Ambasadori i OSBE në Tiranë Florian Raunig ka theksuar se mbipopullimi në sistemin burgjeve vazhdon të jetë problematik. Sipas tij masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata gjatë dhënies së masës së sigurisë dhe jo si një vendim rutinë.
“Situata në sistemin e burgjeve në Shqipëri ka shënuar përmirësime të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Gjithsesi, ka ende shumë për të bërë, kryesisht në fusha specifike si gjendja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, por edhe nevoja për të përmirësuar programet individuale të rehabilitimit dhe riintegrimit, sikurse parashikohet edhe në ndryshimet e fundit në ligj. Fatkeqësisht, edhe pas punës së lavdërueshme të Shërbimit të Provës, shërbim i cili është mbështetur vazhdimisht nga Prezenca, por edhe pas zbatimit të ligjit për amnistinë, mbipopullimi në sistemin e burgjeve vazhdon të jetë problematik. Çdo person në sistemin e burgjeve u kushton pará taksapaguesve shqiptarë. Kostoja e një të paraburgosuri është 439 euro në muaj. Të pasurit e më pak personave në burgje do të thotë më shumë fonde të përdorura për shërbime për qytetarët shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se personat që dyshohet se kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen gjithmonë në gjendje të lirë. Kjo do të thotë se masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit nga gjykata gjatë dhënies së masës së sigurisë dhe jo si një vendim rutinë. Arresti në burg duhet të jepet si masë sigurie vetëm në rastet e parashikuara në legjislacionin procedural penal që janë: rreziku i shkatërrimit të provave; rreziku i largimit të të pandehurit dhe rreziku që i pandehuri të kryejë një vepër tjetër penale. Dhënia e kësaj mase sigurie përtej këtyre tri kushteve është cenim i së drejtës themelore të njeriut për lirinë vetjake, nuk është në përputhje me frymën e legjislacionit procedural penal, si dhe është e kushtueshme për ekonominë e vendit” ka thënë ambasadori i OSBE-së Florian Raunig.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto tha se reforma në sistemin e burgjeve është e lidhur edhe me riintegrimin e të burgosurve. Ai ka hedhur idenë edhe të burgjeve private.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)