OSBE: Jemi gati që të punojmë
me politikën për reformat kyçe

OSBE: Jemi gati që të punojmë<br />me politikën për reformat kyçe<br>
Zëvendësministri i Jashtëm i Austrisë Michael Linhart zhvilloi sot një vizitë në Tiranë ku, si Përfaqësues i Kryesisë së OSBE-së për vitin 2017, nënvizoi rolin kyç të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen e procesit të reformave në vend.

Linhart u informua rreth zhvillimeve të fundit nga Kryetari i Prezencës, Ambasadori Bernd Borchardt, dhe stafi i tij. Gjithashtu, si pjesë e agjendës dypalëshe, ai u takua me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Zëvendëskryeministren Senida Mesi, Zëvendësministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, si dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Linhart vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Prezenca e OSBE-së për autoritetet shqiptare, në përputhje me nevojat e vendit: “Misionet e OSBE-së përfaqësojnë një vlerë të shtuar për organizatën tonë, për të ofruar ndihmë sipas nevojave përgjatë proceseve të vazhdueshme të reformave në vendet pritëse. E njohur anembanë Shqipërisë, Prezenca është provë e padiskutueshme e kësaj qasjeje”.

“Ndihma për konsolidimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit -- si dhe për proceset zgjedhore transparente, të drejta dhe gjithëpërfshirëse -- përbën një element kyç të mandatit të Prezencës” - tha Linhart. “Ne nxisim autoritetet shqiptare që të shfrytëzojnë në maksimum mbështetjen që Prezenca ofron sipas nevojave të vendit dhe të përdorin të gjithë diapazonin e mjeteve të OSBE-së, përfshirë Zyrën për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Komisionarin e Lartë për Minoritetet Kombëtare dhe Përfaqësuesin e Lirisë së Medias”.

Nga ana e tij, Borchardt foli për rolin konstruktiv të Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë nismat e fundit për shkëmbimet mes të rinjve, të organizuar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe Prezencën e OSBE-së.

“Jemi të lumtur që punojmë nga afër me të rinjtë dhe që përfshijmë perspektivat rinore në punën e përditshme të OSBE-së, duke forcuar vetëbesimin dhe dialogun mes tyre,” tha Borchardt. “Prezenca mbetet e gatshme që të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe të punojë me qeverinë, aktorët politikë, shoqërinë civile, median dhe të gjithë qytetarët për të ecur përpara me reformat kyçe.”

Prezenca e OSBE-së ka qenë aktive në Shqipëri që nga viti 1997. Prezenca ka si mandat të ndihmojë Shqipërinë për zhvillimin e institucioneve demokratike të efektshme dhe të përkrahë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut në përputhje me përparësitë e vendit. Një gjë të tillë, Prezenca e arrin përmes një sërë nismash për reforma ligjore dhe administrative, veprimtarive që synojnë të luftojnë korrupsionin dhe trafikimin, si dhe programeve për zhvillimin e medias në vend, mbështetjen e shoqërisë civile, si dhe trajnimin e policisë dhe zyrtarëve të doganave.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Gjyqi për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiaku mungon në seancë! Akuzohet për dy raste shpërdorimi detyre, ja çfarë kërkoi avokati

Gjyqi për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiaku mungon në seancë! Akuzohet për dy raste shpërdorimi detyre, ja çfarë kërkoi avokati