut në punën e Kuvendit”, tha Ambasadori Borchardt.

dy.b/shqiptarja.com