OSBE dënon kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve në Kosovë

PRISHTINË- Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave, Dunja Mijatovic, kanë shprehur sot shqetësimin e tyre në lidhje me sigurinë e gazetarëve në Kosovë dhe kanë dënuar kërcënimet e fundit me vdekje ndaj Artan Haraqisë, gazetar i portalit të lajmeve Indeksonline.
"Është absolutisht e papranueshme që gazetarët t'i ekspozohen presionit të vazhdueshëm dhe kërcënimeve me vdekje. U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit që të bëjnë të pamundurën për të siguruar që ata që paraqesin kërcënim ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sigurisë së gazetarëve, të sillen para drejtësisë", tha Schlumberger.
Në njoftimin për shtyp theksohet se Haraqija ka punuar me Visar Duriqin, gazetar i Gazeta Express, në një raport të përbashkët me temë "Grupet radikale myslimane që operojnë në Kosovë". Ai ka marrë kërcënimet e fundit me vdekje pas paraqitjes së tij në emisionin "Rubikon" të KTV-së dy ditë më parë. Haraqija i ka raportuar këto kërcënime në polici mbrëmë, ndërsa Duriqi i kishte raportuar kërcënimet ndaj tij më herët.
"Ky është kërcënimi i dytë ndaj një gazetari në Kosovë këtë muaj. Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të njeriut dhe duhet të mbrohen", tha Mijatovic.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike./ATSh/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ish gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja