PD kërkon strukturë të posaçme për 'Zgjedhoren'/ OSBE: Gati të organizojmë diskutime, të miratohet deri në dhjetor

PD kërkon strukturë të posaçme për 'Zgjedhoren'/ OSBE: Gati të organizojmë diskutime, të miratohet deri në dhjetor

Në tryezën e thirrur nga OSBE disa javë më parë, Partia Demokratike kërkoi ngritjen e një strukture të re për reformën zgjedhore, ku të përfshihen partnerët ndërkombëtarë. OSBE dhe Brukseli e kundërshtuan këtë kërkesë, po ashtu si qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

Por në një intervistë për 'VOA'-n, ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt u shpreh sot se Prezenca që ai drejton në Shqipëri dhe partnerët e tjerë do të ishin të gatshëm të kontribuonin vetëm për të organizuar diskutime, por jo drejtimin e saj dhe se në fund vendos parlamenti me shumicë të cilësuar.

"Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi më se të gatshëm t’i organizojmë këto takime pune. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat.

Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Evropës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në Parlament" tha ai.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt i bëri thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të këtij viti. Ambasadori Borschardt nxiti prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.

Intervista e plote e ambasadorit te OSBE-se
Zoti Ambasador, në Shqipëri flitet shumë shpesh për zgjedhjet, për reformën dhe është arritur që në Kodin Zgjedhor të ndërhyhet afro 12 herë, në 29 vjet. Çfarë mendoni se u mungon zgjedhjeve në Shqipëri dhe cila reformë do të ishte, le të themi, definitive, për të mos ndërhyrë më, të paktën për një kohë të gjatë?
Shumë faleminderit për këtë pyetje. Do të doja të qartësoja të tërë tablonë e debatit. Së pari, OSBE/ODIHR-i ka formuluar, që prej vitit 2013, rekomandime për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Pjesa e dytë e diskutimit, nisi pas zgjedhjeve të 2017-s dhe kishte të bënte me përdorimin e teknologjive të reja në votim dhe me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Pjesa e tretë e debatit është më e vonë dhe ka të bëjë me ndryshimin e tërë sistemit zgjedhor. Po i shtjelloj paksa të tria këto aspekte.

Së pari, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Për ne, këto janë rekomandime. Ne nuk kemi mandat ekzekutiv këtu dhe, sigurisht, as që duam të kemi. Por patjetër, ne do të dëshironim të ndihmojmë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, vitin e shkuar, organizuam gjashtë takime pune të gjera, ku u diskutuan praktikat më të mira.

Rekomandimet janë të shumta; disa janë shumë teknike, por disa nga aspektet më të rëndësishme janë: përcaktimi i mekanizmave për të shmangur presionin ndaj administratës publike gjatë zgjedhjeve, shmangia e abuzimit të administratës gjatë zgjedhjeve, hetimi i të gjitha akuzave për abuzime, përfshirë shitblerjen e votës, depolitizmi i administratës zgjedhore, përmirësimi i financimit të fushatave, mbikëqyrja e financimit përmes një KQZ-je të depolitizuar, ndalimi i kronikave të gatshme të përgatitura nga partitë dhe lejimi i gazetarëve për të ndjekur veprimtaritë dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur. Ka edhe shumë të tjera. Disa rekomandime janë tepër teknike, prandaj nuk po ndalem në to.

Në këto tryeza, kemi diskutuar se si zgjidhen këto probleme në vende të tjera, në sisteme të tjera. Ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë mënyrë. Vendimi i parlamentit gjerman, që kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformës, i jep një hov të ri këtij debati. Në fund të vitit të shkuar, u hartuan dy projektligje që adresonin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it deri në vitin 2017. Njëri prej tyre mbulonte rreth 90 për qind të tyre, ndërsa projektligji tjetër ishte paksa më i dobët, por, gjithsesi, janë një pikënisje e mirë.

Aspekti i dytë i diskutimeve është ai për teknologjitë e reja të votimit dhe ai i votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Edhe për këto dy çështje, organizuam dy takime pune vitin e shkuar dhe diskutuam me ekspertët e partive se si mund të arrihen. Për votimin e emigrantëve ekzistojnë modele të ndryshme dhe ekspertët tanë paraqitën të mirat dhe të këqijat e secilit model, qoftë ai i votimit në ambasada apo me postë.

Sa i takon votimit elektronik, ekspertët tanë, gjithashtu, shpjeguan përparësitë, të metat dhe rreziqet. Nëse bëhet online, rreziqet janë të larta. Nëse bëhet offline, përgatitjet duhet të nisin shumë kohë më parë, pasi duhet zhvilluar një fushatë e hollësishme për t’u shpjeguar zgjedhësve se si funksionon. Pasi duhet siguruar që të moshuarit nëpër fshatra, të cilët nuk luajnë me smartfon përditë, të jenë në gjendje të përdorin pajisjen e votimit. Kjo është e bëshme, për kërkon kohë për t’u zbatuar dhe është shumë e kushtueshme. Një aspekt tjetër është numërimi elektronik, i cili është shumë më i lirë dhe më i lehtë.

Aspekti i tretë i diskutimit, i cili ka filluar kohët e fundit, është debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edhe ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor?

Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente.

Së fundi, do të doja të theksoja që, për ne, gjëja më e rëndësishme janë rekomandimet. Duket se ato janë element themelor edhe në debatin e BE-së, prandaj ne do ta nxitim komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të vitit.

Partia Demokratike jashtë parlamentit propozoi në tryezë ngritjen e një strukture të re me ekspertë të OSBE-së, Bashkimit Evropian, dhe SHBA, duke mos njohur komisionin aktual bipartizan të reformës . Si e vlerëson OSBE-ja këtë propozim?
Këtu ngërthehen dy aspekte. Njëri aspekt është si të diskutohen çështjet e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it apo çështja e sistemit të ri zgjedhor dhe kjo mund të bëhet në tryeza pune, si ato që organizuam vitin e kaluar. Ne jemi më se të gatshëm t’i organizojmë këto takime pune. Ka edhe kërkesa të tjera, si ajo e parlamentit gjerman, për shembull, për të ndryshuar mënyrën e financimit të partive. Do të ishim më se të lumtur të organizonim debate edhe për këtë çështje. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Evropës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament.

Pra propozimin e PD-së, e shihni jashtë kornizës parlamentare dhe PD-ja është e ftuar të marrë pjesë aty, apo jo?
Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër.

Ekspertët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve shohin një përkeqësim të situatës, bazuar te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, pikërisht kur bëhet fjalë për shitblerjen e votës, një term që nuk ka ekzistuar në rekomandimet e mëhershme. Ju rekomandoni dhe hetime të të gjitha akuzave përfshi dhe shitblerjen e votës. Si i vlerësoni deri tani hetimet për këto çështje?
Më lejoni të jemi i saktë. Raporti i OSBE/ODIHR-it thoshte që ka akuza të përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe se kjo ul besimin e publikut në procesin zgjedhor, prandaj duhet bërë më shumë në këtë fushë. Ekzistojnë disa rekomandime se si mund të bëhet kjo dhe në kuadër të diskutimeve të komisionit të posaçëm, vitin e shkuar, pati disa ide. Një rekomandim kryesor i zgjedhjeve të fundit, i cili nuk fokusohej te blerja e votës, por te të gjitha llojet e shkeljeve në kuadër të zgjedhjeve, ishte hetimi i plotë dhe i menjëhershëm. Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.

Deputetët e opozitës në parlament e kushtëzojnë votën e tyre për reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit. Pa votën e tyre kjo reformë nuk miratohet. A krijon kjo vështirësi?
Besoj se nëse ka vullnet politik, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mund të zbatohen apo të paktën, të hartohen dhe të dakordësohen në komisionin e posaçëm, deri në fund të vitit. Vitin e kaluar u bë shumë punë dhe nëse kjo punë merret për bazë, është e mundur të arrihet kjo gjë. Debati për rishikimin e sistemit zgjedhor filloi në fund të shtatorit. Mendoj se, për të, do të duhet më shumë kohë. Pra, do të ishte sfidë e madhe të përmbyllet deri në fund të vitit. Por megjithatë duhet bërë deri në pranverë ose në fillim të verës të vitit tjetër, pasi ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve. Pra puna duhet zhvilluar në paralel.

Kemi një insistim të vazhdueshëm nga opozita për zgjedhje të parakohshme. A mund të jetë gati reforma në rast zgjedhjesh të parakohshme?
Di që ka shumë spekulime për zgjedhje të parakohshme, por Shqipëria ka një kushtetutë dhe sipas kësaj kushtetute, zgjedhjet zhvillohen në vitin 2021, pra diçka më shumë se pas një viti e gjysmë. Ka mekanizma në kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhje të parakohshme, por ky është një vendim politik, në të cilin unë, sigurisht, nuk kam zë.

Pra, për një reformë të plotë, të saktë, që respekton edhe afatet e Kodit Zgjedhor, sa kohë duhet? Pra, jemi gati për zgjedhjet e 2021-shit?
Këto janë rekomandime të forta nga OSBE/ODIHR-i nga Këshilli i Evropës, pra që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se një vit përpara zgjedhjeve./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Daku: 14/10/2019 19:17

    Shvanckopf

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët