Dje është inauguruar në Korçë zyra e deputetëve për komunikimin me zgjedhësit. Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj zyre, duke shtuar se nëpërmjet këtyre do të arrihet një komunikim më i afër i deputetëve me zgjedhësit. “Unë dua të kujtoj që të gjithë ne kur shkojmë në parlament ndihemi shumë keq që tek dera e parlamentit, jashtë janë dhjetëra njerëz të cilët vijnë nga rrethet dhe presin për të takuar deputetët.
Ndërkohë që me hapjen e këtyre zyrave mundësohet që pikat e takimit, oraret e takimit, kalendarët e takimit të bëhen këtu, duke ia kursyer njerëzve edhe shpenzimet edhe kohët e të gjitha vështirësitë e tjera”,- tha ndër të tjera Leskaj. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning theksoi në fjalën e tij se hapja e këtyre zyrave do të mundësojë një komunikim më intensiv ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve.
“Deputetët duhet t’i dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë ata siç duhet dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrën e duhur. Sa më shumë të dijë publiku për aktivitetin e parlamentit, aq më mirë ai mund të shprehë preferencën e tij dhe t’u kërkojë llogari përfaqësuesve të tij”,- theksoi Rauning.
Pjesë e panelit të diskutantëve ishin edhe dy prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Gjergji Papa nga opozita dhe Ilirian Pendavinji nga mazhoranca. “Është një punë që po vazhdohet në Kuvendin e Shqipërisë për të pajisur me zyra në terren në çdo qark për të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Siç e shihni, Korça i paraprin këtij projekti dhe besoj që ky është fryti i bashkëpunimit shumë të suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë, OSBE-së, bashkisë së qytetit dhe agjencisë austriake për zhvillim”,- tha Papa.
Ndërsa Pendavinji theksoi se: “Hapja e zyrës së komunikimit me qytetarët është një event shumë i rëndësishëm për qarkun e Korçës, pasi siç e theksoi edhe kolegu Papa, të gjithë ne kemi pasur vështirësi me komunikimin me qytetarët. Ndërkohë me hapjen e kësaj zyre do të jetë e mundur që qytetarët të japin opinionet e tyre, të paraqesin problemet e tyre, shqetësimet që ata kanë për pjesën në komunitet në rajonin e Korçës”.
Raporti, Raunig: Keqardhje, por nuk është qëndrim i yni
Kreu i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, ka reaguar nga Korça lidhur me lajmin e publikuar për një raport të brendshëm të organizatës ku flitet për lidhjet e fshehta mes politikës dhe biznesit. Ambasadori Rauning shprehu keqardhje që ky informacion është bërë objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike.
“Lidhur me informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së, dëshiroj të shpreh keqardhjen tonë që ky informacion u bë publik - pa autorizim - dhe objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike. Informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. Përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni” -tha Rauning.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)